Zërat
KMDLNJ
KMDLNJ

Ambasador Heldt, keni abuzuar me lirinë e lëvizjes për qytetarët e Kosovës!

Zërat July 02, 2020 - 13:26

Pasi Gjermania e ka marrë presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian janë rritur pritjet dhe shpresat se qytetarët e Kosovës më në fund do të përfitojnë nga procesi i liberalizimit të vizave e që deri më tani padrejtësisht u ishte mohuar, duke e kushtëzuar me kërkesa që nuk janë kërkuar nga vendet e tjera të rajonit.

Thuajse qe dy vjet, sipas vlerësimit të ekspertëve, si dhe raportuesve nga BE-ja, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, por nuk ka përfituar, me arsyetime të sajuara, prapa të cilave ka qenë motivi kryesor: kushtëzimi me lëshime ose siç e thoni, fleksibilitet dhe kreativitet në këto bisedime me Serbinë, ku Kosova do të ndahej humbëse. Liberalizimin e kushtëzuat me një demarkacion shumë të dyshimtë me Malin e Zi dhe pasi i mbështetët politikanët për muri, në shumë raste, e ndoshta në të gjitha rastet vetë ju ndërkombëtarët i keni formuar dhunshëm koalicionet qeverisëse, duke e dhunuar votën e lirë, me premtim të liberalizimit të vizave i detyruat ta votojnë Demarkacionin për ta kthyer pastaj procesin në pikën zero.

Pra, këta politikanë që ju i quani të zhurmshëm janë prodhim vendor, por paketimi dhe tregu politik është bërë nga ju ndërkombëtarët, që i keni përdorur dhe kryesisht keqpërdorur për aq kohë sa keni pasur nevojë për t’i hedhur pastaj poshtë si rriska limoni të stërshtrydhura.

KMDLNJ-ja jua përkujton se këta politikanë të zhurmshëm nuk kanë pasur aspak problem për viza, për faktin se edhe në Ambasadën ku jeni ambasador me procedurë të përshpejtuar janë pajisur me viza afatgjate për vete dhe për familjarët në kohën që ata me sëmundje të rëndë kanë vdekur duke pritur një termin për aplikim për vizë. Sikur edhe studentët, ata që janë marrë me biznes, si dhe të tjerët. Qytetarët e Kosovës, sa i përket lirisë së lëvizjes, si njëra ndër vlerat kryesore mbi të cilat është ndërtuar dhe funksionon BE-ja, janë më të diskriminuarit, kurse politikanët nuk e kanë ndier aspak këtë keqtrajtim që ua keni bërë qytetarëve të Kosovës.

Aktualizimin e premtimit për liberalizim të vizave po e bëni në kohën kur po insistoni në një marrëveshje të ngutshme me Serbinë dhe kur po vlerësoni se e keni ekipin kosovar të përshtatshëm ndonëse e dini se kanë mungesë kapaciteti dhe kredibiliteti për bisedime që e përcaktojnë të ardhmen e Kosovës kur në të njëjtën kohë, duke zbatuar standarde të dyfishta dhe drejtësi selektive, ku përkatësia etnike është përcaktuese për caktimin e pafajësisë, po bëni përpjekje të eliminoni politikanët e zhurmshëm për të liruar dhe për të krijuar hapësirë për silent politikanët dhe yesman politikë. Duhet ta keni të qartë se nuk mund të merret asnjë vendim për Kosovën pa krahun e luftës dhe duke e eliminuar përmes gjykimit dhe dënimit ish-UÇK-në sikur që duke lënë në opozitë 54 deputetë shqiptarë. Nuk mund të vendosin për Kosovën ata që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe që botërisht deklarojnë se presidenti i tyre është Aleksandar Vuçiqi.

Prandaj, krejt në fund, ju dhe ambasadorët e tjerë i detyroheni një falje publike popullit të Kosovës, që i keni trajtuar si qytetarë të rendit të dytë, duke i krahasuar me vendet e rajonit, ndonëse në shumë fusha aspak nuk janë më të mirë se ne. Sa u përket politikanëve të zhurmshëm, nuk jeni as ju krejtësisht të pastër, si nëna e Cezarit, sa keni pasur nevojë për ta ishin të mirë, tash u bënë të zhurmshëm.

Të drejtat e njeriut janë universale, kurse ju dhe kolegët tuaj në mënyrë flagrante i keni shkelur këto të drejta, duke u udhëhequr nga oportuniteti dhe oportunizmi politik.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK