Zërat
Enver Robelli
Enver
Robelli

Tragjedia e Astrit Deharit, kapitulli i katërt

Zërat January 09, 2020 - 14:37
Rrëmuja dhe mjegulla që institucionet e Kosovës kanë krijuar në hetimin e vdekjes së Astrit Deharit është një nga skandalet më të mëdha të historisë bashkëkohore të Kosovës. Deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Ndërkohë dëshmitarët e mundshëm po vdesin ose zhduken.

Është therur me thikë apo e ka therur veten me thikë Dino Asanaj? Me cilën dorë e ka therur veten? Shoqëria kosovare me gjasë është pajtuar se nuk ka përgjigje në këto pyetje. Dino Asanaj ishte i afërt, shumë i afërt me figura që kanë shumë pushtet. Ai vendoste për dhe kundër privatizimeve. Vendimet e tilla preknin interesat e pushtetarëve, të cilët interesohen edhe për punë aq profane, siç është, ta zëmë, privatizimi i një hoteli në qendër të Prishtinës, ku më 1979 ka kaluar natën kryetari i atëhershëm i Jugosllavisë.

Në rastin e Astrit Deharit shoqëria kosovare me gjasë është pajtuar se në Kosovë jetën nuk e ke të sigurt edhe kur je në duar të shtetit, në burg. Një person që ndante dhomën e burgut me Astrit Deharin vdiq – pak muaj pasi humbi jetën në rrethana ende të paqarta, Astrit Dehari. Tani raportohet se është zhdukur një person tjetër, i cili po ashtu ka qenë në të njëjtën dhomë me Astrit Deharin. Ky i zhdukuri së fundi ishte dënuar në rastin e vrasjes së një polici. Jetonte në liri duke pritur vendimin e shkallës së dytë. Drejtësia e ka ditur se ky person, tani i vetëzhdukur, ka qenë në një dhomë burgu me Astrit Deharin. A nuk është dashur drejtësia të ketë kujdes të posaçëm ndaj këtij personi? Nuk ka qenë e mundur ligjërisht të mbahet në burg një person i dënuar në një rast të vrasjes së një polici, pra një zyrtari shtetëror? Drejtësia e Kosovës me siguri do të gjejë edhe për këtë rast arsyetime absurde.

Ndoshta mund të jetë krejt e rastësishme, por indikative është gjithsesi: «cimeri» i Astrit Deharit zhduket para se policia të marrë në pyetje Nexhmi Krasniqin, i cili ka qenë drejtor i policisë së Prizrenit në kohën e vdekjes së dyshimtë të Astrit Deharit. Që Krasniqi është ia afërt me partitë e themeluara nga komandantët, këtë e dinë të gjithë ata që duan ta dinë. Krasniqi pati deklaruar: «Viktima (Astrit Dehari) ka përdorur disa medikamente dhe ka ra në gjendje kome. Rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë. Në emergjencë ka shkuar pa shenja jete». Ndërkohë publiku ka qenë dëshmitar i raportit të ekspertëve zviceranë, të cilët nuk e përjashtojnë mundësinë që Dehari të jetë vrarë.

Kur u publikua raporti, në Kosovë u ndez një debat i madh, në mediat sociale e digjitale u kërkua që drejtësia sa më shpejt të marrë parasysh të gjeturat e ekspertëve zviceranë. Si gati çdo ngjarje a skandal edhe publikimi i raportit në Kosovë u harrua brenda pak ditësh. Pritej se në Kosovë do të vinin ekspertetët zviceranë për të prezantuar më gjerësisht raportin e tyre. Ikën tetori, nëntori, dhjetori dhe po afrohemi te mesi i janarit – dhe në këtë drejtim nuk ka ndodhur asgjë.

Tragjedia e Astrit Deharit i ka disa pjesë. Pjesa e parë është vdekja e tij, pastaj hetimet joprofesionale të palës kosovare, në vijim vdekja e një personi që ndante dhomën me të, dhe tani jemi dëshmitar të kapitullit të katërt: zhdukjes së personit tjetër që ka qenë me Deharin në dhomën e burgut. Rrëmuja dhe mjegulla që institucionet e Kosovës kanë krijuar në hetimin e vdekjes së Astrit Deharit është një nga skandalet më të mëdha të historisë bashkëkohore të Kosovës. Deri më sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Ndërkohë dëshmitarët e mundshëm po vdesin ose zhduken. Gjithçka rastësi? Ndoshta në Kosovë çdo vdekje është rastësi. Edhe vrasja e rojtarit të pyllit në Badovc afër Prishtinës në fund të dhjetorit. Një shtet ku gati çdo vrasje shpallet rastësi, edhe shteti shihet si rastësi.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK