Dekonstruktimi i idesë së bashkimit Kosovë- Shqipëri
Bashkimi i Kosovës dhe Shqipërisë është ndër temat kyçe që preokupon shqiptarët edhe pse kohë pas kohe kjo temë zbehet. Bashkimi shihet si proces i natyrshëm dhe është i pranuar nga shumica e popullsisë në Kosovë dhe Shqipëri.
Bashkimi pothuajse gjithmonë ka pasur një përkrahje të gjerë, sidomos në Kosovë. Kjo ide përkrahet për shkak të rrethanave historike, kur shqiptarët shpesh u ndodhën jashtë kufinjve të Shqipërisë. Një studim nga Gallup International në vitin 2010, thekson se 81% e qytetarëve në Kosovë dhe 62% e qytetarëve në Shqipëri janë deklaruar pro bashkimit kombëtar. Përkrahja ulet kur përjashtohet mundësia e bashkimit pa një pjesë të Maqedonisë. Studimi i KFOS (Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur) dhe OSFA (Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë) në vitin 2019 ripohon mbështetjen e gjerë për bashkim kombëtar, por kësaj rradhe mbështjetja më e madhe vjen nga qytetarët e Shqipërisë 74.8% krahas përkrahjes prej 63.9% në Kosovë.
Disa hapa që konsiderohen si fillim i bashkimit janë Rruga e Kombit, që ka zvogëluar distancën fizike Kosovë-Shqipëri, lehtësirat e lëvizjes, kontrolli vetëm nga njëra palë e policisë në kufi dhe lehtësirat doganore. Të gjitha këto janë hapa drejt neutralizimit të ndarjes me kufi mes Kosovës dhe Shqipërisë. Në fushën e politikës së jashtme, Kosova e Shqipëria kanë arritur marrëveshjen për përfaqësim të përbashkët në Itali, Gjermani dhe vende të tjera të botës.
Sallonet e së martës janë një nismë javore e Institutit Demokraci për Zhvillim (D4D). Salloni transmetohet live përmes platformës kallxo.com.
Diskutimi mbledh rreth vetes ekspertë e analistë, politikanë e publicistë për të reflektuar dhe kërkuar konsensus mbi temat e përzgjedhura.
Edhe pse ka disa hapa dhe zhvillime drejt bashkimit, aktualisht nuk ka kushte për të diskutuar për bashkim. Kjo ndodh për shkak se nuk ka thellim të bashkëpunimit në nivele të duhura. Përkundër qëndrimit pro bashkimit nga qytetarët, elitat politike nuk mbështesin vullnetin e qytetarëve. Për më shumë, elitat po veprojnë sipas grupeve të tyre të interesit dhe po hiqen si shtypës të idesë së bashkimit, për tu pëlqyer nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka dhënë idenë e një presidenti kombëtar, por kjo gjë ka mbetur vetëm në suaza të një ideje. Përkeqësimi i raporteve të Kosovës dhe Shqipërisë dhe angazhimi për Mini-schengenin Ballkanik përkundër refuzimit të Kosovës që të marrë pjesë, tregon që bashkimi nuk është në rrugën e duhur. Mini-schengeni Ballkanik është nismë e tri shteteve: Serbisë, Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë. Qëllimi i saj është lëvizja e lirë e njerëzve, mallërave, shërbimeve dhe kapitalit. Kjo nismë u paraqit në takimin e mbajtur ndërmjet tri palëve në Novi Sad, më 10 tetor 2019.
Ngritja e hipotezave për bashkimin Kosovë-Shqipëri dëmton seriozisht legjitimitetin e Kosovës si shtet, sepse hedh në dyshim sovranitetin dhe integritetin territorial të saj. Në hulumtimin e KFOS dhe OSFA del që serbët e Kosovës kanë distancë shoqërore më të vogël me shqiptarët e Kosovës sesa me shqiptarët e Shqipërisë, që lë të nënkuptohet se bashkimi do ta vështirësonte integrimin e tyre në një shtet tjetër. Paqëndrueshmëria politike në Shqipëri, monopoli i pushtetit dhe gjendja e medias, janë shembull jo i mirë dhe Kosova duhet ta vendosë në pikëpyetje bashkimin me një shtet jo të qëndrueshëm, sidomos në aspektin politik. Kosova ka dëshmuar që është shtet funksional për vite me rradhë. Organizimi i mirë i zgjedhjeve ndër vite dhe pranimi i tyre nga humbësit, ka treguar pjekuri politike të Kosovës, gjë që nuk ka ndodhur vitet e fundit në Shqipëri. Përpos kësaj, përderisa pati ngecje në përparimin e raporteve ndërmjet dy shteteve, në Kosovë u forcua identiteti shtëtëror, për shkak të sukseseve të përfaqësuesve nga Kosova në sferën e kulturës, kryesisht muzikës e sportit. Paraqitja e mirë e Përfaqësuesës së Kosovës në futboll gjatë vitit 2019 bëri që mbështetja për shtetin dhe identitetin shtetëror të përjetojë një rilindje.
Përkundër këtyre, Kosova dhe Shqipëria janë më shumë se dy shtete fqinje. Mbi të gjitha, dy shtetet lidhen nga kultura e përbashkët dhe përkatësia në një regjion të njejtë. Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet e ngushta të dy shteteve janë domosdoshmëri, pasi shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë i konsiderojnë si shtete amë dhe e shohin fatin e tyre të lidhur me këto dy shtete. Nuk ka pasur bashkëpunim në nivelet e duhura dhe bashkëpunimi më i thellë është parakusht i bashkimit mes dy shteteve. Bashkëpunimi është i mangët për shkak të raporteve jo shumë miqësore ndërmjet politikanëve. Kryeministri aktual i Shqipërisë ka ndikuar në acarimin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri. Bashkimi është përdorur nga politikanët si mjet i shprehjes së pozitës së të fortit për të kontrolluar Kosovën dhe vullnetin e qyetarëve, për t’u paraqitur konstruktiv në sytë e BE-së.
Kosova dhe Shqipëria realisht nuk janë afër bashkimit kombëtar dhe ka ngecje në realizim të bashkimit në fusha jopolitike, si për shembull në sport e ekonomi. Për bashkim nuk po punohet dhe marrëdhëniet e dobëta ndërmjet politikanëve të shfaqura në muajt e fundit, e kanë dëmtuar dhe e kanë lënë anash idenë e bashkimit.
SHKURT 2020, PRISHTINË
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK