Zërat
Genc Xërxa
Genc
Xërxa

Neroni dhe pandemia në Kosovë

Zërat April 13, 2020 - 16:51

Nëse shikojmë nga aspekti historik i Neronit, perandorit romak i cili gjatë sundimit të tij përpos që ishte kundërshtar i madh i besimit krishterë dhe përndjekësi i tyre, Neroni supozohet se dogji vetë Romën duke qëndruar në krye të tempullit të tij, si një vrojtues pasionant i djegies së qytetit. Me ditë të tëra thuhet se kishte përcjellur tërë ngjarjen indiferent, duke lozur me lyrën e tij. Piromani, Neroni si shkaktarë i ngjarjes tragjike, më vonë u hodhi fajin krishterëve dhe ekzekutoi një numër të madh të ndjekësve të Krishtit, si denim i zjarrëvëniesë.

Tani gati dy mijë vjet, në një kohë të një makthi, një mortje e cila jo vetëm po gllabëron Kosovën me të infektuarit e fundit nga ky virus fantazmë, e për një pjesë të popullatës edhe vrasës, edhe ne kemi po ashtu Neronin tonë në njëfarë forme ku po dëshiron flakë t’i vë vendit. Piromani politik në këtë kohë pandemie me çdo kusht përpos mortjës, dëshiron të merret edhe me zjarrin politik dhe vë flakën të gjithëve që mendojne ndryshe nga ai, me ndihmën e mekanizmave që i ka në dorë dhe që e kontrollojnë shtetin, e që s’fundi po frigohet se mos po këta mekanizma po i rrëshqasin nga duart. Është kryetari i vendit që luan me zjarr në këto kohë të liga të vendit tonë. Por në njëfarë forme nuk duhet krejtësisht shfajësuar edhe oponentët tjerë politik që po e ndihmojnë këtë zjarrëvënie të vendit. Kanë mbetur vetëm që të gjinden “fajtorët” nëse shkrepjet e para nxitëse do marrin flakë.

Kryetari i vendit përpos që e inicoi mocionin me anën e “dorashkave të veta” nuk zbrapset aspak tani në këto kohëra kur mortja po arrin infektimin e më shumë se 370 personave. Kryetari po ka kohe t’i sabotoj institucionet të cilat nuk i ka ndër pushtetin e vet absolut apo vegël siç i kishte pasur me vite. Ajo që nuk po i nënshtrohet deri sot është qeveria e dal nga vota e popullit, e cila dëshiron të dal nga zgjebja e dikurshme pushtetare e kryetarit dhe me një kokëfortësi politike e sfidon autoritetin e kryetarit i cili është mësuar të gjithë t’i nënshtroi dhe deri sot askush nuk ka arritur t’i rrezistoj sulmeve të tij politike. A po bëhet kryetari, Neroni jonë, i cili me çdo kusht dëshiron të ia vie zjarrin vendit në aspektin politik, duke e shtyer në një qorrsokak të cilin asnjë vend normal Evropian nuk është duke e përkrahur. As SHBA-ja nuk është për një gjendje e cila do të vështirësoj luftimin e koronavirusit apo krijimin e vakumit institucional në krijimin e një qeverie të brishtë e të re, jo-legjitime pranë vendimëmarrjeve të rëndësishme e duke anashkaluar vullnetin e votës së sovranit. Një kuazi-qeveri e cila më shumë do i shkonte për shtati vetë kryetarit se sa vendit apo kontratës së sovranit që e kishte bërë me fituesit. Kjo prishje e kontratës pa miratimin e vullnetit të votuesit domosdo do duhej t’i shpie prapë te sovrani, të jep verdiktin e tij në lidhje me pushtetet e ardhshme. Dalja e shpeshtë në zgjidhje, kontrabandimi i vullnetit politik të sovranit, kthimi në gjendjen e mëparshme të pashpresë, vetëm sa e bënë Neronin më të fuqishëm dhe zjarri i tij do lërë pasoja të mëdha. S’pari në luftën ndaj pandemisë e cila sa po shoh unë, me gjitha kapacitetet e limituara që ka vendi, institucionet relevante bukur mirë po ia dalin, por qëllimi është të shpie deri tek një gjendje tjetër e jashtëzakonshme në vend që do ishte bazë e mirë për t’i luftuar me “zjarr të gjithë oponentët të mbyllur në karantinën politike” ku në majë të tempullit perandori si shiques kurioz do bënte “muzikë medialo-afirmuese me gjitha mjetet që i ka në dispozicion”.

Edhe njëherë më duhet të them si shumë herë, se këtu kemi të bëjmë me interesin kapës të shtetit. Bizneset e estabilishmentit të kaluar janë lëkundur me vendimet e shumta që kjo qeveri ka bërë. Ndikimi po u bie dita-ditës sikurse “pipat jo-dëgjues që dikur shkurtoheshin nga kryetari”. Tani qeveria po mundohet të vie rend dhe ligj duke i ndal të gjitha pikat neurologjike të një sistemi koruptues operativ politik (nervor). Nga ky intervenim do dobësohet pushteti i të “ gjithëpushtetshmit”, ndikimi i zbehur në masë dhe normal në votë ku secili militant apo dorë e saj e akomoduar me vend të majmë pune do bie apo sjell një votë më shumë në “krojshen partiake” e mos flasim për të rrjedhurat normale të kapitalit nga kontratat e dyshimta të cilat në masë të madhe po ndërpriten. Po mbesin zyrtarët e mësuar me vite pa infusion monetar dhe partia do dobësohet pa të hyra qarkulluese, sidomos kur perandorët biznesorë i braktisin të dikurshmit dhe krijojn pakt tani me pushtetin e ri, “çeshmet nalen nga rrjedha e dikurshme”.

Para disa ditëve lexova për hallin e Italisë, ku në disa vende aty ku nuk po arrijnë të shtrijnë dorën e ndihmës, mafia po e mbush këtë vakum e cila po i ndihmon me gjëra elementare popullin. Kjo po krijon shqetësime shtesë tek aparati i shtetit se rasishtë mos mafia po ushtron autoritet dhe ndikim tek njerëzit në të ardhmën duke e sfiduar rendin dhe ligjin institucional. Njëra nga pasojat e pandemisë në aspektin global. Tek ne kanë filluar disa parti të bëjnë një lloj ndihme të tillë me logo partiake duke shfrytëzuar gjendjen e mjerë të qytetarëve për përfitime politike. E ultë sa ska!

Por pse faktori ndërkombëtar nuk po reagon ndaj këtyre zhvillimeve politike duke dënuar iniciativat e tilla institucionale shumë të ulta në këto kohëra pandemie?! Me vite kanë qëndruar anash, duke mos u përzier fortë në politika ditore vetëm kur të “paaftit” kanë kërkuar ndihmë, kinse një lloj bashkëpunimi i sinqertë, ndërsa në anën tjetër kanë zhvatur vendin e vet me çka kanë arritur në të gjitha segmentet e jetës duke e degraduar shtetin gati në falimentim. Faktori ndërkombëtarë janë bërë kinse nuk po i vërejnë gjërat nga keqpërdoruesit deri sa kanë qenë në linjë me kërkesat e tyre. Për ta, e mjaftueshme ishte vetëm mos të zhyten në rend jo-demokratik apo shmang’je të kursit euro-atlantik, “një pakt jetëshkurtër në heshtje”. Perandori mendon se do i shkon kjo gjendje në pakufi, atë moment kur nuk u nevojitet sikurse “një limon i shtrydhur e i tej-përdorur” do kenë shumë fakte lehtë për t’i larguar. Por duket se ende janë duke ju nevojitur protagonistët e tillë. Si në Kosovë po ashtu edhe në Serbi që gati tridhjetë vite, edhe pse duartë pushteti serb i ka të përlyera me gjakë të luftës në ish-jugosllavi, “duket se kanë ende lëngë për tu shtrydhur”, nga ndërkombëtarët.

Shpresojmë që vendimet e Neronit nuk do e djegin vendin që asnjëherë më mos të ngritet në këmbë sa nga zjarri politik sa nga mortja që dita ditës po merrë përmasa. E pastaj të shfryhet në fajësi ndaj atyre që më s’paku kanë të bëjnë me këtë punë!

Historikisht nuk dëshiroj ta përfundoj tregimin mbi Neronin, pasi shpresoj se mendja e kthjellët dhe kapriçot politike do ndalen nga arsyeshmëria e rrethanave fatale shnëdetësore dhe emergjente në të cilën gjindemi dhe do i kthehemi kursit normal të zhvillimit të vendit!!!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK