Metodologjia e re e zgjerimit të BE-së dhe Samiti i Zagrebit
Samiti i Zagrebit, si pjesë e presidencës Kroatë të BE-së, pritet të mbahet në muajin Maj të këtij viti do të jetë një mundësi dhe takim i rëndësishëm për tërë Ballkanin Perëndimore pra edhe për Kosovën. Është shumë e rëndësishme qe edhe Qeveria e re e Kosovës të përgatitët për këtë Samit sa më mirë që të jetë e mundur. Rëndësia e Samiti bëhet edhe më e rëndësishme kur të marrim parasysh që nesër, me 5 shkurtë, do të prezantohet për aprovim metodologjia e re e zgjerimit e propozuar nga Franca, metodologji kjo e cila tashmë është përgatitur nga Komisioni Evropian.
Për ata që nuk janë në rrjedha, më lejoni të elaboroj në pika të shkurta metodën ekzistuese e cila parasheh negocimin e 35 kapitujve ligjorë dhe politikë, në një periudhë kohore prej 5-10 viteve, me secilin kandidat përpara se t'i mirëpresë ato si anëtar të ri dhe në këtë mënyrë të ju ofrojë këtyre qasje të plotë në fondet e BE-së si dhe të kontribuojnë në hartimin e politikave në nivel të BE-së.
Sidoqoftë, Franca në emër të disa shteteve tjera të BE-së, kishte kërkuar që ky proces të reduktohet në shtatë hapa dhe ka propozuar që qasja në fondet BE-së të zhbllokohet gradualisht, në bazë të sukseseve që secili shtet i realizon, po ashtu u kërkua që procesi të jetë “I kthyeshëm”, kjo posaçërisht për ato vende që nuk i përmbahen të arriturave ose zotimeve që I kanë bërë më herët.
Nuk duket që qëllimi ishte të frenohet ose bllokohet zgjerimi i mëtutjeshëm i shteteve të Ballkanit perëndimore por një lloj ridizajnimi i një procesi që ishte krijuar para disa dekadave e i cili nuk i përmbushë më nevojat e shteteve anëtarë të BE-së por as të shteteve të rajonit. Pritjet janë që ky ndryshim do të arrijë që negociatat e pranimit të jenë më frutdhënëse, dinamike, llogaridhënëse dhe të besueshme.
Pra nëse metodologjia e re e cila do të prezantohet të martën do të aprovohet nga shtetet anëtare atëherë Shqipëria dhe Maqedoni Veriore shumë shpejtë do të marrin lajme të mira dhe do të fillojnë negocimin për anëtarësim në BE. Kjo mund të gjejë Kosovën jo mirë të përgatitur, për shkaqe tashmë të njohura, ne kishim de fakto një zbrazëti institucionale më shumë se gjashtë muaj, por edhe më herët nuk është që qeveritë e kaluara kishin shkëlqyer në përmbushjen e obligimeve të marra nga MSA, ERA etj.
Zëri jonë nuk është dëgjuar qe moti, në fakt ne ishim dhe mbesim të fundit në të gjitha proceset integruese dhe për të përmirësuar trendin e zbatimit të kritereve por edhe imazhin që vendi jonë gëzon, qeveria e re do të ketë mjaft punë. Duhet të identifikojnë sfidat kryesore, të ketë një përkushtim në zbatimin e obligimeve dhe në bazë të rezultateve t’i raportojë këto të arritura sa më bindshëm, gjithmonë duke u bazuar në fakte, tek shtetet e BE-së dhe duke kërkuar vazhdimisht që të trajtohet Kosova njëjtë si shtetet tjera të rajonit.
Kosova ka një të ardhme, e ajo është në Bashkimin Evropian, si anëtare e barabartë me kompetenca dhe përgjegjësi fuqiplota./Zeri
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK