Zërat
Enver Hoxhaj
Enver
Hoxhaj

Histeria e Putinit kundër Perëndimit dhe Kosova si antitezë (1)

Zërat February 20, 2020 - 14:21
Përplasja NATO - Rusi ishte shumë afër, por drama e Aeroportit të Prishtinës u tejkalua. Rreziku u shmang nga bashkëpunimi i mirëmenduar mes tyre. Historikisht kjo ngjarje shënon përfshirjen e parë të Putinit në raport me Kosovën dhe do ta përcjellë atë për njëzet vjet me radhë

Në ditët e festimit të Dymbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë do të mundë t’i kujtojmë dy ngjarje fatale për Kosovën si pasojë e Putinizmit. Së pari, vendimin rus për ta kundërshtuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së intervenimin humanitar të NATO-s më 1999-n, së dyti, bllokada ruse me kërcënimin për përdorim të vetos në KS të OKB-së më 2007-n nëse propozimi për pavarësi të Kosovës do të vihej në tavolinë

Përshtypja e parë

Ishte ulur në zyrë. Si këshilltar i presidentit Boris Yeltsin, Putini po e siguronte mysafirin në mirëbesim se bashkëpunimi ushtarak është 100%. Përballë tij ishte Strobe Talbott, nënsekretari amerikan i shtetit dhe njohës i rrallë i Rusisë. Posti shtetëror, afërsia me presidentin Klinton, të cilin e kishte njohur në Oksford, kur Talbotti po studionte letërsinë ruse dhe ekspertiza në politikën e jashtme e favorizonin atë shumë në bisedë. Mirëpo gjërat nuk ecën mirë mes delegacionit amerikan dhe atij rus. Në takim mes palës ruse u shpërfaqën dallime të mëdha. Ushtarakët kërkonin diçka tjetër e diplomatët pretendonin tërësisht të kundërtën. Por gjithçka rrodhi ndryshe dhe zhvillimet morën kthesë pozitive kur në takim u shfaq Putini, këshilltari i lartë për siguri i Jeltsinit. Putini, jo fort i njohur deri atë kohë, ishte më i qartë dhe më urban sesa bashkëkombësit e tij, madje ai e dha një premtim të fortë para kolegëve nga Uashingtoni se “qëndrimi rus do të publikohej para se amerikanët të arrinin në aeroport”.

Kjo qe përshtypja ime e parë për Putinin. Paradite na siguroi se deklarata zyrtare do të bëhej dhe se ruset s’do të hyjnë assesi në Kosovë. “Ende po pres deklaratën …”, deklaronte Talbotti në qershorin e 1999-s. Amerikanët u kthyen duarthatë në shtëpi nga Moska. Brenda pak kohe, një dramë tjetër po zhvillohej në Aeroportin e Prishtinës. Një kontingjent i ushtarëve rusë nga Bosnjë e Hercegovina marshoi përmes Serbisë drejt Kosovës, duke marrë nën kontroll ushtarak aeroportin në Sllatinë. Pak ditë më herët Treshja diplomatike – Talbotti, Martti Ahtisaari dhe Viktor Chernomyrdin – i kishte propozuar Sllobodan Millosheviqit planin për Rezolutën 1244. Diskutimi kishte qenë i gjatë mes tre diplomatëve dhe me diktatorin se si mund të bëheshin forcat ruse pjesë e misionit paqësor të OKB-së në Kosovë. Qëndrimi rus ishte se “ne nuk duhet ta pyesim NATO-n për kurrfarë leje. Është e drejta jonë të veprojmë. Nëse NATO-ja synon t’i vendosë rreth 50.000 njerëz në Kosove, ne do t’i sjellim 10.000”.

Moska kërkoi ato ditë të qershorit autorizim për gjashtë aeroplanë transportues për të fluturuar mbi hapësirën ajrore ukrainase dhe hungareze. Por harruan t’i informonin këto shtete se këta aeroplanë po bartnin ushtarë elitë dhe të armatosur për t’u vendosur në Kosovë. Si reagim ndaj kësaj situate, në Evropë komandanti i NATO-s, Wesley Clark, po kërkonte një autorizim tjetër, atë që të goditeshin aeroplanët rusë në rast se do të sillnin ushtarë të tjerë në Sllatinë. Në Kosovë gjenerali britanik, Mike Jackson, po ndërmerrte çdo gjë që kontingjenti rus të izolohej dhe të dorëzohej. Kur amerikani kërkonte veprim, britaniku e theu urdhrin e tij me përgjigjen epike: “Zotëri, s’dua ta filloj Luftën e Tretë Botërore për ju”, Putini ishte strumbullari i kësaj drame të ngjarjeve duke rikonfirmuar qëndrimin rus, të dhënë nga Chernomyrdin. Por, në fakt, kishte ndodhur e kundërta!

Shmangia e konfrontimit

Përplasja NATO - Rusi ishte shumë afër, por drama e Aeroportit të Prishtinës u tejkalua. Rreziku u shmang nga bashkëpunimi i mirëmenduar mes tyre. Historikisht kjo ngjarje shënon përfshirjen e parë të Putinit në raport me Kosovën dhe do ta përcjellë atë për njëzet vjet me radhë. Mashtrimi në tavolinë negociatash dhe kurthet diplomatike të mbuluara me korrektësi janë vetëm maskim i politikës së tij. Një politikë, e cila synonte të dërgonte forca ushtarake në Kosovë dhe t’i ndryshonte faktet në terren. Ishte një mënyrë, natyrisht e papritur, për ta rikthyer nën kontroll rus diçka që ishte humbur në tavolinën e bisedimeve.

Marshimi i batalionit rus drejt Kosovës para se trupat paqësore të NATO-s të vendoseshin aty ishte një platformë e re e sjelljes së jashtme ruse më 1999-n. Ata synonin një sektor të veçantë të territorit, mundësisht në veri të vendit, kinse në emër të mbrojtjes së serbëve lokalë. Por, e vërteta ishte tjetër – kjo pjesë e Kosovës shihej si një kartë e mirë rajonale gjeopolitike në Ballkan. Natyrisht, një sektor do ta destabilizonte tërë Kosovën dhe do të krijonte parakusht për një konflikt në mes të NATO-s dhe të Rusisë brenda saj. Për më shumë, do ta cenonte rëndë integritetin territorial dhe pavarësia e Kosovës do të ishte e pamundur më vonë. Gjenerali Clark kujton pritjen ruse për ndarjen e Kosovës që fshihej nën pretendimin e tyre për një sektor të veçantë. Mirëpo, edhe bashkësia ndërkombëtare, e veçanërisht NATO-ja, do ta humbte kontrollin e saj mbi tërë misionin.

Putinizmi si doktrinë

Ngjarjet në vitin 1999 janë premisat e kryehershme për ta kuptuar Putnizmin si doktrinë të politikës së jashtme deri më sot sa i takon shumë temave ndërkombëtare. Ato nuk ishin thjesht një incident ushtarak dhe ballafaqim diplomatik Rusi - Perëndim, por një mendësi dhe sjellje e re, e ndërtuar mbi një vetëdije historike komplekse ruse. Të frymëzuar nga ideologjia e ringjalljes dhe nga politika e forcës në raportet ndërkombëtare. Ajo do kuptohet më vonë si vazhdimësi dhe si qëllim, sikurse treguan ngjarjet e dhunshme në Evropën Lindore, ndërhyrjet brenda BE-së dhe intervenim të stilit carist në Lindje të Mesme.

Përpjekja për ta dështuar bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë, misionin e NATO-s dhe Rezolutën 1244 të OKB-së ishin vetëm premisat e para se si Rusia do të sillet më vonë në rendin e ri ndërkombëtar, duke minuar atë kudo dhe me çdo mjet. Qasja tashmë është e shpallur nga vetë Putini: nuk ka një rend të përbashkët ndërkombëtar, por një botë policentrike me disa qendra të vendimmarrjes. E të gjitha këto duhet të jenë kundër botës perëndimore dhe veçanërisht kundër hegjemonisë amerikane.

Rruga e vështirë e Kosovës së pavarur dhe shtetndërtimit të saj për shkak të kundërshtimit rus është tema më interesante dhe më dinamike e përplasjeve në raportet Perëndim – Rusi, mirëpo më komplekse dhe më domethënëse është përdorimi i saj për t’i goditur shtetet perëndimore dhe rendin ndërkombëtar që krijoi Kosovën. Që para njëzet vjetësh sjellja gjeopolitike ruse dhe qëndrimi i Putinit tregojnë një veçori afatgjate. Sa më thellë që kuptohet se çfarë dhe si Putin e ka goditur Kosovën në këto njëzet vjet, aq më mirë do shohim botën e tij, aq më drejt do të lexojmë rendin ndërkombëtar dhe ndoshta se kush mund të jetë viktimë e politikës ruse sot e në të ardhmen.

Cilat janë elementet e doktrinës së Putinit të përdoruara në raport me Kosovën? Ku mund ta shohim Putnizmin në veprim diku tjetër në botë?

Kur jemi në prag të festimit të Dymbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë do të mundë t’i kujtojmë dy ngjarje fatale për Kosovën si pasojë e Putnizmit. Së pari, vendimin rus për ta kundërshtuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së intervenimin humanitar të NATO-s më 1999n, pavarësisht faktit se vetë OKB-ja vite me radhë kishte konstatuar dhe kishte dënuar disa herë krimet e Serbisë mbi civilët e pafajshëm në Kosovë. Së dyti, bllokada ruse me kërcënimin për përdorim të vetos në KS të OKB-së më 2007-n, nëse propozimi për pavarësi të Kosovës do të vihej në tavolinë. Kjo e pamundësoi anëtarësimin e Kosovës në OKB, duke lënë shtetin më të ri në Evropë pa njohje të plotë ndërkombëtare. Ngjarja e parë do ta determintone natyrën e lirisë sonë, e dyta karakterin e shtetësisë. Pasojat janë të mëdha, por do të ishte një interpretim i thjeshtë nëse vlerësohen goditjet e tij vetëm nën këtë dritë. Dëmi është i shumanshëm për Kosovën, ndërsa më vonë viktima të Putnit do të jenë edhe shumë të tjerë. Deri më sot ai do të shfaqet me nostalgji për “Rusinë historike”, për shpirtin e tij shovinist, për vështrimin dhe për veprimin përzgjedhës për botën.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK