Zërat
Pranvera Ejupi-Hajzeraj
Pranvera
Ejupi-Hajzeraj

A i harroi shteti sportin dhe rininë?

Zërat May 14, 2020 - 10:59

Kur të gjithë kanë kthyer kokën nga pandemia, nga politika dhe nga sfida e ardhshme - kriza ekonomike në vend, ka mbetur e anashkaluar nga çdo trajtim pjesa më vitale e qytetarëve të vendit - rinia e Kosovës.

Masat e marra për luftimin e pandemisë, mbyllja dhe kufizimi i aktivitetit ekonomik na kanë shkaktuar krizën ekonomike në vend, që po e ndajmë me tërë botën. Kosova po përballet edhe me krizën e saj politike, me qeveri në detyrë me kompetenca të kufizuara.

Andaj, është koha të mendohet për një strategji dalëse, që synon të menaxhojë situatën “postcorona”, të sanojë dëmet e përgjithshme ekonomike, por edhe jetën shoqërore, këto të shkaktuara nga kjo pandemi.

Duke analizuar situatën para së cilës gjendemi, sikurse edhe shumë shtete të rajonit e të Evropës, është mirë që kemi filluar me masat lehtësuese për ta kthyer gradualisht në gjendje normale jetën e qytetarëve dhe stabilizimin ekonomik të vendit.

Koha pas pandemisë do të jetë shumë sfiduese për të gjitha kategoritë e qytetarëve të vendit, si në aspektin ekonomik dhe shoqëror e me këtë sfidë veçanërisht do të ballafaqohen të rinjtë e këtij vendi.

Të rinjtë janë atakuar në aspektin ekonomik, si kategoria ku papunësia është më e shprehur. Kriza në të cilën kemi hyrë do ta rëndojë edhe më shumë situatën e tyre në tregun e punës. Masat e distancimit fizik kanë mbyllur të gjitha aktivitetet sportive dhe kulturore, ku pjesëmarrës janë kryesisht të rinjtë.

Mbi dy muaj po mungon aktiviteti në komunitet dhe momentet e mrekullueshme që sporti nëpër klube na ofron. U anuluan të gjitha kampionatet sportive, garat e ndryshme, stërvitjet, pjesë shumë të rëndësishme, që përmbushin veçanërisht jetën e të rinjve. E të njëjtën situatë e kemi edhe me aktivitetet kulturore, që si duket do të mundësohen vetëm në fazën e fundit të heqjes së masave kufizuese.

E gjithë kjo situatë duhet të na mobilizojë që të gjejmë format për të siguruar që pasojat e pandemisë të mos ndikojnë në mbylljen e klubeve sportive dhe aktiviteteve të tyre. Ta ruajmë shpirtin sportiv - garues te të rinjtë tanë, që me rezultatet e tyre sportive na kanë bërë krenarë dhe kanë qenë ambasadorët më të mirë të këtij vendi.

Dhe duhet filluar:

  • Duke analizuar situatën, për të identifikuar masat mbështetëse të nevojshme. Në koordinim me institucionet përkatëse të krijohet një fond, që do të përdoret menjëherë. “Fondi për sport – anti-COVID” do t’i mbështesë klubet sportive në nevojë.
     
  • Klubet duhet të mbështeten që të mos rrezikohet mbyllja e tyre dhe talentet e rinj të mos shuhen.
     
  • Rëndësi të veçantë kanë sportistet, duhen t’u ofrohen testet për virusin Korona, që të kenë mundësi të përgatiten për garat, të cilat planifikohen të mbahen.
     
  • Organizatat rinore duhet të përkrahen me programe edukative, përmes edukimit joformal.
     
  • Ndihma nga “Fondi për sport - rini anti-COVID” do të kishte për qëllim të plotësojë masa të tjera plotësuese, përveç të atyre që janë miratuar tashmë nga Qeveria.
  • Edhe nëse këto masa nuk janë e mjaftueshme, duhet të punojnë për një fond shtesë të urgjencës. "Ne nuk do të braktisim vullnetarizmin".
  • Duke pas parasysh këtë është ndarë një numër i madh i ndihmave për luftën anti-COVID nga Bashkimi Evropian, nga Komiteti Olimpik, nga federatat evropiane dhe botërore. Duhet të aktivizohen të gjithë mekanizmat për të marrë ndihmat dhe mbështetje nga këto institucione.
  • Mbështetja dhe investimi në grup-mosha të reja për të siguruar ruajtjen e shëndetit dhe të shprehive të shëndosha në nivel të duhur, e sidomos pas kësaj kohe shumë sfiduese.
  • Izolimi për një kohë të gjatë ka ndikuar edhe në gjendjen psikologjike të të rinjve, që janë më të brishtë ndaj situatave si kjo, që e përjetuam në luftimin me virusin COVID-19. Një përkrahje dhe punë me të rinjtë është më se e domosdoshme për t’ua lehtësuar tejkalimin e stresit dhe kthimin në normalitet sa ma parë.

Është një kohë e vështirë për të gjithë, veçanërisht për ata që e duan sportin, që janë sportistë me pasion në klube amatore, por edhe profesionistët.

Duhet t’u japim përkrahje të veçantë atyre që kanë shkëlqyer në arenat ndërkombëtare dhe prej të cilëve pritet që në të ardhmen të sjellin medalje për vendin.

Askush nuk e di saktë se kur mund të kthehemi plotësisht në normalitet. Javët e ardhshme do t’i kemi më të qartë hapat që do të ndërmerren për lehtësimin e aktiviteteve sportive dhe fazat nëpër të cilat do të kalojnë sportet e ndryshme deri në normalitet. Fillimi i lehtësimit të aktiviteteve sportive do të shpërfaqë edhe pasojat me të cilat do të ballafaqohet sporti kosovar nga masat e ndërmarra në luftë me virusin COVID-19, që detyroi kufizimin e të gjitha aktiviteteve sportive në vend, por edhe në botë.

Koha është për bashkëpunim dhe solidaritet, së bashku mund t’ia dalim!

Pranvera Ejupi-Hajzeraj

Federata Evropiane e Atletikës

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK