Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Nga ëndrra në kllapi: mbi telenovelën e koalicionit

Zërat January 16, 2020 - 09:57

1. 26 dhjetori: ose çka s’deshëm atëherë, e duam tani – një lojë e ndyrë e LDK-së

Franz Josef Straussi, politikani i famshëm dhe i gjithanshëm gjerman, njëherë ka thënë: «Të gënjesh domethënë: ta thuash me vetëdije të pavërtetën duke e ditur të vërtetën». Më 26 dhjetor kryetari i LDK-së, disa orë para se të ndodhi ajo që ndodhi në Kuvendin e Kosovës, tha: VV-së i takon posti i kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe ne do ta votojmë kandidatin që ata (VV) e propozojnë. Kryetari i LDK-së me atë rast po ashtu tha: nëse VV e propozon ndonjë kandidat nga radhët e LDK-së për kryetar të Kuvendit, ne si LDK nuk e pranojmë këtë propozim. Kështu, pa marrëveshje për koalicion (dhe këtu ka faj edhe VV), LDK e votoi kandidatin e VV-së për kryetar të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkohë LDK po insiston ta ketë postin e kryetarit të Kuvendit, duke «harruar» se çfarë ka thënë kryetari i LDK-së më 26 dhjetor. Postin që LDK nuk e donte më 26 dhjetor, e dëshiron në mes të janarit 2020. Kjo sjellje e shpërfaq LDK-në para opinionit si parti totalisht joserioze, qesharake, cinike, mashtruese dhe manipuluese. Duke qenë e vetëdijshme për lojën e pistë të saj, LDK në ofertën e fundit kërkon që postin e kryetarit të Kuvendit ta ketë vetëm për një vit – deri në ditën kur zgjidhet presidenti i Kosovës nga radhët e LDK-së, pastaj kryekuvendari do t’i takonte sërish VV-së.

Tash është lehtë të thuhet: VV duhet të mos lëshojë pe dhe të niset në aventurën e provokimit të zgjedhjeve (nuk ka garanci se do të ketë zgjedhje të reja dhe nuk ka asnjë garanci që VV sërish del e para). VV i bën një shërbim të madh Kosovës dhe mbi 400 mijë votuesve nëse hap rrugë për dalje nga qorrsokaku. Glauk Konjufca do të ishte edhe zëvendëskryeministër i mirë. Nëse edhe këtë variant LDK nuk e pranon, atëherë rrenat e saj bien në ujë dhe shihet ashiqare se kurrë nuk ka dashur koalicion me VV-në. Nëse LDK është bërë pjesë e lojërave të nëntokës për variante të tjera qeveritare, kjo do të merret vesh – herët apo vonë. LDK nuk duhet ta gënjejë me vetëdije opinionin më tutje.

Nëse nga takimi me ambasadorin e Donald Trumpit në Berlin krerët e LDK-së kanë marrë mesazh për një formacion tjetër qeveritar pa VV-në, ata duhet të kenë guximin ose ta kundërshtojë këtë mesazh ose t’i nënshtrohen, me krejt konsekuencat që sjell kjo qasje. VV e ka pjesën e vet të përgjegjësisë për krejt këtë situatë të krijuar, por çfarë po bën LDK është nën çdo nivel të sjelljes normale të një partie politike. Posti i kryetarit të Kuvendit nuk është vendimtar për jetën politike të Kosovës. Kryetari i Kuvendit është një moderator i mbledhjeve, në fund të fundit.

Sa për fillim VV dhe LDK do të kishin nga një post, siç po thuhet, kryesor në sistemin politik (VV kryeministrin, LDK folësin e parlamentit). Në atë çast që LDK e merr postin e presidentit, VV si parti me më shumë vota i mban dy poste kryesore – kryeministrin dhe kryetarin e Kuvendit. Me rëndësi urgjente është që kjo agoni e shkaktuar nga beteja për poste të marrë fund tash. Sepse ndërsa LDK dhe VV terrorizojnë opinionin me pallavra, dikush është duke e plaçkitur buxhetin e Kosovës nëpër pista të skijimit.

2. Një muze për programin e qeverisë që s’u bë!

Po ai programi i harmonizuar qeveritar për luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, për hetimin e vrasjeve të dyshimta dhe kapjen e vrasësve, për ndriçimin e privatizimeve mafioze, për shqyrtimin e monopoleve, për ndëshkimin e oligarkëve, për sundimin e ligjit, për profesionalizimin e shërbimeve publike, policisë dhe gjyqësisë, për krijimin e një sistemi të mirë shëndetësor e arsimor, për mbrojtjen e ambientit, për përfaqësimin serioz të Kosovës në politikën e jashtme, për zhvillim të bujqësisë – ku po mbetet, more, ai program? Të bëhen tok 400 mijë votues dhe të mblidhen para për ndërtimin e një muzeu për shpalosjen e programit të qeverisë që s’u bë. Hyrja në muze: falas. Ciceronë: dy kryetarët e partive që fituan zgjedhjet. Në fund të ecjes nëpër muze një sallë ku do shfaqet filmi: «100 ditë pallavra»!

3. Hashtagu nga Llapi: #metybabi

Pas pak në lidhje me gjendjen e koalicionit në Gjermani do të dalë me një deklaratë edhe vajza e Angela Merkelit. Nesër një deklaratë mbi gjendjen në kabinetin francez do ta lëshojë djali i Emmanuel Macronit. Pastaj priten prononcime për situatën në qeverinë e Austrisë nga djali i kancelarit Sebastian Kurz. Për tensionet në qeverinë kroate do të prononcohet së shpejti gjyshja e Andrej Plenkoviqit me banim në ishullin Hvar. Tezja nga Nikshiqi e Millo Gjukanoviqit do të deklarohet sapo ta gjejë makinën e shkrimit që ia ka lënë burri para se të dilte partizan më 1944. Halla e Viktor Orbanit, e cila jeton në Kikindë, ka premtuar po ashtu një reagim të shpejtë mbi punët e Hungarisë. Kushërinjtë e Boris Johnsonit, pasardhës të stërgjyshit të tij Ali Kemal, do të flasin nga Stambolli mbi Brexitin. #metybabi. #metymami. #metyteze. #metygjyshe. #metygjysh.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK