Dorën në zemër në kohërat e COVID19
Ndërsa po hyjmë në epokën e kërcitjeve të bërrylave dhe fërkimit të këmbëve si përshëndetje (të cilat sinqerisht, më duken përshëndetje qesharake dhe jo profesionale e as të sinqerta), më lejoni t'ju kujtoj për gjestin ‘dorën në zemër’, të përdorur edhe si përshëndetje.
Si shqiptare, jam rritë duke parë këtë lloj përshëndetjeje pothuajse çdo herë që na vinin mysafirë në shtëpi, dhe kjo lloj përshëndetjeje gjithmonë ka nxitur një lloj krenarie, dinjiteti dhe ndershmërie tek unë.
Më vonë, ndërsa isha duke bërë disa hulumtime për gjestet dhe gjuhën e trupit, zbulova se që nga koha e Aristotelit, njerëzit kanë besuar se zemra është vendi i mendjes njerëzore, dhe në mënyrë simbolike përdoret ende për t’iu referuar emocioneve ose thelbit moral të qenieve njerëzore. Që atëherë, gjesti i vendosjes së një dore në zemër nënkupton ndershmëri dhe shoqërohet me shumë kultura.
Ky gjest gjithashtu tregon që nuk po mban armë, ose ka qëllime të vërteta, ose po e jep fjalën e nderit, ose po premton besnikëri.
Shumë gjuhë kanë gjithashtu idioma që shprehin ndershmëri duke iu referuar gjestit së dorës mbi zemër, si në gjuhën shqipe, angleze, gjermane, arabe, meksikane, polake, etj.
Meqenëse ky gjest shoqërohet gjerësisht me ndershmërinë, nuk mund të jetë më i sinqertë për t’u uruar mirë të tjerëve, por edhe për të mbrojtur veten dhe të tjerët në këto kohë të COVID19, atëherë të përshëndetemi me ‘dorë në zemër’.
Dhe duke qenë se është e njohur globalisht, kjo përshëndetje lehtë mund të adaptohet si përshëndetja "e re" që zëvendëson shtrëngimin e dorës, kërcitjen e bërrylave dhe fërkimin e këmbëve.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK