Zërat
Dr. Halil Krasniqi
Dr.
Halil
Krasniqi

A jemi të rrezikuar nga virusi kinez?

Zërat January 24, 2020 - 12:41
Dr. Halil Krasniqi, ekspert i shëndetit, informon rreth coronavirusit dhe pandemisë së mundur.

A mund ta arrijë ky virus Kosovën?

Rritja permanente e numrit të të infektuarve me virusin vdekjeprurës të mushkërive në Kinë shkakton shqetësim shëndetësor në tërë botën. Numri i të infektuarve arrin sot në 600, me 25 të vdekur. Deri më tani nuk ka ende raste të njohura në Evropë, kurse në Korenë Jugore, në Tailandë, në Tajvan, në Japoni dhe në SHBA tanimë janë lajmëruar persona të sëmurë. Coronavirusi përcillet nga shtazët në njerëz dhe pastaj nga njeriu në njeri.

Këtë e vërtetoi edhe Komisioni Nacional Shëndetësor Kinez, duke theksuar infeksionin e coronavirusit nga njeriu në njeri dhe se infeksionet janë në rritje. Ky virus atakon mushkëritë dhe shkakton temperaturë, komplikime në frymëmarrje, kollitje, vështirësi në stomak, dëmtimin e veshkave dhe vdekjen. Tanimë është e njohur se pikënisja e coronavirusit është një treg i peshkut dhe i shpezëve në qytetin Wuhan të metropoleve kineze. Sipas njohurive aktuale, momentalisht qëndron një rrezik infeksioni vetëm i atyre personave në regjionet, të cilat lëvizin dhe kontaktojnë me qytetin Wuhan.

Të gjithë të infektuarit me virusin e mushkërive kanë qëndruar në qytetin Wuhan ose qëndruan në kontakte direkte me popullatën e këtij qyteti. Udhëtarëve në Kinë u udhëzohet t’u shmangen të gjitha kontakteve me të infektuarit me tregjet e produkteve shtazore, kontaktit me shtazët, me shpezët, por edhe të kujdesen për higjienën e duarve, duke i dezinfektuar ato rregullisht. Rreziku i infeksionit në Aeroportin e Prishtinës është shumë i vogël, ngase ne nuk kemi linjë ajrore direkte me qytetin Wuhan ose me qytetet tjera të Kinës dhe kontakti me popullatën kineze nuk është i dendur.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk udhëzon kufizime të veçanta të qarkullimit me Kinën. Qendra Evropiane për Preventivë dhe Kontroll të Sëmundjeve (ECDC) vlerëson rrezikun e infeksionit me virusin e mushkërive brenda Evropës si të ulët. Gjithashtu shumë të ulët e vlerëson rrezikun e infeksionit brenda Evropës edhe instituti “Robert Koch” në Gjermani, por zhvillimi aktual mund të ndryshojë në ditët e ardhshme.

Si çdo epidemi tjetër, edhe coronavirusi kërkon trajtim adekuat në rast të kontaktit me personat e infektuar, prandaj është shumë e rëndësishme preventiva në aeroport, në trajtim fillestar, izolim me përgatitjen profesionale të personelit mjekësor, kontrollin e pasagjerëve me probleme të frymëmarrjes, temperaturë dhe kompetenca trajtuese në spitalet dhe në repartet intensive, si dhe izolime spitalore.