Zërat
Gazeta Zëri
Gazeta
Zëri

Pasojat e shumta të vendimeve të pa analizuara paraprakisht

Zërat January 09, 2020 - 10:08

Institucionet vendore vendimmarrëse ato politike, ato ekonomike e financiare, edhe përgjatë vitit që lamë pas, në disa raste, morën vendime të ngutshme, pa analiza e pa shqyrtim të mundësive të zgjidhjeve për problemet në vend, shkruan sot gazeta Zëri.

Të bindura për veprime e vendime të drejta, sidomos në lëmin ekonomike-financiare, duke filluar nga vendimi për mbylljen e lojërave të fatit e deri tek marrja e licencës për institucione mikrofinanciare, vendimet e ngutshme nuk po lënë vend për sqarime. Siç duket, rruga më e lehtë për ta ishte vendosja e drynit, ose mbyllja e tërësishme e kapaciteteve ekonomike-financiare dhe jo qasja e gjetjes së një zgjidhjeje për problemet eventuale diskutabile.

Mjaftuan dy vrasje brenda një dite që kryeministri i vendit Ramush Haradinaj të marrë vendim për mbylljen e lojërave të fatit në vend për 10 vitet e ardhshme. Nuk u analizuan fare paraprakisht pasojat e mbylljes, humbja e sa e sa vendeve të punës, mbetja pa punë e qindra-mijëra punonjësve dhe pasojat vargan pas kësaj mbylljeje. Pikërisht për shkak të pasojave të numërta, kjo gjë u kundërshtua nga shumë persona, zëri i të cilëve ra në vesh të shurdhër. Mijëra punëtorë mbetën në rrugë, ndërsa Qeveria e Kosovës nuk ndërmori asnjë iniciativë për rehatimin e tyre në punë të tjera. Kjo solli edhe probleme tjera në vend, ndër to “lindja” e kazinove ilegale anembanë Kosovës. Shumë kazino në pjesë të ndryshme të vendit vazhdojnë të operojnë ilegalisht përderisa edhe Policia e Kosovës nuk i ka ndalur bastisjet në to.

Vendim tjetër jo shumë i peshuar dhe i analizuar, që ngriti zërat e popullit është edhe vendosja e tarifës për sigurimin e automjeteve me rritje 26%. Banka Qendrore e Kosovës mori këtë vendim pa asnjë njoftim paraprak dhe pa asnjë debat me klientelën. Prandaj edhe ky vendim u kundërshtua dhe vazhdon të kundërshtohet, madje edhe me protesta të shumta të klientëve. Protestat kundër këtij vendim vazhdojnë sot e kësaj dite. Dihet, në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, figurojnë rreth 300 mijë vetura të regjistruara dhe 110 mijë të paregjistruara.

Në vend që Banka Qendrore e Kosovës të merret me këtë problem dhe të gjejë mënyrën se si të zvogëlohet në minimum numri i veturave të paregjistruara, ajo zgjodhi rrugën më të lehtë, ose fare të lehtë- ngritjen e çmimit, duke pranuar me lehtësi kërkesën e kompanive të sigurimit dhe duke injoruar skajshmërisht kërkesat e klientëve. Pra çmimi i ngritur ishte kërkesë e vetme e kompanive të sigurimeve të Kosovës dhe kjo u përfill pa hezitim nga BQK-ja, ndërkohë që u injorua në tërësi kërkesa e klientelës për t’i mbajtur çmimet e pandryshuara. Natyrisht, vendimi i BQK-së për tarifa të ngritura ka impakt të madh në xhepat e qytetarëve. Edhe në këtë rast, vendimi i BQK-së është marrë pa ndonjë analizë paraprake për impaktin negativ që mund të sjell vendimi në jetën e qytetarëve.

E vendim tjetër i diskutueshëm i BQK-së ishte ai për heqjen e licencave ndaj institucionit mikrofinanciar jobankar “Monego” si dhe “Iute Credit”. Kumtimi i këtij lajmi u bë në një konferencë të jashtëzakonshme të organizuar nga BQK-ja e ku arsyeja e mbylljes ishte se kinse që të dy këto institucione kanë devijuar nga plani i punës së tyre në bazë të së cilës e kishin marrë edhe licencën. Madje, guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, potencoi që norma e interesit të cilat i përdornin ato ishin jashtë çdo standardi. Edhe ky vendim i BQK-së nuk ishte paraprakisht i shoshitur dhe i analizuar pasi që çështja e kamatave nukështë fare e rregulluar me ligj sikurse që është në vendet fqinje, ku kamatat janë të caktuara dhe institucione te tilla mikrofinanciare jobankare operojnë lirshëm .

Pikërisht për këtë, edhe në këtë rast Kosova rrezikon të humbas shumë. Të dy këto kompani të huaja me filiale në Kosovë kanë dërguar ankesa në gjykatë kundër vendimit për marrjen e licencës së tyre. Kosova përballë këtyre dy institucioneve mund ta humb betejën në këtë gjykatë pasi që, sipas përfaqësuesve ligjorë të tyre, revokimi i licencave ndaj këtyre kompanive nuk ka asnjë bazë ligjore. Si rrjedhojë e kësaj, të njëjtit me bindje thonë se Kosova do të humbas në këtë gjykatë.

Gjithsesi, me këto vendime, të vlerësuara nga njohësit e rrethanave dhe nga ekspertët e fushës, si të ngutshme, ka pësuar dhe po pëson jo pak Kosova. Në radhë të parë është shtuar papunësia-shumë punëtorë që kanë mbajtur familjet e tyre nga puna e tyre në këto institucione mikrofinanciare, tani sillen rrugëve si të pa punë. Me rritjen e papunësisë rriten edhe pakënaqësitë sociale e vështirësitë ekonomike. Ndërkohë që pushon fare gjenerimi dhe qarkullimi i parasë në dy kapacitete financiare siç ishin ato.

Një tjetër efekt shumë negativ, gjithsesi, është frikësimi nga këto vendime i investitorëve të interesuar të huaj për të investuar në Kosovë. Edhe pa këto vendime kishte hamendsime të shumta të investitorëve potencial të huaj. Kurse pas këtyre vendimeve skepticizëm për ta investuar kapitalin e tyre në vendin tonë është shtuar edhe më. Këto vendime bien ndesh edhe me përpjekjet institucionale që në Kosovë të vijnë sa më shumë investitorë të huaj dhe të hapin kompani në Kosovë. Mbyllja dhe marrja e licencave investitorëve të huaj pa analiza reale dhe shqyrtime të detajuara janë vendime të këqija. Ato hutojnë kompanitë ndërkombëtare, por edhe ato vendore. Këto vendime e shpërfaqin Kosovën si vend të paqëndrueshëm dhe jo të sigurt. E mendimet se Kosova është një vend jostabil dhe jo i sigurt për këto investime bën që kompanitë të tërhiqen vetë duke shikuar rrethanat e krijuara në terren.

Dihet, vendimet pa paralajmërim e pa një analizë të problemit favorizojnë në të shumtën e rasteve një palë të vetme. Kështu ndodhi me vendosjen e tarifës me çmim të ngritur 26% për sigurimin e automjeteve. Paguajnë qytetarët, përfitojnë kompanitë e sigurimeve.

E çfarë do të thotë e gjithë kjo për të ardhmen e Kosovës? Marrje të vendimeve pa analizë, apo pa vetëdijesim të institucioneve që jo çdo gjë mund të përfundojë me mbylljen e lojërave të fatit, institucioneve mikrofinanciare, apo me mbylljen e ndonjë kapaciteti tjetër ekonomik.

Po një gjë e tillë nuk do duhej të ndodhte. Jo në Kosovën demokratike dhe ku pretendohet se ka institucione stabile. Nevojiten ekspertë ligjorë dhe profesionistë të fushave përkatëse në çdo institucion, që vlerësojnë saktësisht nëse një institucion duhet apo jo të mbyllet dhe gjithashtu praktikat e mira të vendeve evropiane për rregullimin e këtyre çështjeve. Vlerësim duhet të bëhet edhe për fushëveprimtarinë e tyre dhe përputhja me kushtetutën dhe me ligjet në bazë të të cilave veprojnë ata. Nuk duhet që një politikan, qoftë ai president, kryeministër, deputet apo guvernator të vendos në moment për një çështje të ndjeshme dhe me shumë pasoja për vendin. Janë njerëzit kompetent që do të duhej që të vendosin në të mirë të vendit e qytetarëve por gjithmonë duke i analizuar rrethanat. Kështu krijohet Kosova që duam. Një vend me shumë vende pune, me ekonomi të zhvilluar e me siguri për investitorët e huaj dhe vendor.