Zërat
David L. Phillips
David
L.
Phillips

Kërkohet: Bashkëpunimi BE-SHBA për Kosovën

Zërat June 22, 2020 - 13:46

“SHBA-ja lufton; OKB-ja negocion dhe BE-ja paguan”, sipas një zyrtari të BE-së.

Ndarja ndërkombëtare e barrës ka funksionuar në Kosovë derisa administrata e Trumpit njoftoi se do t’i sjellë presidentin e Kosovës dhe të Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për bisedime më 27 qershor.

Njoftimi e la në terr informativ Miroslav Lajçakun, të dërguarin special të BE-së për Ballkanin Perëndimor. Iniciativa e SHBA-së jo vetëm që ka shanse të vogla për sukses, por rrezikon edhe dëmtimin e marrëdhënieve transatlantike.

Që nga aksioni i NATO-s marsin e vitit 1999 Kosova ka qenë laborator për bashkëpunimin ndërkombëtar.

“Historia po na shikon”, u kishte thënë sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ministrave të jashtëm evropianë në një takim në Londër. “Pikërisht në këtë dhomë paraardhësit tanë u vonuan, teksa Bosnja digjej dhe historia nuk do të jetë e këndshme ndaj nesh nëse e bëjmë sërish të njëjtën”.

Nën drejtimin e Washingtonit Këshilli Veriatlantik votoi unanimisht për të autorizuar aksionin ushtarak për të parandaluar spastrimin etnik të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Qershorin e vitit 1999, pas luftës, Këshilli i Sigurimit i OKB-së votoi me 14 - 0 miratimin e Rezolutës 1244, e cila themeloi një prezencë ndërkombëtare civile dhe të sigurisë për të lehtësuar tranzicionin politik të Kosovës.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së bëri thirrje për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008-n. Me mbështetjen e SHBA-së bisedimet e lehtësuara nga BE-ja çuan në 33 marrëveshje.

Megjithatë, zbatimi i tyre lë për të dëshiruar.

Ndonëse Kosova është pranuar nga 111 shtete, Serbia nisi një kampanjë sistematike dhe tinëzare për të bllokuar Kosovën për njohje të mëtejme globale.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, hodhi një propozim për të zgjidhur mosmarrëveshjen me Serbinë duke i korrigjuar kufijtë, duke i turbulluar edhe më tej ujërat.

SHBA-ja ka qenë vazhdimisht mbështetës i fuqishëm i pavarësisë, sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës.

Megjithatë, administrata e Trumpit deklaroi mbështetjen e saj për çfarëdo marrëveshjeje që do të arrihej mes Kosovës dhe Serbisë – edhe nëse kjo do të përfshinte ndarjen.

Cicërima e Grenellit

Më 16 qershor Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, ishte në aeroportin e Cyrihut në rrugë për në Kosovë kur pranoi një cicërimë nga këshilltari i Trumpit, Richard Grenell, duke njoftuar se Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Ndonëse Grenelli tha se bisedimet do të përqendrohen në çështje ekonomike, shumë dyshojnë se agjenda e vërtetë është ndarja.

Ndërsa fillimisht e mbajti Lajçakun në errësirë, Grenelli me vonesë zbuloi se Thaçi dhe Vuçiqi do të takoheshin në Paris në mes të korrikut.

Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelaria gjermane, Angela Merkel, planifikohet të marrin pjesë.

Grenelli ka një fokus të veçantë.

Ai dëshiron një marrëveshje për të lëmuar kredencialet e Trumpit për politikë të jashtme para zgjedhjeve amerikane nëntorin e vitit 2020.

Qasja e tij është e gabuar dhe dritëshkurtër. Ndarja rrezikon dhunë të re. Do të rezultonte në shkëmbim popullate që do të destabilizonte Kosovën e edhe shtete tjera fragjile multietnike në Ballkanin Perëndimor.

Gjithmonë kam kërkuar angazhim të fuqishëm dhe konstruktiv të SHBA-së në Ballkanin Perëndimor. Një ndërmjetësim me parime i SHBA-së mund të lehtësojë një marrëveshje historike mes Kosovës dhe Serbisë, i bazuar në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia përbrenda kufijve ekzistues.

Njohja reciproke do të ishte një situatë ku do të fitonin të dyja palët e që do të rezultonte me anëtarësim eventual në BE për të dyja vendet.

Pjesëmarrja e SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi është qenësore për arritjen e një marrëveshjeje.

Presidenti Marty Ahtisaari e caktoi formatin e Vjenës gjatë negociatave të sponsorizuara nga OKB-ja për pavarësinë e Kosovës.

SHBA-ja, Evropa dhe hisedarët tjerë ndërkombëtarë ende ndajnë përgjegjësinë për arritjen e një marrëveshjeje në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe do të duhej të punonin bashkë drejt këtij fundi.

Një marrëveshje kërkon bashkëpunim të ngushtë SHBA-BE – diplomatikisht, ekonomikisht dhe në çështje të sigurisë. SHBA-ja ka ndikim dhe mund t’u bëjë presion palëve. BE-ja mund të ofrojë një dividend të paqes për t’i stimuluar ato dhe Kosova do të bëhet anëtare e OKB-së.

Shanset për një marrëveshje janë zbehur që kur Grenelli e hodhi Lajçakun nën autobus.

Thaçi dhe Grenelli duket qartë se janë në të njëjtën faqe. Thaçi mbështet një rol të zgjeruar të administratës “Trump”. “Kosova gjithmonë i ka besuar SHBA-së dhe ka dalë fituese”, thotë Thaçi. “Kësaj radhe SHBA-ja ka marrë rolin udhëheqës, gjë të cilën ne e mirëpresim”.

Më mirë të mos ketë marrëveshje fare sesa një marrëveshje të keqe.

Ndarja do të hapte një varg problemesh, duke përfshirë transferime të popullatave dhe mundësinë e rikthimit të dhunës etnike.

Për më tepër, ndarja paraqet realizimin e projektit të Milosheviqit për të krijuar shtete të pastra etnikisht në Ballkan. Do t’i mundësonte Serbisë të arrinte në tavolinën e negociatave atë që nuk mundi ta arrinte në fushëbetejë.

Në të ’90-at Milosheviqi lansoi virusin e nacionalizmit etnik, gjë që çoi në rënien e Jugosllavisë, në vdekjen e më shumë se 100 mijë njerëzve dhe në zhvendosjen e miliona tjerëve. Sot Evropa përballet me një valë të dytë.

Trumpi mund të ketë afinitet me autokratë të fortë. Megjithatë, as interesat e SHBA-së e as ato të Evropës nuk arrihen përmes intolerancës që mund të përkeqësojnë një avari të mëtejme në bashkëpunimin transatlantik.

David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtim të Paqes dhe për të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studime mbi të Drejtat e Njeriut në universitetin “Columbia”. Ai ka shërbyer si këshilltar i lartë i Departamentit të Shtetit nën presidentët Clinton, Bush e Obama. Është autor i librit “Liberating Kosovo: Coercive Diplomacy and US Intervention”.

Shkrimi është publikuar në "EuObserver".

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK