Zërat
Labinot Kunushevci
Labinot
Kunushevci

Intelektuali dhe politikani mediokër

Zërat August 05, 2020 - 10:23

Shikoni kush janë njerëzit më të famshëm, më publikë dhe më të pranishëm në media, në një shoqëri krize si Kosova: intelektualët dhe politikanët mediokër. Nuk janë intelektualët vizionarë, as politikanët e përgjegjshëm, as artistët kreativë, as autorët e ideve dhe mendimeve të shëndosha, as sportistët e suksesshëm, as personalitetet e elitës kritike, as mësimdhënësit e devotshëm, as studiuesit e shkencave shoqërore, as inovatorët e rinj, as shkencëtarët e rinj. Hapësira publike dominohet nga debatet e kota, të shndërruara në monologe, ku objekt diskutimi nuk është problemi qytetar, por problemi personal. Qytetari dhe problemi i tij i standardit të mirëqenies është në margjina të debateve. Ndërsa qendra janë inatet personale, paragjykimet dhe linçimet, ofendimet dhe sharjet, akuzat pa fakte, konfliktet obsesive, gjuha hakmarrëse dhe korruptive.

Sepse aty janë sharlatanët, injorantët, analistët banalistë, dhe siç do të thoshte Kadare, mbretëria e idiotëve, që e bën shumë të vështirë diskutimin me ta. Madje ata janë njerëz, demagogë, të pakurrizorë, që imponohen në debate dhe janë në gjendje edhe të paguajnë për të marrë pjesë në emisione që i shtohet popullariteti. Me injorancë të zbresin në nivelin e tyre dhe të mundin me përvojën e tyre prej injoranti. Kur nuk ka vepra konkrete, ka retorikë, thoshte Konica. Pra, ata nuk flasin për vepra dhe projekte, por për kauza dhe heroizma të parealizueshme, folk-patriotike, që u krijon lumturi të rrejshme, për mbijetesë politike dhe publike. Derisa me diskursin që krijojnë, tregojnë se shteti është më shumë meritë e tyre se e qytetarëve, prandaj edhe e kanë monopolin ekskluziv paradoksal, duke e trajtuar shtetin si pushtet dhe si emra pushtetarësh, jo si institucion dhe vetëdije institucionale.

Aq shumë rrahin gjoks, thuajse historia fillon me ta, se janë të papërsëritshëm dhe të pazëvendësueshëm, me sakrifica të panjohura më parë, si misionarë të shenjtë. Edhe pse promovohen si intelektualë dhe elitë politike, janë cenuesit më të mëdhenj të lirisë intelektuale dhe pluralizmit politik. Lirinë e projektojnë si iluzion dhe fiksion, mashtrim real, duke e instrumentalizuar me propagandë dhe lajme të rrejshme dhe me rrena pa lajm. Pasoja: qytetari i manipuluar, që sillet në rrethrrotullim pa gjetur udhëkryqin orientues.

Të pushtetshmit e projektojnë parajsën, por qytetarët e shijojnë ferrin. Ata e mohojnë krizën, papunësinë, varfërinë sepse gjykojnë nga pozicioni i tyre luksoz i komfortit dhe nga rehatia e militantëve dhe klientelës së priveligjuar, ndërsa nuk zbresin afër qytetarëve që të shohin standardin e ultë të mirëqenies dhe mjerimin që përjetojnë. Vetëlavdërohen në media për mospunën e tyre, ndërsa lavdia dhe cilësia e jetës së qytetarëve s’kanë asgjë të përbashkët. Në statistika dhe deklarata e reduktojnë dhe minimizojnë problemin qytetar, ashtu që të krijojnë iluzionin se ata po punojnë, se gjendja shoqërore është më e mirë falë tyre, duke fshehur, mohuar e margjinalizuar kategori, fenomene dhe raste të caktuara të mjerimit socio-ekonomik.

Kështu ata e trajtojnë qytetarin si injorant, të padijshëm, idiot, që nuk i kupton politikat dhe analizat e tyre, që nuk e vlerësojnë realitetin në mënyrë të drejtë, që janë mosmirënjohës ndaj ”kontributeve megalomane” të tyre, që janë abuzues të të mirave publike, që e keqpërdorin lirinë që ”të fuqishmit” e kanë krijuar.

Diploma, ceremoni, simbolika, zhurmë, folk-patriotizëm, pushtete të paligjshme, sensacion, obsesion, iluzione. Shumë mediokëra, pak intelektualë.

A e përcakton diploma vlerën e intelektualit? A duhet të ketë intelektuali domosdoshmërisht diplomë universitare? Është integriteti dhe personaliteti i tij moral dhe profesional, standardi i tij i punës krijuese dhe kritike, zëri dhe guximi në kundërshtimin e dukurive negative, marrëdhënia e tij me publikun përmes fakteve, vizioni i tij për të ardhmen, thyerja e indiferencës dhe inferioritetit, idetë e tij origjinale, të menduarit me kokën e vet, apo siç do të thoshte historiani francez Jacques Le Goff – aftësia e tij për të përcjellur mendimet e tij tek të tjerët – ato që e bëjnë atë intelektual. Pra, është një konglomerat dhe kolorit i madh i vlerave dhe mendimeve, të mishëruara dhe të përthyera me nuancat dhe ngjyrat më të mira.

Jo çdo profesor apo person që bartë titull akademik është intelektual. Dikush bartë titull profesori, titull akademiku, me gradat më të larta, por ka zero kreativitet, nuk është në hap me trendet e reja, nuk merr asnjë vlerësim serioz nga qarqe shkencore, vazhdon të kultivojë mënyra primitive të punës dhe komunikimit, ndonëse krekoset me zyrën e tij në universitet prej kapadaiu. Ndërsa qasja e tij me studentin është injoruese, autoritare. Nuk flitet për bashkëpunim dhe interaktivitet. Se sa vështirë është të komunikosh me disa profesorë që vuajnë nga kompleksi i superioritetit, tregojnë vetë studentët.

Mos të flasim për angazhimin e stafit akademik – bashkëpunëtorëve dhe asistentëve në universitet sepse aty i bëjnë shkeljet më të mëdha ligjore, profesionale, morale e procedurale. Kjo është arsyeja e betejës time juridike publike me Universitetin e Prishtinës, në vitin 2017, në rastin e shkeljeve të konkursit për asistentë, të cilin, në vitin 2018, e konstatoi Inspektorati i Arsimit.

E kushedi se si i kanë arritur ata tituj! Autoritet i rrejshëm publik! Lavdi e pamerituar! Privilegje të vjedhura! E sa pak vlerësohen dhe çmohen autodidaktët, aty ku intelektuali mediokër, i veshur me petkun e akademikut, konsumohet si kult, i glorifikuar, që thellon iluzionet e njerëzve. Kosova është një koloni klasike në mentalitetin e elitës fallse që është vetëpromovuar pasi e ka krijuar sistemi. Dija dhe rezultati nuk mund të shlyhet, edhe pse ata thonë se nuk e shohin, se është meritë e tyre. Por nëse një person është këmbëngulës, atë askush nuk mund ta dekurajojë. Ajo që e dallon atë prej tyre është puna.

Ndërsa fama, lavdia, protagonizmi dhe privilegji mbesin ambiciet e përhershme të këtij soji të profesorëve. Diskursi kërcënues, nxitja e konflikteve, gjuha e varfër dhe e ndotur, spekulimi dhe konspiracioni, janë mënyrat e tij të komunikimit. Kriza dhe qetësia sociale, mungesa e kritikës, më së shumti i konvenojnë intelektualit mediokër. Por koha do t’i thyejë iluzionet. Në shoqëritë me standard të dobët intelektual dhe kulturor, iluzionet janë të pathyeshme. Ato janë ushqim i rrejshëm për ngopje të rrejshme. Derisa iluzionet dhe heriozmat – heronjtë e rrejshëm – projektohen dhe konsumohen si shtylla identiteti.

Njohim dy tipe të intelektualëve, që studiuesi Ibrahim Berisha i shpjegon në librin e tij ”Urtia e pafuqishme”: duke qenë pjesë e korrupsionit etik, intelektuali humbë integritetin e tij, të cilin mbase edhe mund ta ketë pasur përpara se të bëhej edhe vetë pjesë e shkatërrues i vlerave ligjore dhe morale në shoqëri. Intelektuali i korruptuar vendimmarrës është vetë pushteti i paligjshëm. Një hajn i respektuar me emër, por pa ngjyrë e identitet profesional publik. Ndërsa intelektuali humanist kërkon parimin e së drejtës që mund të përmbledhet në moton: Të sillesh ndaj të tjerëve sikur do të sillen të tjerët ndaj teje. Këtë parim, më shumë se të tjerët, intelektuali e ka edhe mision që ta përcjellë në komunikimet publike.

Pra, intelektuali vlerësohet në bazë të sistemit të vlerave që ai përfaqëson dhe manifeston, në bazë të strukturës së thellë të të menduarit të tij etik, që në asnjë rast nuk guxon të jetë e korruptuar, në bazë të qasjes që ai ndërton në raport me dukurinë e korrupsionit sepse ai mund t’i jap hov zhvillimit dhe legjitimimit të tij në sferën, institucionet dhe komunikimin publik, duke deformuar standardet etike dhe ligjore. Intelektuali mediokër voton qeveritarë të korruptuar, bashkëpunon me sekserë politikë, kamufllohet si institucionalist, ndërsa lufton vlerat

institucionale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të bashkëjetojë me ligjin, derisa i arsyeton veprimet e veta joetike dhe e refuzon përgjegjësinë morale publike.

Në shoqërinë e krizës, në modelet atipike kulturore, aty ku zbatimi i ligjit nuk është kulturë, aty ku mungon kontrolli shoqëror dhe ku elita e rrejshme është e obsesionuar me përfitimin e paligjshëm, krimi më i rrezikshëm është krimi i jakave të bardha, term i paraqitur për herë të parë nga Edwin Sutherland në vitet ’40-të. Ndërsa Susan Shapiro, 50 vite më vonë, në një artikull të botuar, në rishqyrtimin që ai i bën këtij koncepti, tregon që kriminelët me jakë të bardhë shkelin normat e besimit, vjedhin pa dhunë dhe bëjnë vjedhje pa shkelje.

Pra, në njërën anë, shfrytëzojnë qetësinë sociale, mungesën e vetëdijes, masës kritike dhe kontrollit shoqëror, keqpërdorin besimin apo iluzionin e njerëzve, dhe në anën tjetër, trioja e guximshme dhe e paligjshme intelektual-politikan-biznesmen, aq e ka sofistikuar strategjinë, saqë korrupsioni i tyre politik, ekonomik, etik, gjuhësor, nuk vërehet lehtë, edhe pse në paraqitje mund të duken ”zotërinj me jaka të bardha”! Politikani merr vendime të paligjshme dhe i mbulon me forcën e pushtetit, intelektuali i ”arsyeton” dhe ”racionalizon” për opinionin e rrejshëm publik me gjuhën e tij sa korruptive ideore po aq propagandistike manipuluese, ndërsa biznesmeni oligark i kapitalizon duke i shndërruar në monopole të pathyeshme, ku shprehur metaforikisht, vetëm një grup i vogël prej tyre e ndanë ”kulaçin” bashkë. Ky model funksionon në Kosovë kohë të gjatë.

Intelektuali mediokër me gjuhën e tij i thur lavde demokracisë dhe e konsideron veten kontribues në të, ndërsa me veprimet bën të kundërtën – rrënon vlerat themelore të tij – me lakminë e shfrenuar, me gjuhën e korruptuar, me krenarinë e tepruar, me përvetësimin e paligjshëm të synuar, me imazhin human të kamuflluar, me burro-centrizmin e modeluar, me provincializmin e mishëruar, me oportunitetin dhe servilitetin politik të treguar, me logjikën fisnore të organizuar, me lirinë intelektuale dhe shpirtërore të shkatërruar dhe me sjelljen atipike të adoptuar.

Ndërsa intelektuali jomediokër dhe human është kritik i realitetit komformist, i cili rrallë gjendet në një ambient kulturor komformist si Kosova. Intelektuali përpiqet t’i sheshojë keqkuptimet, paragjykimet, dilemat dhe konfuzionet e shoqërisë, për t’iu ofruar alternativat dhe idetë e tij kritike.

Heshtjen dhe oportunitetin e intelektualëve në një shoqëri të krizës, shkrimtari i ndjerë Xhemail Mustafa, do ta quante katandisje morale të intelegjencisë. Kështu ai e titullon shkrimin e tij të botuar në rubrikën e kulturës, në revistën ”Rilindja”, më 27 shkurt të vitit të vështirë ’89-të, si reagim pas grevës së minatorëve, kur shkruan për oportunitetin e intelektualit protojugosllav, shkrim që bashkëpunëtori i tij, Ibrahim Berisha, e sjellë për publikun më 2 qershor 2020, në ditën kur nga shembja e dheut ndërruan jetë dy minatorë në minierën e Artanës.

Me shumë shkas, në mesin e dhjetorit të vitit 2017, pasi që intervista ime e realizuar me profesor Ibrahim Berishën për trashëgiminë e kolonializmit në Kosovë u përzgjodh si një nga shkrimet më të mira promovuese për Kosovën nga Ministria e Punëve të Jashtme, përkthyer e botuar në 17 gjuhë të botës, Berishës ia bëra një dhuratë të veçantë, në prani të miku të tij, shkrimtarit Bajram Mjekut, në një nga kafiteritë e kryeqytetit, portretin e Xhemail Mustafës, të punuar nga piktori i talentuar Dardan Shala. Sepse e kishte pasur bashkëpunëtorin dhe mikun më të ngushtë deri në momentin kur u vra.

Mustafa, me mendjemprehtësinë kritike, guximin dhe integritetin e tij prej intelektuali të rrallë, me argumentet kokëforta dhe qëndrimet e palëkundura, por edhe nga indinjata e thellë e tij që buronte nga shpirti fisnik dhe mendimi human, kritikon indiferencën e intelektualëve të kohës karshi grevës së minatorëve, në një situatë, siç e quan ai, apokaliptike. Intelegjencia krijuese e

vendit, pjesa dërrmuese e intelektualëve që betohen shpesh në humanizëm, në demokraci dhe në ”lirinë e shpirtit e të mendjes”, thoshte Mustafa, këto ditë ranë në një provim të rëndë moral, që për intelektualët dhe inteligjencinë e njëmendtë, s’ka dyshim, është rënia dhe pësimi më i rëndë. Po bëhen shtatë ditë të tëra që kur minatorët e Trepçës gjenden në galeritë e thella e të ftohta të nëntokës, kurse pjesa dërrmuese e intelegjencisë së vendit heshtë, rri dhe bën sehir me një dramë të paparë njerëzore, me një tragjedi, e cila tashmë u kualifikua si ”dhembje dhe si trup” i Jugosllavisë. Të vetmit ata që u solidarizuan me grevën dhe dramën e minatorëve ishin asociacionet dhe intelektualët, intelegjencia krijuese dhe ajo politike sllovene, thotë Mustafa. Dramën e minatorëve dhe të të gjithë atyre pak njerëzve që po solidarizohen me ta e quan dramë të njëmendtë njerëzore. Kurse heshtjen dhe indiferencën e pjesës dërrmuese të intelegjencisë së vendit e quan dramë të moralit të tyre intelektual, dramë të një identiteti të shprishur nën presionin e konjukturës së burokracisë politike dhe asaj nacionale.

Praktika e mediokërve politikanë për t’u paraqitur dhe qenë intelektualë të mëdhenj dhe e mediokërve intelektualë për të qenë politikanë të mëdhenj, është e keqja që vazhdon të ndodhë, shijen së së cilës e ndjejnë dhe e njohin më së miri të rinjtë e arsimuar, thoshte Ibrahim Berisha, kur shpjegonte fenomenin e intelektualit në shoqëritë e krizës.

Pra, nuk është intelektual ai që heshtë përballë dukurive negative dhe anomalive shoqërore, përballë diskriminimeve që vijnë nga pushtete dhe sisteme politike, as ai që asnjëherë nuk merr guximin të shkruajë apo reagojë publikisht. Shoqëria nuk është e lirë nëse nuk ka liri intelektuale, nëse intelektualët i ka të heshtur, të izoluar, inferiorë, indiferentë, të shantazhuar, komformistë e oportunistë. Intelektuali nuk është peng i iluzioneve, as nuk projekton iluzione.

Intelektualit nuk i mungon guximi e as dija për t’u ballafaquar me problemin, me pushtetin, me autoritetin dhe me sistemin e padrejtë, kur këto cenojnë interesin publik. Ai e thotë fjalën e vërtetë dhe jeton për të vërtetën, për idealin dhe gjithmonë ka një vizion të mbështetur në projeksione reale të mundësive dhe kapaciteteve.

Në shoqëri ka njerëz që nuk kanë një diplomë universitare, por kanë integritet të lartë, kanë inteligjencë, mbajnë përgjegjësi, kanë ide të shëndosha dhe racionale për zgjidhjen e problemeve dhe kontesteve. Në anën tjetër, politikanë mediokër, që bartin tituj akademik, por kanë defekte në personalitetin e tyre, kanë një komunikim publik të deformuar, një gjuhë korruptive. Nëse bëjnë ndonjë punë të dobishme, e bëjnë vetëm në prani të kamerave, për hir të kamerave. Jashtë syrit të kamerës nuk dinë çka është kontributi publik, interesi qytetar, ndihma humane, sepse jetojnë për sensacionin, për obsesionin, për lavde dhe krekosje publike, të cilat i gjejnë vetëm në kamerat publike.

Me humor të zi e me sarkazëm të thellë, me 10 qershor të këtij viti, në një orë përgatitore shkolle në Prishtinë, disa semi-maturantëve që kishin nota të dobëta, analfabetë funksional dhe tepër indiferentë ndaj mësimit, u thash se ju keni gjasa të bëheni ministra dhe politikanë të ardhshëm në Kosovë, nëse nuk ndryshon realiteti. Ndërsa ju tjerët – semi-maturantë të shkëlqyeshëm – do të mund të punoni për ministrat analfabetë funksional, t’ua shkruani statuset dhe deklaratat, t’iu shërbeni me një pagë të vogël, si asistentë apo shërbëtorë. Andaj ndryshojeni këtë realitet dhe mos e lejoni!

Politikani dhe qeveritari analfabet, edhe pse ia zë vendin ekspertit, ai prapë bëhet i nevojshëm për të sepse i duhet ndihma dhe asistenca profesionale. Shumica e politikanëve në Kosovë nuk kanë aftësi të shkruajnë një deklaratë pa i bërë dhjetëra gabime e lëshime, jo vetëm drejtshkrimore, por edhe përmbajtësore, logjike e konceptuale. Jo rrallë herë i ngatërrojnë konceptet. Madje ata as nuk e njohin gjuhën konceptuale. Shpeshherë i tradhëton gjuha.

Shumë politikanë që i shohim sot si fantazma në televizione, dikur ishin gazetarë, analistë, pjesë e organizatave të ndryshme, me një kritikë të hollë, por u frikësuan, u shantazhuan, u korruptuan, dhe u bën pjësë e qeverisë, zunë vende nëpër zyra të ministrive, dhe iu korruptua zëri dhe argumenti kritik.

Politikani mediokër, kur bëhet zyrtar i lartë qeverie, nuk zhveshet nga diskursi dhe gjuha partiake. Pra, vazhdon të flasë si militant partiak i veshur me petkun institucional sepse tek ai nuk ekziston dallimi, as në praktikë e as në vetëdije, midis institucionit dhe partisë, midis zyrtarit apo rolit institucional dhe militantit partiak. Kjo mendësi politike e partizon shtetin. Sidomos institucionet, përveç mundësive të përfitimit të paligjshëm me tenderë, subvencione, terminale e monopole, trajtohen prej politikanit mediokër edhe si resurse elektorale. Prandaj kemi fenomenin e punësimit të anëtarëve të partive politike në institucione shtetërore të Kosovës, si resurs për të zgjeruar potencialin elektoral të partisë. Institucioni trajtohet për krijimin apo shtrirjen e klientelës. Ku një president apo kryeministër, me mendimin e tij për veten, tregon që nuk mjaftohet me kompetencat kushtetuese të rolit, por me tejkalimin e kompetencave, rolit të vet, i jep elemente autoritare, si një kapo që kontrollon institucionet, me sjellje arbitrare. Dhe me këtë mentalitet dhe logjikë të funksionimit, korrupsioni bëhet i pashmangshëm dhe shumë i lehtë, në mënyrë klandestine. I lehtë për t’u bërë, i vështirë për t’u ndëshkuar.

Për qëllimet dhe ambiciet e veta oportune, intelektuali mediokër nuk heziton t’i keqpërdorë dhe të operojë me konceptet: Zoti, morali, parimi, e shenjta, e mira, e drejta, e barabarta. Kur takohet me profesorë, paraqitet si ”erudit i dijes”; kur takohet me ateistët, paraqitet si laiki më i madh; kur takohet me besimtarët, paraqitet si njeriu më i devotshëm; kur takohet me anarkistët, e shanë shtetin dhe institucionet; kur takohet me zyrtarët e shtetit, paraqitet si institucionalist.

Në shoqëritë e krizave politike dhe kulturore, kur ndodhin tragjedi dhe fatkeqësi familjare, ato keqpërdoren dhe instrumentalizohen për qëllimeve rivaliteti politik nga kundërshtarët politikë, në vend se të trajtohen në mënyrë humane dhe ligjore përmes institucioneve. Nuk ka as respekt minimal për procedurat ligjore. Pra, një politikan a zyrtar mediokër, aq është johuman, saqë nuk heziton ta përdorë ndjeshmërinë e një prindi kur e humbë fëmijën e tij në një situatë tragjedie, pa respektuar dinjitetin dhe privatësinë familjare, për ta sulmuar një kundërshtar politik apo për ta projektuar fajin apo shkakun e tragjedisë tek kundërshtari politik, ku kjo – tragjedi – përdoret si mjet konfrontimi politik. Prandaj çdo herë e më shumë, në kontekste të raporteve të tilla politike të deformuara, më bind fjala e Vangjel Koçës, se forma e qeverimit është një grindje të çmendurish.

Heshtja është e barabartë me marrëzi, thoshte dramaturgu anglez Pinter Harold, në esenë e tij ”Të jesh intelektual sot”. Përveç kësaj, mundësi tjetër e intelektualit, sipas Harold, është të protestojë, duke menduar se lufta për një botë më të mirë është më e rëndësishme se fusha e krijimtarisë së tij apo të vëhet në funksion të pushtetarëve dhe të rrijë e të bëjë sehir, se si pafundësisht keqpërdoren vlerat e punës së tij.

Sprova e intelektualit sot qëndron në presionet që rëndojnë mbi të sepse pushteti, diktatura, autoritarizmi, ka një armik: intelektualin kritik. Pra, atë intelektual që edukon gjenerata të reja, që operon me fakte dhe të vërteta, që mundohet të kultivojë ideale, që nxitë mendimin kritik dhe origjinal, që thyen iluzionin dhe kultin e liderit të glorifikuar, që i reziston çdo forme të presionit, joshjes, shantazhit e korrupsionit dhe që nuk i frikësohet reagimeve dhe kundërshtimeve.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK