Zërat
Dr.Sc. Tomor Çela
Dr.Sc.
Tomor
Çela

Iku gënjeshtra e madhe për çakorrin dhe 8.200 hektarët e rremë!

Zërat March 25, 2020 - 09:59

Siç është vërtetuar nga instanca të ndryshme profesionale-shkencore, vendore e ndërkombëtare, 8.200 ha e pretenduar që kinse po i humbë Kosova në favor të Malit të Zi, janë të rremë. Ish-Ambasadori Amerikan në Kosovë, G. Delaëie, në mbështetje të hulumtimeve të ekspertëve të Departamentit të Shtetit, disa herë theksoi se “8.200 hektarët e humbur janë të rremë”.

“Ekspertët”, ashtu siç erdhën me turp, po shkojnë me turp edhe më të madh, sepse në ditët me të vështira që na ka kapluar virusi COVIT-19 gjejnë kohë të japin dorëheqje nga Komisioni i formuar dhe i deturuar të vepronte nën diktatet e eksponentëve të politikës ditore me qëllim të përmbushjes së agjendave të tyre puro politike.

Por të gjithë duhet të dimë se barriera kryesore e konsolidimit të kufirit shtetëror fillon në shtator të vitit 2015 me daljen në skenë të disa pseudoekspertëve, të cilët me argumente boshe dhe trillime “profesionale”, nxorën në sipërfaqe gënjeshtrën e madhe për humbjen e 8.200 hektarëve. Kjo ndihmoi rikthimin e idesë për lëvizjen e kufirit administrativ të Kosovës dhe rrjedhimisht të ndarjes së saj, i cili ishte i paprekur që nga viti 1974. Periudha kohore shtator 2015 deri me sot (23 mars 2020) do të shënohet si pjesa më e errët e ekspertizës profesionale me komponent hapësinor, të shënuar në literaturën gjeografike, politike dhe “patriotike” të truallit të Kosovës.

Për fat të keq, këta pseudoekspertë për dëmin që i bënë vendit janë paguar mirë nga taksapaguesit e Kosovës. Këta i manipuluan politikanët dhe qytetarët, trazuan gjithë skenën politike, penguan funksionimin e administratës së shtetit, i vunë flakën Kosovës dhe e izoluan Kosovën në lëvizjen e lirë në hapësirën evropiane! Në këtë mënyrë, me ose pa vetëdije, u rreshtuan në anën më të errët të historisë!

Ne nuk do të heshtim nga se edhe pas formimit të Komisionit të fundit për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit të Kosovës, dhe dy vite pas ratifikimit të Marrëveshjes ndërkombëtare të kufirit me Malin e Zi pa hequr asnjë presje, nga Parlamenti i Kosovës (21.03.2018), “ekspertët” e mbështetësit e tyre jo që “nuk lëvizën asnjë guralec për t’i kthyer 8.200 ha” (!) e rremë, por nuk bënë asnjë hap në realizimin e premtimeve minimale për të vendosur kufirin në Çakorr, Kullë dhe Zhleb, qoftë edhe me procesin e shkëmbimit të dokumentacionit, si në rastin e kufirit me Maqedoninë. Prandaj, pseudoekspertët nuk mund të ikin nga përgjegjësia profesionale, morale dhe materiale, por janë të obliguar që në secilin sektor përgjatë segmentit të kufirit me Malin e Zi, t’i gjejnë dhe specifikojnë në detaje humbjet e sipërfaqeve për secilën zonë kadastrale, ashtu siç bëri evidentimin e humbjes së territorit tonë për 191 ha përgjatë segmentit të kufirit me Maqedoninë Komisioni për Matjen e Territorit të Republikës së Kosovës, në përputhje me kërkesat e faktorit ndërkombëtar (Plani i Ahtisarit).

Do të dëgjohemi e shihemi pas Corona VIRUSIT!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK