Zërat
Demush Shasha
Demush
Shasha

20 vjet që nuk i pamë

Zërat January 07, 2020 - 10:47

Ishte mëngjes i ftohtë i janarit 1992 në Talin. Priit Kasesalue kishte mbështjellë shallin fort rreth kokës për ta mbuluar fytyrën nga ajri i akullt sovjetik. Ishte bërë ora e dytë që ishte duke pritur në rend për racionin ditor të bukës dhe të qumështit. E kishte shumë ftoftë. Me gjasë vuante nga hipotermia. Vendi ishte në kaos. Dyqanet e zbrazëta, valuta kishte humbur çfarëdo vlere, prodhimi industrial kishte kolapsuar për 30% - më shumë se gjatë Depresionit të Madh të 1930-ta. Pagat ishin ulur për 45%, inflacioni ishte rritur për 1,000%, ndërsa çmimet për 10,000%. GDP-ja për kokë banori ishte 2.000 dollarë.

Vendi i sapodalë nga komunizmi sovjetik ishte praktikisht pa institucione

20 vjet më vonë Priit Kasesalu nuk mund të jetë më i lumtur. Sapo e kishte shitur shpikjen e tij për 2.6 miliardë dollarë. “Skype”-in ia kishte shitur “Ebay”-it. Estonia, në ndërkohë, është bërë vend anëtar i BE-së, i NATO-s dhe i OECD-së. Aty nuk ka mbetur asnjë shenjë e komunizmit. GDP-ja për kokë banori është dhjetëfishuar, ndërsa eksporti njëzetfishuar. Sipas Bankës Botërore, Estonia është ekonomi me të hyra të larta. Shërbimet shëndetësore dhe arsimi vazhdimisht rangohen si më të mirat në botë. Dhe ofrohen falas.

Në Kosovë shpesh e arsyetojmë veten duke thënë - hajt se ka kohë. Arsyeja përse e fillova me këtë storie të Estonisë është për të vënë në kontekst faktin që Kosova në vitin që po lëmë pas shënon 20 vjet nga përfundimi i një epoke fatkeqe. Por për dallim nga Estonia, gjendja në Kosovë është pak a shumë e njëjtë sikur para 20 vjetëve. Kosova nuk është anëtarësuar në asnjë organizatë të rëndësishme politike. Rritja ekonomike jo vetëm që ka qenë e ngadaltë, por ka dështuar ta përmirësojë jetën e qytetarëve të rëndomtë. GDP-ja për kokë banori ka lëvizur tepër ngadalë përgjatë 20 vjetëve – nga 4,000 në 11,000 dollarë. Ndërsa eksportet kanë lëvizur nga 386 milionë në 2.2 miliardë. Papunësia vazhdon të jetë më e larta në rajon. Sistemi shëndetësor vuan nga dobësia sistematike dhe korrupsioni, ndërsa sistemi arsimor është ndër më të dobëtit në botë. Megjithatë, sikur të ishte e dalë nga skenarët e filmave të Scorseses, e ardhmja e Kosovës nuk është shpresëdhënëse.

Në skenarin më optimist Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim vlerëson se do të na duhen 40 vjet për ta arritur mesataren e GDP-së së BE-së për kokë banori, ndërsa në skenarin më pesimist 200 vjet. Ndoshta për këtë arsye askush nuk u befasua kur kuptuam se 58% e rinjve u deklaruan se me siguri të plotë, ose me gjasë, do ta lëshojnë Kosovën brenda tre vjetëve të ardhshme. Dhe faktikisht pikërisht kjo po ndodh: gjatë periudhës 2008 - 2018, sipas të dhënave të “Eurostat”-it, 30% e popullatës së Kosovës kanë emigruar drejt BE-së.

Gjatë vitit 2019 Kosova nuk ka shënuar kurrfarë përparimesh në rrugën e saj integruese. Liberalizimi i vizave mbeti i bllokuar për dy arsye: (1) mungesa e rezultateve në sundimin e ligjit, me theks të veçantë në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, dhe (2) pezullimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Nga ana tjetër, reformat e tjera evropiane ngecën në tërësi. Nga 22 prioritete kyçe të Agjendës për Reforma Evropiane, Kosova përmbushi vetëm 5. Sipas vetë institucioneve, 1/3 e Programit për Zbatimin e MSA-së nuk është përmbushur. Precedentin e humbjes fondeve të BE-së në vitin 2018 e përsëritëm edhe në vitin 2019. Në qershor Kosova humbi 12 milionë euro investim për ndërtimin e deponisë për menaxhimin e mbeturinave të rrezikshme.

Duke e lënë vitin 2019 mbrapa nesh, pyetja që vetimponohet është: A do të këtë liberalizim të vizave në vitin 2020? Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur kësaj pyetjeje është me një pyetje tjetër: A do këtë raste të suksesshme në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë gjatë vitit 2020?

Gjatë vitit 2020 Presidencën e BE-së do ta mbajnë dy vende mike: Kroacia dhe Gjermania. Nëse Kosova shënon progres në luftë kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe rifillon dialogu për normalizimin e marrëdhënieve, mund të kemi arsye të jemi optimistë.

E nisa këtë shkrim me storie të dy vendeve, të cilat kanë pasur pikënisje të ngjashme, por që brenda 20 vjetëve kanë arritur rezultate radikalisht të ndryshme. Shpesh më pyesin se çfarë kemi bërë gabim në Kosovë. Përgjigjen e saktë nuk e di. Por ia vlen t’i kthehemi përgjigjes së ish-kryeministrit të Estonisë kur e kanë pyetur se cili ishte sekreti i suksesit të Estonisë. Mart Laar ishte përgjigjur kështu: “Kur u bëra kryeministër isha 32-vjeçar. Shumica e ministrave të mi ishin më të rinj se unë. Si çdo i ri, ne kemi besuar se çdo gjë është e mundshme. Prandaj, e synuam të pamundurën”.

Të rinjtë e Kosovës janë duke arritur të pamundurën në sport, në kulturë, në art dhe në fusha të tjera. Tani është koha ta marrin edhe drejtimin e vendit.

(Autori është drejtor ekzekutiv i institutit “Epik”)