Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

Dezerton “Contour Global”-i, mirë apo keq?

Zërat March 19, 2020 - 12:43
Rreth ndërprerjes së kontratës “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re” në Kosovë që tani po shpërfaqen pikëpamje të ndryshme. Një numër i madh reagimesh, të bëra publike që në ditën e parë, nuk e fsheh gëzimin për këtë dezertim të kompanisë amerikane, ndërsa një pjesë, që po ashtu nuk është e vogël, shpreh keqardhje duke u arsyetuar me pasojat që do t’i ketë Kosova për mungesë të energjisë elektrike, por edhe me bllokimin e valorizimit të linjitit të bollshëm, të rezervave enorme që ka Kosova

Kompania amerikane “Contour Global” ka ndërprerë planet për ndërtimin e termocentralit 500 megavatesh “Kosova e Re”. Përveç tjerash, kompania ka deklaruar se nuk do të investojë më në projekte qymyri në botë. “Ne nuk do të ndërtojmë ose nuk do të përvetësojmë termocentrale nga qymyri në të ardhmen”, tha ditë më parë “Contour Global” në një njoftim për medie.

Kompania amerikane përveç këtij shkaku, i ka përforcuar arsyet e ndërprerjes edhe me gjendjen politike në Kosovë: “Si rezultat i gjendjes politike në Kosovë… për projektin është e pamundur të arrijë rezultate para datës së përfundimit të projektit”.

Sidoqoftë, rreth ndërprerjes së kësaj kontrate (siç dihet në muajin dhjetor të 2017-s, pas një procesi të gjatë të planifikimit dhe të studimit Kosova ka nënshkruar marrëveshjen me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova e Re”) në Kosovë që tani po shpërfaqen pikëpamje të ndryshme. Një numër i madh reagimesh të bëra publike që në ditën e parë nuk e fsheh gëzimin për këtë dezertim të kompanisë amerikane, ndërsa një pjesë që po ashtu nuk është e vogël shpreh keqardhje për këtë duke arsyetuar me pasojat që do t’i ketë Kosova për mungesë të energjisë elektrike, por edhe me bllokimin e valorizimit të linjitit të bollshëm, të rezervave enorme që ka Kosova.

Pati edhe reagime me prapavijë politike, duke akuzuar në radhë të parë qeverinë “Kurti” për këtë ndërprerje të kontratës. Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie e konsideron humbje të madhe vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global” për t’u larguar përfundimisht nga Kosova, si dhe heqjen dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”. Ndërsa kreu i LDK-së në arsyetimin për tërheqje nga koalicioni me LVV-në potencoi një ndër shkaqet tërheqjen e kompanisë amerikane nga investimi i iniciuar në Kosovë.

Sjellja e qeverisë “Kurti”, sipas PDK-së, në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në Kosovë, është e papranueshme dhe tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë. “Ky kryeministër dhe kjo Qeveri, LVV – LDK, po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë…”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e PDK-së.

Sido që të jetë, sipas njohësve të rrethanave dhe të zhvillimeve energjetike në vendin tonë nga ndërprerja e kësaj kontrate Kosova do të ketë shumë më shumë dobi sesa dëme. Sepse qëkur ka zënë fill ideja për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” njohës të lëmit të energjetikës dhe përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare kanë kërkuar nga Kosova dhe vendimmarrësit kosovarë të tregohen të mençur, të urtë, racionalë dhe të matur para se të vendoset për këtë projekt. Dhe ne nuk treguam maturi, as nuk analizuam detajisht projektin. Edhe brenda Kosovës nuk munguan zërat që kërkuan syçeltësi, kujdes dhe vëmendje në përzgjedhjen e ndërtuesit dhe kushteve të financimit, të cilat së paku do të ishin të përballueshme për Kosovën e varfër. As këto sugjerime dashamirëse nuk u morëm për bazë. E ngriti zërin sidomos shoqëria civile, pothuajse pa përjashtim, e cila madje doli haptazi në taborin e përcaktuar dhe të vendosur kundër ndërtimit të këtij termocentrali në kushtet dhe në rrethanat financiare, që përqafoi dhe miratoi Qeveria e Kosovës. Siç dihet grupi i organizatave të shoqërisë civile, “Balkan Green Foundation”, instituti GAP, Grupi për Studime Juridike dhe Politike dhe Instituti për Politika Zhvillimore, ka kërkuar të rishikohet ndërtimi i këtij projekti, madje të ndërpritet fare ndërtimi i tij, duke i bërë një numër të madh vërejtjesh kontratës aktuale me operatorin privat “Contour Global”, për shkak të favoreve që i bëhen këtij operatori në dëm të kosovarëve.

Sipas vlerësimeve dhe studimeve të shoqërisë civile, projekti “Kosova e Re” do të ishte barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Kontrata, në të cilën një operatori privat (Contour Global) i garantohet fitimi dhe i eliminohen rreziqet, i mbulohen të gjitha kostot fillestare dhe i garantohet blerja e produktit pa rezervë për 20 vjet rresht, përbën asgjë më shumë sesa vënie e potencialit dhe e kapitalit publik në funksion të fitimit të një kompanie private. Kontrata, rrjedhimisht, shkel Kushtetutën dhe legjislacionin që mbron konkurrencën e lirë dhe barazinë në treg dhe si e tillë duhet anuluar, është kërkesë imperative e shoqërisë civile.

Sipas vlerësimeve të shoqërisë civile, i gjithë procesi për zhvillimin e këtij projekti ishte shoqëruar me jotransparencë, me shkelje ligjore dhe me ndryshime të kushteve tenderuese në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe në kundërshtim me vendimin e Kuvendit të Kosovës Nr. 03-V-272, të 1 prillit 2010, për aprovimin e Strategjisë së Energjisë 2009 - 2018.

Për më tepër, në tetor të 2018-s Banka Botërore ka tërhequr mbështetjen për ndërtimin e termocentralit të ri me arsyetimin se termocentrali me qymyr “Kosova e Re” nuk mund të garojë me çmimin e energjisë së ripërtëritshme.

“Contour Global” kishte vetëm 30% të vlerës së ndërtimit, të shumës së përgjithshme prej 1.3-miliardësh, ndërsa 70% do t’i sigurohej me kredi. Në qoftë se do të ishte jetësuar ky projekt, me termet e nënshkruara nga qeveria “Haradinaj”, Kosova obligohej përveçqë t’ia sigurojë kompanisë thëngjillin e ujin, duhet t’ia siguronte një çmim 10 euro për një hektar tokë. Ndërsa kur të përfundonte ndërtimi i termocentralit shteti i Kosovës detyrohej ta blinte energjinë elektrike të prodhuar nga “Contour Global” me 80 euro për Më. Kosova dhe qytetarët e saj do të duhej të paguanin 185 milionë euro në vit ose 3.7 miliardë euro për 20 vjet për këtë projekt. Paratë për subvencionim parashiheshin të siguroheshin nga buxheti i Kosovës dhe nga tarifat e ngritura për energji elektrike. Subvencionimi prej 3.7 miliardë eurosh për 20 vjet nga buxheti i Kosovës do të thotë më pak investime në infrastrukturë, siguri, arsim e shëndetësi, kishte konkluduar shoqëria civile.

Thënë shkurt e shqip, i bie që shumë më shtrenjtë kosovarët do të paguanin kilovat-orën e shpenzuar nga “Kosova e Re” po qe se do të ndërtohej sesa një kilovat orë të importuar nga kushdo distributor ekzistues në rajon dhe në Evropë.

Në anën tjetër, ithtarët po ashtu relativisht të shumtë për jetësimin e “Kosovës së Re” kishin atutë e tyre. Ata vazhdojnë të këmbëngulin për nevojën e një projekti të ri për prodhimin e energjisë elektrike, që e kushtëzon mungesa disavjeçare dhe mungesat që do të thellohen në vitet në vazhdim. Këto të fundit kanë të drejtë kur shtrojnë pyetjet: Çka do të bëhet me rezervat kolosale të thëngjillit të Kosovës, pse po na ikin rastet për valorizimin e vlerës së tij, qoftë edhe me ndërtimin e termocentraleve në baza të këtij thëngjilli, pse nuk po e shfrytëzojmë këtë resurs që ka falur natyra për zhvillim ekonomik të vendit, për mirëqenie, për zbutje të papunësisë e kështu me radhë? Kësaj radhe nuk do të merremi me pikëpamjet dhe tezat politike se “kompania amerikane paska ikur nga antiamerikanizmi i qeverisë ‘Kurti’”.

Tani pas vendimit për tërheqjen e kompanisë amerikane dëgjohen zëra edhe të ekspertëve për ta ndërtuar një kapacitet të ngjashëm me “Kosovën e Re” nga ne vetë, me forca vetanake.

Kosova që nga çlirimi ka pasur potencën edhe financiare për ta ndërtuar vetë një termocentral deri në 500 megavate, por këto mundësi i orientoi në autoudhë të nevojshme dhe të panevojshme. Kosova edhe më tutje mund ta ndërtojë termocentralin vetë, por, e kuptueshme, me çmimet standarde të investimeve për një megavat-orë energji elektrike e jo dy-trefishin e çmimeve të aplikueshme kudo në botë.

Dhe fare në fund, mirë ose keq nga ikja e “Contour Global”-it mbetet të shihet. Ndërkohë që nevojat e Kosovës për më shumë energji elektrike kaherë janë të ditura./ “Zëri”

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK