Infektuar: 1110
Shëruar: 843
Vdekur: 30
Zërat
Arta Berisha & Serbeze Haxhiaj
Arta
Berisha
&
Serbeze
Haxhiaj

Marrëveshja që u harrua

Zërat May 11, 2020 - 14:28

Që nga viti 2016, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe bie ndesh me Kushtetutën e vendit, krijimi i këtij organi është zhvendosur poshtë në agjendën e dialogut. Asociacioni u zëvendësua me sinjalet e ideve për ndryshim kufijsh

Dialogu politik në mes të Kosovës dhe Serbisë ka ndërruar fytyrë e trajtë për disa herë me radhë, që nga fillimi i tij në vitin 2011, pas rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Krahas nivelit të përfaqësimit që në secilin vit vijoi duke u ngjitur sa më lart në zyrat shtetërore, temat e shtruara për diskutim i vendosën në harresë të tjera tema për të cilat ekzistojnë marrëveshje të firmosura nga palët. E tillë ishte ajo për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, që buron nga marrëveshja e parë e parimeve që rregullon normalizimin e marrëdhënieve, e arritur me 19 prill të vitin 2013.

Burime zyrtare në kushte anonimiteti nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, përgjegjëse për draftimin e statutit të Asociacionit, shpjegojnë se në katër vjetët e fundit ka pasur përpjekje për krijimin e grupeve punuese, por secila prej tyre ka dështuar. Në disa raste për shkak të ndërrimit të shpeshtë të pushteteve në Kosovë e në Serbi, e në raste të tjera për shkak se palët nuk janë pajtuar me përmbajtjen e marrëveshjes.

Presidentja e Kosovës në vitin 2015 e referoi marrëveshjen në Gjykatën Kushtetuese për ta vlerësuar nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Në dhjetor të vitit 2016 Gjykata Kushtetuese zbuloi se shumë pika të marrëveshjes nuk janë tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës. Gjykata po kështu theksoi se statuti i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe duhet të draftohet në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“Parimet e elabourara në marrëveshje nuk janë tërësisht në përputhshmëri me frymën kushtetuese, me Nenin 3 – barazia para ligjit dhe me kapitullin 3 të Kushtetutës kur bëhet fjalë për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”, thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Burimet bëjnë të ditur se, në vitin 2018, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër dhe Hashim Thaçi, president i Kosovës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese riaktivizuan një grup punues përgjegjës për draftimin e statutit të Asociacionit. “Por, përveç disa takimeve dhe disa njoftimeve në adresë të kryeministrit, që atëherë veprime shtesë nuk janë kryer”.

Disa përpjekje të tjera janë bërë në vitin 2019, por për shkak të zhvillimeve politike në Kosovë dhe në Serbi progresi nuk ka qenë afër për t’u arritur.

Zyrtarë të Listës Serbe në Kosovë nuk kanë pranuar të flasin për fatin ose për të ardhmen e Asociacionit, që si marrëveshje do t’u jepte serbëve të drejta në rregullimin e jetës sociale, ekonomike e politike në komunat me shumicë serbe. Sidoqoftë, balancimi në mes të kritereve të caktuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe interesave të përfaqësuesve të komunitetit serb duket se ka qenë sfida kryesore për zbatimin e marrëveshjes.

“Përfaqësuesit e komunitetit serb nuk pajtohen që Asociacioni të jetë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili ngrit shqetësime për mundësinë që Asociacioni të formohet si strukturë paralele”, thonë burimet institucionale.

Dastid Pallaska, ekspert i së drejtës kushtetuese, i cili – sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese, ka shërbyer si ekspert i jashtëm në rastin që ndërlidhet me Asociacionin - konsideron se marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe po e bllokon Serbia.

“Serbia nuk ka interesim që të themelojë këtë asociacion në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka zhveshur këtë asociacion nga të gjitha elementet kushtetuese”, ka thënë Pallaska për “Zërin”.

Pallaska kujton se megjithatë palët janë pajtuar shprehimisht që statuti i Asociacionit të shqyrtohet dhe të aprovohet nga Gjykata Kushtetuese, rrjedhimisht sipas tij aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është në pajtim të plotë me marrëveshjen Kosovë - Serbi për këtë çështje dhe nuk mund të keqpërdoret nga Serbia si pretendim se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese përmbys ose cenon marrëveshjen e arritur.

Ndërsa Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, tashmë në detyrë, nuk ka marrë asnjë veprim në drejtim të hartimit të statutit të Asociacionit si parakusht për krijimin e këtij mekanizmi. Kurti ka paralajmëruar se do ta dërgojë këtë marrëveshje në Komisionin e Venedikut.

“Jam i bindur se ajo cenon të drejtat elementare të njeriut duke sulmuar barazinë e qytetarëve të Republikës”, ka thënë Kurti në një intervistë për “RTV Dukagjinin”.

Sipas kryeministrit në detyrë, Serbia nuk e dëshiron këtë marrëveshje sepse tani është në kërkim të marrëveshjes ku përfshihet shkëmbimi territorial.

“Deputetët e partisë së Vuçiqit po e kërkojnë ‘Zajednicën’ për komunat në jug të Ibrit, ndërsa veriun duan ta marrin”, ka shtuar ai.

Nga ana tjetër, Edita Tahiri, ish-kryenegociatore, beson se Asociacioni nuk ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Tre muaj kemi diskutuar vetëm për fjalën ‘ligjet e kushtetutës’”, ka zbuluar ish-kryenegociatorja, duke shtuar se vendimi i Gjykatës thotë se Asociacioni nuk është në pajtim të plotë me frymën e Kushtetutës, pra nuk thotë nuk është në pajtim me Kushtetutën.

“Dy muaj më herët kishin filluar bisedimet për ndryshim kufijsh. Kisha sinjale për takime sekrete për takimet Thaçi, Rama e Vuçiq”, thotë Tahiri për “Zërin”.

Ish-kryenegociatorja e Kosovës, Edita Tahiri, thotë se në 33 marrëveshjet e arritura u bë integrimi i veriut të Kosovës.

“Në dhjetor 2016 u mblodhëm në Ambasadën Amerikane për të filluar zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, atë mbrëmje u vu muri në Mitrovicë”, ka theksuar Tahiri.

Ajo shton se “kuptoi lojërat që Edi Rama solli nga Beogradi mesazhin e ndryshimit të kufijve. Ata u bënë tre tashmë në këtë lojë: Rama, Thaçi dhe Vuçiqi”.

Tahiri përmend se derisa ajo po negocionte presidenti Thaçi, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Alleksandar Vuçiq ishin takuar për të biseduar për kufij. Sipas saj, Asociacioni nuk u zbatua sepse doli në skenë linja e ndryshimit të kufijve dhe thotë se “unë dhe aleatët tanë deshëm të pengojmë ndryshimin e kufijve”.

“Derisa unë po ua shpjegoja zyrtarëve evropianë se nëse preken kufijtë do të ketë luftë, ndërkohë po merrja sinjale për takime sekrete Thaçi - Vuçiq. Pas nëntorit 2016, Serbia tregoi se e braktisi këtë dialog dhe po provon gjeopolitikën dhe po do të kalojë te territoret. Pati orkestrime, siç ishte treni, ose veprime tjera për të thënë se ky dialog nuk pati efekt dhe tani të fillojmë drejt kufijve”, thotë Tahiri.

Ky artikull është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, BIRN-it ose AGK-së.

SQARIM: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve, e jo domosdoshmërish të NGB “Zëri” sh.p.k.