Zërat
Ditar Kabashi
Ditar
Kabashi

Koalicionet Qeveritare dhe pozita e Presidentit të Republikës

Zërat January 14, 2020 - 09:16
Nëpër binarët e parlamentarizmit kosovar

Shtetet e qeverisura bazuar në sistemin parlamentar kryesisht janë të mbarsura me qeveri koalicionesh. Nëpër botë mund të hasen edhe përjashtime nga ky rregull i pashkruar, mirëpo të tillat janë të pakta në numër dhe zakonisht kanë veçori specifike ose të sistemit zgjedhor ose të koniunkturës politike. 

Në grumbullin e madh të çështjeve për të cilat duhet të bien në ujdi, ortakët e një koalicioni qeveritar ndodh që ta bëjnë objekt marrëveshjeje edhe një subjekt të rëndësishëm në jetën shtetërore: kreun e shtetit. Kështu mund të ngjajë në vendet ku ky i fundit vjen në detyrë si rrjedhim i votimit për president në organin legjislativ. 

Çështje diskutimi paraqet dilema nëse emri i kandidatit për President duhet të jetë i parathënë që në çastin e arritjes së një pajtimi për bashkëqeverisje mes dy apo më shumë subjektesh politike apo duhet pritur kohën kur të jetë përafruar afati kushtetues i zgjedhjes së presidentit të ri. 

Organet kryesore kushtetuese në sistemin parlamentar

Megjithëse brenda sistemit parlamentar shfaqen modele të ndryshme të planimetrisë së terrenit normativ përkitazi me kompetencat dhe mënyrat e zbatimit të të drejtave dhe detyrave të bartësve të funksioneve publike, në teorinë e së drejtës ekzistojnë disa parametra të pranuar botërisht se kur pranohet që një shtet ka përqafuar sistemin parlamentar.  

Së pari, në parlamentarizëm, organi legjislativ (Kuvendi) buron nga vota e drejtpërdrejtë popullore. Organi ekzekutiv (Qeveria) zgjidhet në Kuvend dhe bart përgjegjësi politike karshi Kuvendit. Kjo do të thotë se Kuvendi mund ta shkarkojë Qeverinë me një mocion të suksesshëm mosbesimi, ashtu siç e ka sjellë në detyrë duke ia shprehur besimin ditën e votimit të përbërjes së kabinetit qeveritar. 

Për shkak se lidhjet dhe ndikimi i ndërsjellë midis organit legjislativ dhe atij ekzekutiv janë fuqishme, ndarja mes tyre është më e brishtë dhe kjo dukuri njihet si ndarje e butë e pushteteve shtetërore, për dallim nga sistemi presidencial që reflekton ndarje të ngurtë të tyre.  

Në margjinat e sistemit parlamentar, kreu i shtetit, varësisht nga trajta e sundimit - presidenti ose mbreti, gëzon pozitë asnjanëse, mbipartiake, të një mediatori institucionesh me rolin themelor në ruajtjen e stabilitetit politik në vend. Nga kjo premisë lind prezumimi se ai përfaqëson unitetin e shtetit dhe të popullit. Praktikisht, kjo parakupton se kreu i shtetit nuk do të ushtrojë veprimtari aktive në përcaktimin dhe realizimin e politikave ditore, të cilat, në parim, i takojnë domenit të Qeverisë. 

Karakteristikat e parlamentarizmit republikan supozojnë se - a priori - Presidenti zgjidhet në Kuvend. Megjithëkëtë, në disa shtete parlamentare Presidenti zgjidhet drejtpërdrejtë me vota popullore (Irlanda, Maqedonia, Mali i Zi, etj.). Zgjedhja direkte e tij nuk e tjetërson natyrën e sistemit per se. Pra, nuk bëhet fjalë doemos për sistem gjysmë-presidencial ose presidencial. Ajo që bën diferencën ndërmjet sistemeve është fuqia ekzekutive e Presidentit dhe jo mënyra e zgjedhjes së tij. Përderisa nuk i fuqizohet pozita kushtetuese Presidentit, në kontekst teorik supozohet se sistemi qeverisës ruan karakterin parlamentar. Mirëpo i njëjti pretendim mund të mos jetë real në jetën politike. Një president që fiton besimin në kutitë e votimit popullor mund të përpiqet të dalë përtej kornizave të tagrave kushtetues duke u thirrur në legjitimimin direkt nga qytetarët. Sido që të jetë, kjo paraqet një çështje hipotetike dhe spekulative.      

Modeli qeverisës sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës  

Republika e Kosovës, që kur zuri fill si shtet më 2008, po atë vit adoptoi Kushtetutën me të cilën ka paraparë qeverisjen sipas sistemit parlamentar. Ndonëse kjo nuk thuhet shprehimisht në tekstin kushtetues, fushëveprimi i njohur për organet kushtetuese, veçmas raporti mes legjislativit dhe ekzekutivit dhe pozita simbolike e Presidentit lënë të kuptohet ky pohim. Pra, sistemi politik i qeverisjes në Kosovë - duke qenë parlamentar - përvijon rregullat e zgjedhjes dhe funksionimit të organeve kryesore kushtetuese në kuadër të skemës që ofron parlamentarizmi.

Koalicionet: shtytës të bashkëpunimit apo nyje gordiane? 

Përkitazi me dukurinë e koalicioneve në teori hasen pikëpamje të ndryshme, madje të kundërta. Njëri këndvështrim avokon mendimin se koalicionet janë një mundësi e mirë për të avancuar demokracinë dhe për të ujitur kulturën e konsensusit që ajo të kultivohet siç duhet. Një qasje tjetër, koalicionet i cilëson si sinonime të mungesës së stabilitetit politik që priret për kriza politike e ekonomike. E vërteta është se në botë gjenden premisa që u japin të drejtë të dyja pretendimeve.  

Koalicionet nuk krijohen aq thjeshtë. Madje, ato nuk duhen bërë sakaq ngase atëherë vështirë sundon arsyeja e shëndoshë e ngritur mbi fondamentin e qeverisjes programatike por hapet fletorja e punës matematike për t’i llogaritur postet dhe privilegjet, të cilave zor se u reziston edhe një kalkulator modern. 

Këtu shfaqet një vijë e hollë, shkelja e së cilës prish ekuilibrat në skenën politike: koalicionet as nuk duhet formuar me shpejtësi drite (sidomos natën) dhe as bën të vonohen aq sa të humbasin kuptimin e procesit zgjedhor në sytë e votuesve. Përgjegjësia për ndjeshmërinë e kësaj gjendjeje u takon subjekteve parlamentare, të cilat vishen me tagrin kushtetues për të ndërmarrë veprime të tilla. Për të mos e lënë në amulli këtë çështje, kushtetutat dhe/ose ligjet përkatëse për zgjedhjet mund të vendosin disa afate, në mënyrë që të mos shkojë në pambarim orvatja për të jetësuar një koalicion dhe të hapen dyer për mundësi të reja. Kështu synohet të standardizohet procesi i zgjedhjes së bartësve të organeve të shtetit. 

Rëndom, kushtetutat përcaktojnë kritere formale (shumicë të caktuar, afate) lidhur me konstituimin e organeve të shtetit. Për ilustrim, në vijim do të jepen shkurtimisht shembuj rreth Kuvendit, Presidentit dhe Qeverisë në rastin e Kosovës.

Kriteret formale të Kushtetutës kosovare për funksionalizimin e organeve themelore

Kushtetuta e Kosovës deklaron se seanca konstituive e Kuvendit mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve (neni 66/1). 

Pasi të funksionalizohet Kuvendi, Presidenti konsultohet me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë dhe i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër. Ky kandidat për Kryeministër i ka në dispozicion  pesëmbëdhjetë ditë që ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës për miratim. Nëse voton pro shumica e të gjithë deputetëve (61 veta), Qeveria konsiderohet e zgjedhur. Kurse, në rast se nuk arrihet kjo shifër Presidenti brenda dhjetë ditësh emëron një kandidat tjetër sipas të njëjtës procedurë. Nëse as kësaj radhe nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen më së largu dyzet ditë nga dita e shpalljes së tyre (shih nenin 95). 

Po ashtu, Presidenti i ri duhet zgjedhur jo më vonë se tridhjetë ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave të deputetëve të Kuvendit në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President. Por, nëse edhe votimi i tretë dështon, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë ditësh (shih nenin 86). 

Pra, sikundër mund të vërehet, Kushtetuta ofron disa mundësi si në aspektin kohor që subjektet politike të mund të dakordohen ndërmjet vete, po ashtu edhe në prizmin e operimeve që vendi të mos përjetojë vakum në qeverisje. Përkundër këtyre, në të kaluarën e afërt Kosova ka qenë vatër e krizave të thella politike. Rasti “Sejdiu” (2010), rasti “Pacolli” (2011), rasti i bllokimit të zgjedhjes së Qeverisë (2014), rasti i kontestimit të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit (2014) etj. janë shembuj të freskët të tronditjeve të sistemit tonë kushtetues, të cilat gjetën rrugëzgjidhje vetëm pas interpretimeve që u ka bërë Gjykata Kushtetuese me aktgjykimet e saja.  

Në kërkim të përgjigjes 

Se a do të konsiderohen koalicionet burime të problemeve apo kontribuuese për demokracinë varet nga praktikat konkrete të shteteve të ndryshme. Ta zëmë, nëse në Gjermani koalicioni nënkupton përafrim programesh midis subjekteve dhe qëndrueshmëri sociale, në Kosovë, së paku deri më tani, ato nuk kanë prodhuar ndonjë efekt të dëshirueshëm. Më shumë se simbiozë politike, koalicionet janë dëshmuar për vetinë e rehabilitimit të anëtarëve të partive në institucionet publike. Përkundër këtij fenomeni negativ, përpjekjet duhet të drejtohen që të krijohen koalicione të cilat u kushtojnë përparësi parimeve të qeverisjes së mirë. 

Siç u tha në fillim të kësaj analize, duke qenë subjekt më vete, institucioni i presidentit mund të shndërrohet në objekt pazari të partive politike. Kështu shtrembërohet në realitet ideja e kushtetutëvënësit për një president legjitim (pa aluduar në legalitet) dhe përbashkues, pavarësisht se nga cili grupim politik mund të jetë propozuar apo të ketë pasur pozitë aktive kandidati më parë. Nuk është e nevojshme për paanësinë e një Presidenti që ai të mos ketë qenë pjesë e ndonjë subjekti politik. Afërmendsh, një kandidat i paraqitur nga deputetët e partive të një legjislature mund të ketë pasur lidhje direkte me ndonjë parti gjegjëse. Kjo nuk përbën arsye që ai të mos zgjidhet president. Por ama, në momentin kur votohet si i tillë, ai duhet të flakë tutje përkatësinë dhe preferencën partiake dhe të hapë një kapitull të ri për vete në përkushtimin ndaj pozitës së re pa e diskredituar zyrën e presidencës.  

Kushtëzimet e ndërsjella eventuale të subjekteve politike për emrin e Presidentit në hapat fillestarë të formimit të koalicioneve qeveritare në një interval kur nuk duken asgjëkund në horizont veprimet konkrete të zgjedhjes së Presidentit (për faktin se kriteret kushtetuese nuk janë plotësuar) mahisin plagët e organizmit të brishtë të shtetit kosovar dhe i zënë frymën edhe më fort demokracisë sonë të asfiksuar.  

Në këtë kontekst, qëndrimi indiferent i qytetarëve është i papranueshëm. Mbi të gjitha, votuesi nuk duhet ta shohë veten si dorëzanë i politikanëve, por si autorizues i tyre që ta përfaqësojnë në institucionet e caktuara. Në këtë mënyrë do të zbehet votimi mbi baza emocionale dhe do të rritet vetëdijesimi mbi kërkesën e llogarisë ndaj udhëheqësve: ashtu siç jepet një autorizim, mund të revokohet. Prandaj, aktivizmi qytetar duhet të jetë një kontrollor demokratik i operimeve të politikanëve.     

(*Autori është jurist dhe aktualisht vazhdon studimet e doktoratës në lëmin e të Drejtës Publike).                                       

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK