Zërat
Enver Hoxhaj
Enver
Hoxhaj

Gjeopolitika etnike e Putinit: Kosova, fushëbeteja e parë (2)

Zërat February 21, 2020 - 12:05
Trupat ruse u tërhoqën nga Kosova më 2003-n, por Rusia do të mbetet e përfshirë me tutje në administratën e UNMIK-ut dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjatë kohës kur Kosova po përmbushte standardet e mirëfillta, të vendosura nga OKB-ja dhe nga UNMIK-u, Rusia angazhohej të përmbyste kudo publikisht realitetin e Kosovës. Putinit nuk i interesonte ta gjente të vërteten, por ta shpallte atë. Ai përdori çdo mekanizëm për të përhapur akuza të rreme ndaj Kosovës, diversion të ndryshëm diplomatik e deri te propaganda agresive globalisht kundër Kosovës

Në gushtin e vitit 1999 Boris Jeltsin do ta befasojë botën me vendimin e tij për ta emëruar Putinin si kryeministër të Rusisë. Shumë pak dihej ndërkombëtarisht se kush ishte ai në të vërtetë. Gjatë kishte punuar pas perdeve dhe me poste jo të larta. Në fund të viteve të ’80-ta shërbeu në stacionin e KGB-së në Drezden me një detyrë interesante: puna e tij nuk ishte spiunazhi, por kundërspiunazhi. Do të thoshte identifikimi, mundja (defeating) dhe shkatërrimi i armiqve sovjetikë. Në fillim të ’90-ës, kur Mikhail Gorbachev u zotua për ta modernizuar dhe për ta hapur Bashkimin Sovjetik, deri atëherë të mbyllur e komunist, Putini u bë i njohur brenda shërbimit të KGB-së me këtë fjali. “Çfarë po bënte Gorbaqov ishte konspiracion për ta shitur atdheun tek interesat e huaja”.

Më vonë si president do ta përsëriste se shpërbërja sovjetike “ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX”. Një karakteristikë e Putnizmit është ideologjia e restaurimit: ambicia për një restaurim politik, territorial dhe shpirtëror të gjeopolitikës cariste dhe sovjetike. Rusët dhe sllavët shihen si zgjatje të njëri-tjetrit dhe këto janë premisa bazike të të menduarit dhe të të vepruarit gjeopolitik.

Në këtë kontekst vizitat e tij në Serbi i shërbejnë qëllimit sesi Rusia ta këtë njërën këmbë në Ballkan. Për herë të parë më 17 qershor të 2001-ës ai do ta vizitojë Beogradin dhe kjo po ndodh pas shumë dekadash që një udhëheqës i lartë nga Moska po qëndronte në kryeqytetin serb. Tema kryesore ishte Kosova. Sipas tij, “stabiliteti në regjion është seriozisht i kërcënuar nga ekstremistët nacionalë e fetarë dhe burimi kryesor është Kosova”. Po ashtu kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të çarmatosë “terroristët” shqiptarë. Nëse kjo ndodh ai e siguronte bashkësinë ndërkombëtare se Rusia do të bashkëpunojë me ta dhe në interes të serbëve në Ballkan, meqë Rusia ka rrënjë të përbashkëta historike sllave ortodokse.

Mandej befas ai e vizitoi edhe Kosovën. Garda ruse e nderit e priti me nderime të larta në aeroportin e Prishtinës e më pas vizitoi bazën ushtarake ruse jo larg tij, në Vrellë, ku ishin të vendosur rreth 3000 ushtarë. Duke folur para medieve, ai kundërshtoi kornizën kushtetuese dhe institucionet e përkohshme vetëqeverisëse në Kosovë, edhe pse ato u krijuan dhe buronin nga Rezoluta 1244. Kjo rezolutë ishte negociuar me Rusinë dhe ishte votuar nga ajo në Këshill të Sigurimit. Natyrisht asnjë fjalë për atë se çfarë kishte ndodhur në Kosovë gjatë luftës, spastrimet etnike dhe krimet masive të regjimit serb. Putini gjatë kësaj kohe kishte qenë udhëheqës i FSB-së, vazhdues i KGB-së, dhe natyrisht që e dinte nga dora e parë se çfarë krimesh çnjerëzore kishte bërë Serbia.

Por duke ardhur nga kundërspiunazhi ai e njihte mënyrën sesi ta formësonte temën dhe sesi ta shpallte mendimin mashtrues: sulmi mbi Jugosllavinë po ndodhte për shkak të interesave të NATO-s që të zgjerohet në Evropën Juglindore. Fjala “krizë humanitare” nuk do të ekzistojë asnjëherë në fjalorin politik të tij ose të Rusisë për të përshkruar Kosovën në kohë lufte.

Gjeopolitika etnike

Vëmendja e Vladimir Putinit ishte te serbët në Kosovë, shtypja kinse e shqiptarëve ndaj tyre dhe shkatërrimi i kishave ortodokse serbe. Këtu dhe në raport me serbët në Kosovë ai filloi ta promovojë brandin e tij, i njohur si gjeopolitika etnike. Putini gjatë kësaj kohe shpesh ka folur për serbët në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë, duke mos e fshehur pritjen e tij - ata nuk ishin pakica serbe, por instrumente të politikes ruse në Ballkan. Veriu i Kosovës do të bëhet një zonë e pelegrinazhit gjeopolitik rus për dy dekada: nga “konvojet humanitare”, prania studentore, media, personeli rus në organizatat ndërkombëtare dhe qytetarët privatë. Gjeopolitika etnike si element i doktrinës së tij do të shihet ndërkohë dhe kudo - nga Ballkani, Evropa Lindore e deri te shtetet e Baltikut. Natyrisht në kontekst të popullatës ruse në këto vendet e fundit interesi dhe intensiteti i angazhimit rus ishte i përmasave tjera.

Paraardhësi i tij, Boris Jeltsin, respektoi integritetin territorial dhe sovranitetin e ish-republikave sovjetike. Si rrjedhojë shpërbërja sovjetike qe paqësore dhe jo e dhunshme, sikurse ishte ajo jugosllave. Putini e ka bërë deri më tash të kundërtën, përmes përdorimit të forcës ushtarake ose edhe luftës hibride. Me instrumente të shumëllojta politike, diplomatike, ekonomike dhe kulturore ka ndërhyrë në disa vende dhe me çdo mjet. Qëllimi është po ashtu krijimi i rrethanave jostabile të brendshme, duke kërcënuar sigurinë e një vendi të caktuar përmes pranisë ushtarake, paraushtarake ose të varësisë politike dhe ekonomike, si pjesë e doktrinës së Putinizmit. Kështu e ka futur fillin e një bote të pasigurt jo vetëm në Evropën Lindore, por më gjerë dhe është shndërruar një zëdhënës maniak, që Evropa nuk e ka parë pas vitit 1945.

Ruajtja e status qous

Një karakteristikë e Putinizmit është ruajtja e status qous dhe moskokëçarja se si një vend qeveriset. Çfarë janë vlerat e sistemit politik dhe në cilat parime është ndërtuar ai nuk paraqet ndonjë shqetësim. Trupat ruse u tërhoqën nga Kosova më 2003-n, por Rusia do të mbetet e përfshirë më tutje në administratën e UNMIK-ut dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare. Gjatë kohës kur Kosova po përmbushte standardet e mirëfillta, të vendosura nga OKB-ja dhe nga UNMIK-u Rusia angazhohej të përmbyste kudo publikisht realitetin e Kosovës. Putinit nuk i interesonte ta gjente të vërteten, por ta shpallte atë. Ai përdori çdo mekanizëm për të përhapur akuza të rreme ndaj Kosovës, diversion të ndryshëm diplomatik e deri te propaganda agresive globalisht kundër Kosovës. Ishte kjo koha kur po fillonte përcaktimi i statusit final të Kosovës.

e Kosovës në një gjendje të papërcaktuar politike dhe në pafundësi ishte qëllimi rus. Status qouja është ajo që Putini e preferon jo vetëm në lidhje me Kosovën, por kudo tjetër. Atë do ta propagandojë personalisht në lidhje me zgjerimin e NATO-s në Evropën Qendrore dhe Juglindore në vitet 2004 dhe 2009. Të njëjtën qasje do ta ndjekë në raport me zgjerimin e BE-së në Ballkan. Mirëpo kulmi i përdorimit të magjisë së prishjes së rendit të brendshëm politik dhe prodhimin e situatave të dhunshme ishte në këto vitet e fundit kur Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut po trokisnin në derën e NATO-s për anëtarësim.

Cilat janë argumentet që përdor Putini në qëndrimet e tij për Kosovën? Ato që vërehen më vonë edhe te vendet tjera. Ne vitet para pavarësisë ai do të flasë për entitetin Kosovë si një vend i dështuar. Kur Kosova përmbushi standardet para statusit, të konfirmuar nga KS-ja i OKB-së, ku Rusia është anëtar i përhershëm, Putini ishte i vetëdijshëm që kjo mund të çonte te sovraniteti gradual i merituar. Ai e përhapi pamjen më të errët për Kosovën në shtypin ndërkombëtar sikurse vendi të ishte buzë kolapsit. Sa më shpejt vazhdonin negociatat nën udhëheqjen e OKB-së për të ardhmen e Kosovës, aq më apokaliptik do të jetë vizioni i tij për Kosovën.

Një narracion të tillë të përdorur nga Putini do ta gjejmë para luftës me Gjeorgjinë më 2008-n ose para dhe pas aneksimit të Krimesë më 2014-n dhe ndërhyrjes ushtarake në Ukrainën Lindore. Këtu do të përdorte trillimin dhe truket e njëjta, të cilat rusët i kishin përdorur për Kosovën në çdo institucion ndërkombëtar. Perëndimi po synon që të imponojë standarde demokratike në Evropën Lindore dhe ato nuk kanë të bëjnë as me traditën dhe as me kulturën e popujve të ndryshëm. Synohej të krijohej përshtypja se në vend të lirisë dhe të demokracisë në shumë vende ku ndërhynë perëndimoret të kishte kaos dhe dhunë. Putini akuzon evropianët se “pranverën arabe” pas 2011-s do ta shndërrojnë në “dimër arab”. Të gjitha këto qëndrime të Putinit janë trillime dhe një diskurs mashtrues, që nuk kanë të bëjnë fare me realitetin.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK