Zërat
Besnik Mustafaj
Besnik
Mustafaj

A ka ardhur koha për një kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut?

Zërat July 13, 2020 - 19:42

Këtë javë, më 15 korrik, në Maqedoninë e Veriut zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Midis shumë të veçantave të paharrueshme, që pati kjo fushatë, për nga domethënia do të veçoja njërën.

E kam fjalën për sloganin e Partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim”; Koha për një Kryeministër shqiptar. Nisur nga fakti bazik i përbërjes etnike të kësaj Republike, një objektiv i tillë duket praktikisht i pamundur. Edhe sikur të gjitha votat e shqiptarëve të mblidheshin pa asnjë firo në një dorë, ata nuk do të nxirrnin dot një shumicë në parlamentin e ardhshëm. A e ka patur parasysh këtë realitet udhëheqësia e BDI-së kur e shpalli këtë qëllim politik? Apo është thjesht një manipulim elektoral me emocionet e shqiptarëve, të cilët aspirojnë sinqerisht një afirmim të mëtejshëm të rolit të tyre shtetformueses në RMV? Duhet të kenë qenë të shumtë ata, të cilët, ashtu si unë, kanë çuar nëpër mend pyetje të tilla.

Drejtuesit e BDI, përfshirë këtu edhe vetë Kryetarin Ali Ahmeti, e kanë përdorur fushatën zgjedhore për të sqaruar konceptin e tyre të mishëruar në këtë slogan. Pavarësisht rezultatit, që do të dalë nga kutitë e votimit, këto shpjegime ishin të nevojshme për të fshirë disa dyshime të lidhura pikërisht me këtë slogan rreth përmbajtjes së programit si edhe të retorikës politike të vetë BDI-së si forcë politike. Këtu e kam fjalën posaçërisht për dyshimet e ndershme dhe jo ato me prapavijë dashakeqe ndaj partisë më të madhe të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Po ndalem shkurtimisht  te dy a tri nga dyshimet e mia.

Së pari është dyshimi se BDI e paska humbur sensin e realitetit. Ku do t’i gjente ajo votat për të dalë parti e parë, duke fituar kështu të drejtën kushtetuese të formimit të qeverisë sipas skemës klasike në demokraci? Asnjë aritmetikë nuk më vinte në ndihmë. Do të ishte një dëm shumë i madh e me pasoja afatgjata për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut sikur forca e tyre politike ende më përfaqësuese në institucione të humbte lidhjen me realitetin. Dëmi do të prekte motorin lëvizës të bashkësisë shqiptare në këtë shtet në rrugëtimin e tyre përpara. Gjatë kësaj fushate zgjedhore ne patëm mundësi të mësonim se udhëheqësia e BDI-së nuk mbështetej në ndonjë aritmetikë, por vetëm në logjikën politike, një logjikë kjo që buron nga përvoja e tyre në aksionin e gjatë politik. Më konkretisht, BDI ka gëzuar gjatë dekadës së fundit disa mandate si pjesë e koalicioneve qeverisëse, edhe me VMRO edhe me LSDM. Pa hyrë në histori, do thënë se çdo herë ajo ka zënë në pushtet hapësira më të mëdha nga ç‘do t’i takonin nëse ndarja bëhej artimetikisht.

Kjo është meritë e mënyrës si është negociuar ndarja e përgjegjësive. Herën e fundit, me LSDM, shqiptarët (BDI me vetëm 10 deputetë) kishin Kryetarin e Parlamentit, i cili, me kushtetutën e Republikës, mishëron instancën e dytë më të lartë shtetërore. Por, në marrëveshjen qeverisëse ka qenë edhe mbështetja e kandidatit për President i Republikës (LSDM), siç edhe ndodhi. Pa mbështetjen e BDI, sot RMV do të kishte një president VMRO. I përmendur fare shkurtimisht, ky fakt tregon se BDI ka një përvojë të çmuar si asnjë forcë tjetër politike shqiptare në negocimin e koalicioneve qeverisëse. Përvoja, e kuptuar dhe e përdorur drejt, është gjithmonë fuqi e madhe në aksionin politik të ditës. Pikërisht këtë përvojë ka patur parasysh udhëheqësia e BDI-së kur shpalli se është koha për një kryeministër shqiptar. Në këtë kuptim, unë vlerësoj se me një slogan të tillë, BDI shënon një hap të rëndësishëm përpara në pjekurinë e saj si forcë politike. Kjo nuk do të thotë paraprakisht se Kryeministri i ardhshëm i RMV do të jetë doemos shqiptar. Por do të thotë gjithsesi se po çelet një rrugë e re në kontributin e shqiptarëve për ta ndërtuar RMV si shtet demokratik, të barazisë substanciale etnike. Kjo ka rëndësi shumë të madhe për të ardhmen euroatlantike të këtij shteti.

Një dyshim tjetër, që zgjoi tek unë ky slogan, shprehej përmes pyetjes: Mos vallë BDI po shndërrohej në një parti nacionaliste? Është një dyshim, që ushqehet me lehtësi nga vetë origjina e saj. BDI është një forcë politike e lindur në përfundim të një lufte të përgjakshme me shumë elementë ndëretnikë. Prekja e kësaj partie nga nacionalizmi afro 20 vjet pas përfundimit të kësaj lufte me marrëveshjen e Ohrit do të kishte qenë një fatkeqësi për bashkësinë shqiptare të RMV si edhe për krejt vendin. Por jo. Ishte një dyshim i kotë. Gjithë fushata zgjedhore që zhvilloi edhe kësaj here BDI përshkohej nga një frymë e shëndetshme europiane për bashkëjetesën me etnitë e tjera, përfshirë këtu edhe shumicën maqedone, në një shtet që e kanë të përbashkët dhe së bashku, të gjithë, si qytetarë të lirë e të barabartë, duhet të ndërtojnë  të sotmen dhe të ardhmen.

Paraprakisht, pata edhe dyshimin se mos BDI, me një slogan të tillë, po shtyhej të ndërmerrte një luftë retorike kundër partive të tjera shqiptare në RMV, duke e thelluar më tej përçarjen e  bashkësisë shqiptare në këtë shtet. Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë vërtet mjaft të përçarë. Numri aq i madh i partive, e që vazhdojnë të shtohen, nuk është i përligjur, nuk tregon zbatim të demokracisë së përfaqësimit, por kryesisht luftë për pushtet brenda elitës së kësaj bashkësie. Një thellim i mëtejshëm i kësaj përçarjeje do të ishte vetëm i dëmshëm për të gjithë shqiptarët atje. Fryma përgjithësisht pozitiviste, që e përshkoi fushatën e BDI – së tregoi forcën dhe vizionin e saj. Nuk e di çfarë ka ndodhur prapa perdes, por në shfaqjen e saj publike nuk kam vënë re sulme ndaj simotrave shqiptare.

Madje, partitë dhe koalicionet shqiptare nuk janë shfaqur thuajse fare si shënjestër e BDI – së madje as në rastet, që nuk munguan, kur këto simotra e sulmonin jo dhe aq parimisht. Duke e ndjekur me vëmendje të posaçme, aq sa mund të ndiqet nga jashtë, fushatën e partive politike shqiptare në RMV, do të kisha thënë se kjo sjellje publike e BDI-së nuk tregonte injorim të konkurrenteve të tjera brenda bashkësisë. Personaliteti i zgjedhur për postin eventual të Kryeministrit, i cili nuk është pjesë e strukturave tëBDI-së as në të shkuarën e as sot, nxirrte në pah kuptimin e drejtë të Ali Ahmetit dhe bashkëpunëtorëve të tij lidhur me nevojën që Kryeministrin e mundshëm shqiptar ta shihnin njësoj si të tyre edhe këto parti dhe mbështetësit e tyre. Pra, ai ka synuar një bashkim të natyrshëm postelektoral të shqiptarëve, gjë që është më e lehtë kur kujtesa nuk është e ngarkuar me negativitet. Madje, nuk kam parë sulme as ndaj partisë politike shqiptare, e cila hyri në koalicion elektoral me LSDM e Zajevit. Ky fakt është për t’u vlerësuar si një nga shtyllat e mira të programit të BDI-së.

E thashë edhe më lart se nuk shoh ndonjë siguri që Kryeministri i ardhshëm i RMV do të jetë shqiptar, pavarësisht  nëse fitues andaj del VMRO apo LSDM. Por edhe me kaq, rruga që një ditë jo fort të largët të shohim atje një Kryeministër shqiptar, pa dyshim që është çelur. Kjo në vetvete përbën një fitore politike cilësore për shqiptarët, ama një fitore specifike dhe si e tillë shumë e rëndësishme. Sepse nuk është një fitore e bashkësisë shqiptare kundër bashkësive të tjera etnike. Është një fitore e shqiptarëve me vetveten në procesin e pjekurisë së tyre politike si kontribuues për lirinë dhe barazinë e mbarë qytetarëve europianë në RMV. /Panorama.al

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK