Infektuar: 5118
Shëruar: 2370
Vdekur: 108
Zërat
Leonora Aliu
Leonora
Aliu

Nëna ime depresive (I)

Zërat June 26, 2020 - 15:11

Një dromcë përjetimi si pikënisje e shpresë që të thyhet heshtja.

Ora tregonte gati mesnatën. Ishin ditët e para të shkurtit të vitit 2018. Kishte kohë që pandërprerë nga nëna e dëgjoja frazën: "Jam lodhur". Sidomos ato ditë shkurti, këto dy fjalë ishin të vetmet që i dëgjoja nga nëna ime.

Koka e saj kishte zënë vend në prehrin tim teksa të dyja qëndronim të tmerruara në ulëset e prapme të veturës. Babai voziste pa shumë vëmendje në drejtim të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të Vushtrrisë. Sikurse ne të dyja, edhe ai dukej i tmerruar.

“Jam lodhur! Jam lodhur!”

Vazhdonte të treve të na shoqëronte kjo litani. Ndonëse për herë të parë këto fjalë prej gojës së saj i kisha dëgjuar më 2014, vite më vonë kur ato u shpeshtuan më dukeshin si litani, si recitime të lodhshme.

Atëbotë shumë pak kuptonim. Atëbotë shumë pak dinim të gjykonim.

Arritëm në emergjencë!

“Çfarë ka ndodhur?” - e pyeti babanë një mjek i njohur i familjes.

“Diazepam? Sa shumë?” – pyeti prapë mjeku.

“Nuk e dimë! Nuk kemi qenë në shtëpi, por në pako nuk ka mbetur as edhe një” - iu përgjigj babai.

Nëna mori trajtimin e nevojshëm dhe iu shkrua një udhëzim. U nisëm për në Klinikën e Neuropsikiatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Nana po pranohej për trajtim shëndetësor.

Kjo nuk ishte dera e parë e një klinike të cilën po e hapnim për të kërkuar ndihmë, por ishte dera e parë e një klinike publike. Para kësaj here i kishim vizituar katër neuropsikiatër me nam në tentativë për të gjetur ilaçin për nënën.

Gjendjen e saj as se njihnim e as se kuptonim.

Që nga viti 2014 kishim realizuar disa vizita mjekësore për nënën. Diagnozat ishin të diskutueshme. Ende nuk e kishim gjetur adresën e duhur për trajtimin e saj. Një farmaci e vockël ishte krijuar në një cep të kuzhinës së shtëpisë sonë. Nëna vazhdonte të ndjehej e lodhur e pa dëshirë për të luftuar tutje.

Sidoqoftë, kësaj radhe ishte ndryshe dhe kishte ardhur koha që të thyhej heshtja. Duhej të kërkohej ndihmë. Të gjendej një zgjidhje sepse kohën nuk e kishim më aleat.

Ajo përveç vetes po na përfshinte të gjthëve brenda gjendjes e saj.

Brenda depresionit!

Që kur isha fëmijë e mbaj mend nënën teksa ankohej se nuk ndihej mirë. Gjente lloj-lloj arsyesh për të shkuar te mjeku. Kishte kriza të shpeshta emocionale, disponim të luhatshëm e dëshira të ndryshme të pa artikuluara.

Por, situata u rëndua më 2014. Funksionet motorike të nënës nisën të ngadalësoheshin. Ishte 45 vjeçare dhe secilën herë më dukej më e lodhur. Nuk kishte oreks dhe kishte filluar të humbte peshë.

Mëngjeset sa vinin e rëndoheshin. Dëshira për të pirë kafe turke bashkë në mëngjes para se të shkoja në punë kishte filluar të venitej. Ky ishte ritual i shenjtë i joni. Ky ritual dalëngadalë u shua.

Asaj kishte nisur t’i humbiste interesimi edhe për të vizituar familjarët me të cilët ishte shumë e lidhur. Nuk kishte kurrfarë dëshire të dilte nga shtëpia.

Nëna nuk punonte dhe ishte amvise me nam të mirë. Deri në detaje përkujdesej për gjithçka e gjithkë. Përveç se për veten. Raportin me tjerët e kishte pothuajse altruist. Raportin me veten e kishte të pavëmendshëm e pa shumë kujdes. Paradoksalisht këto raporte të nënës nuk vëreheshin nga ne të tjerët.

Në vitin 2016 ajo do të mbetej për plot 6 muaj e shtrirë në shtrat. Ushqimi, uji e ilaçet do të gjenin vendin afër shtratit të saj. Këto dy të parat gati pak ose fare të prekura.

Çdoherë i duhej ndihmë që të ushqehej sado pak që të forcohej e mbahej në jetë. I duhej ndihmë edhe për të kryer nevojat fiziologjike.

Ilaçet që përdorte ishin kryesisht antidepresant të cilat ia vështirësonin funksionimin e rregullt. Duhej një sakrificë e kësisoj të në mënyrë që të parandalohej ndonjë veprim që pakthyeshëm do ta dëmtonte.

Ilaçet e kishin bërë të veten duke e shndërruar për një kohë në një qenie të mpirë. Ajo ishte vetëm fizikisht me ne. Mendja e saj kishte shtegtuar, siç thotë ajo sot në “disa re të zeza e pa fije drite”.

Të flitej me të për ndjenja ishte e pamundur. Thjesht dukej se nuk kishte kurrfarë ndjenje.

Në raste të tilla e pyesja shpesh veten se mos vallë skadojnë edhe ndjenjat sikurse produktet e konsumit? Me shumë gjasë nëna i dorëzoi të sajat duke mbetur pa asnjë.

Por ky nuk ishte problemi i vetëm. Sëmundja ishte problemi kryesor.

Duket sikur rregull i pashkruar në shoqëritë si kjo e jona me pabarazi gjinore që gruaja e shtëpisë të jetë në gjendje gatishmërie për nevoja të ndryshme të tjerëve, që nga gatimi e kujdesi për fëmijët, e deri tek kërkesat më të imta të familjarëve.

Ky rregull pak a shumë ka qenë i njëjti edhe për nënën. Ajo duhej të ishte grua vigjilente.

Kur u martua me babanë ajo ishte 19 vjeçare dhe pritej prej saj të lindte fëmijë. Unë linda pas dy viteve martesë dhe një shtatzënie të dështuar, dhe isha fëmija i parë. Lindja ime konsiderohej e vonshme sipas kutit të shumë familjarëve, kujton nëna. “Do me mbet pa fëmijë” – është kukamja më e shpeshtë që kujton nëna.

Kur ajo ishte vajzë e re, nga rrethi i familjarëve të saj shkolla konsiderohej si vend që frekuentohej nga të “përdalat”. Për të mos mjaftuar këto, ajo sot kujton edhe se si klerët fetarë predikonin martesat e hershme dhe riprodhimin e grave.

Nëse i vështrojmë rrethat që shpijnë në depresion e të cilat i rëndisin ekspertët shëndetësor, pa e zgjatur mund të konstatoj se nëna, sikurse shumë gra kosovare, i kishte të gjitha rrethanat e mundshme.

998 tentim-vetëvrasje janë raportuar në Kosovë në pesë vitet e fundit ndërsa numrat anojnë më tepër nga gratë. Statistika të sakta mbi atë se sa persona në Kosovë vuajnë prej depreisonit nuk ka. Fusha e shëndetit mendor mbetet e neglizhuar sidomos sa i përket aspektit të hulumtimeve.

Në nivel global, 800 mijë vetëvrasje kryhen kryesisht nga mosha 15 – 29 vjeç çdo vit, gjersa 264 milionë njerëz vuajnë nga sëmundja e depresionit në tërë globin.

Nëna ime doli të ishte depresive.

Duke jetuar në një shoqëri paragjykuese ndaj problemeve me shëndetin mendor, shpesh herë ajo ishte më tepër viktimë e stigmës dhe mënyrës së si të tjerët u sollën me të, se sa viktimë e sëmundjes së saj.

Lufta për mbajtjen e atij roli të imponuar si grua vigjilente, paaftësia e familjarëve dhe tjerëve që përmbajtësisht t’i ndihmonin si dhe mungesa e diagnozës e kishin rënduar edhe më shumë gjendjen e saj.

Një familje e ngushtë 6 anëtarëshe (ndër ta një fëmijë 7 vjeçar) që po kalonte në faza të ndryshme përballej me rëndesën e papërballueshme të kësaj situate pa fill e pa fund.

Gjendja e nënës zgjati afërsisht 6 vjet, me plot mundime e vështirësi. Ishte insistimi i saj vitin e kaluar që t’i ndaja këto rrëfime me shpresë që t’i ndihmojmë të tjerëve.

Sidoqoftë, ende nuk kemi arritur gjer te viti 2019 kur gjithçka ndryshoj. Për të arritur aty duhet të ndajë shumë e shumë përjetime.

Ishin lutjet e nënës që më nxitën të nis projektin “Ditarët e Depresionit” së bashku me fotografin dhe mikun tim Ferdi Limanin. Një projekt, një tentativë për të thyer heshtjen përmes rrëfimeve personale nga njerëzit që jetojnë të cilët përballen apo janë përballur me depresionin.

”Ditarët e Depresionit” synon ta krijojë një hapësire për të folur lirshëm mbi përjetimet njerëzore dhe pasojat e tyre te individin e çdokush përreth, pa harruar të adresojë edhe problemet institucionale me të cilat përballen njerëzit me çrregullim depresiv.

Ky shkrim me titull "Nëna ime depresive” i ndarë në tre vëllime, si pjesë e projektit “Ditarët e Depresionit” nuk është asgjë tjetër veçse një dromcë përjetimi sa personal, që ka për synim ta thyej heshtjen.

Ky shkrim është ftesë për të gjithë ju që besoni në barazi e mbrojtje të viktimave të çrregullimeve mendore, në mënyrë që të na bashkoheni në thirrjen tone që ta thyejmë heshtjen, ta luftojmë stigmën dhe të avokojmë për ndryshimet e nevojshme.

Ky është një rrëfim mbi shpresën.

Pjesa e dytë publikohet nesër.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e Leonora Aliut dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it dhe AGK-së.

SQARIM: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve, e jo domosdoshmërish të NGB “Zëri” sh.p.k.