Zërat
Faton Bislimi
Faton
Bislimi

Tri Dekadat e LDK-se: Liri, Demokraci, Pavaresi

Zërat December 23, 2019 - 18:23

Sot 30 vite më parë, në ndërtesën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës u themelua Lidhja Demokratike e Kosovës. Në atë kohë, as themeluesit e saj nuk e kanë pasur të lehtë të besojnë se 20 vite pas themelimit të kësaj lëvizje popullore për liri, demokraci e pavarësi, Kosova do të ishte një shtet: i lirë, demokratik e i pavarur. Idealet e themeluesëve të LDK-së kanë qenë, tani më retrospektivë, bindje të heshtura që kanë tingëlluar thellë në zemrat e popullit të Kosovës; bindje të ruajtura me vetbesim e veprime të ndërmarra me vetmohim.

Themelimi i LDK-së ishte një këmbanë që thumboi veshët e secilit shqiptar të Kosovës, duke i përcjellë atij dhe asaj shpresën dhe besimin për ardhjen e tri postulateve të LDK-së: liri, demokraci, pavarësi. Përtej shqiptarëve të Kosovës, nën lidershipin e Dr. Ibrahim Rugovës, Presidentit Historik të Kosovës, kjo këmbanë u dëgjua dhe u mirëkuptua edhe nga aleatët tanë perëndimor, sidomos dhe fillimisht nga Washington, DC, e mandej edhe nga Berlini, Berna, Brukseli, Parisi, Londra, etj. Pa këta miq, tri shtyllat mbi të cilat është ndërtuar politika rugoviane e LDK-së nuk do të ngriheshin në realitet asnjehërë.

Këto tri postulate të LDK-së shpërfaqin jo vetëm tri etapat kryesore kohore (thuajse një dekadë secila) por edhe thelbin e filozofisë politike të Dr. Rugovës.

Liri (1989-1999)

Kjo dekadë e historisë moderne të Kosovës tani më ka shënuar periudhën kohore më të vrazhdë dhe më të përgjakëshme për vendin tone. Përpjekjet për liri të Kosovës ishin maratonike dhe mbi të gjitha sistematike. Nën udhëheqjen e Dr. Rugovës, rezistenca aktive paqësore e shqiptarëve të Kosovës për liri u bë shembulli më i cmuar në botë për angazhimin sistematik të një populli për liri vis-a-vij një xhelati pushtues. Organizimi dhe funksionimi i shtetit parallel të Kosovës në këtë kohë u bë një nga vecoritë unike të veprimit politik rugovian.

Kulmimi i përpjekeve për liri në këtë kohë erdhi me daljen në skenë të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës si goditja ultimative që do i jepej pushtuesit serb. Lufta për clirim e djemëve dhe vashave më të mira të vendit i dha vulën e fitorës përpjekjes së Kosovës për liri. Toka e Kosovës tanimë u bë altar i lirisë për shumë heronjë e heroina, si dhe u ujit me gjakun e mijëra civilëve, të moshuarëve e fëmijëve shqiptarë që u bënë viktima të gjenocidit serb.

Përpjepjet e rezistencës aktive paqësore për gati dhjetë vite para luftës frontale në Kosovë, vecse kishin alarmuar faktorin ndërkombëtar për kërkesat e drejta dhe legjitime të popullit të Kosovës si dhe për planet makabre serbe. Edhe Konferenca e Rambujesë e kishte bërë faktorin ndërkombëtar të kuptojë se Serbia pos dhunës nuk kupton gjuhë tjetër. Lufta për clirim ishte thirrja e fundit për shpëtim të një populli në të drejtën e tij themeltare për të jetuar i lirë dhe në paqe në tokat e veta autoktone. Perëndimi nën udhëheqjen e SHBA-ve nuk mundi të rrijë duarkryq, por iu vursul Serbisë me NATO-në nga qielli deri në clirimin përfundimtar të Kosovës.

Demokraci (1999-2008)

Pas clirimin të Kosovës, pos vendosjes së NATO-s për të ruajtur paqën dhe sigurinë në vend, institucionet qeveritare të vendit u krijuan nga Misioni i Përkohshëm për Administrimin e Kosovës nga Kombet e Bashkuara (UNMIK). Nën tutelën e UNMIK-ut, Kosova kaloi një periudhë kohore gati se dhjetë vjecare gjatë së cilës ajo ndërtoi institucionet veta vetëqeverisëse si në nivel lokal ashtu edhe në atë nacional.

Kjo periudhë shënon kohën gjatë se cilës Kosova e përvetësoi mjaftueshëm demokracinë. E them këtë, sepse elementet kyce të demokracisë filluan të zbatohen plotësisht dhe sipas standardeve ndërkombëtare në Kosovë—zgjedhjet e lira dhe fer, themelimi dhe funksionimi i institucioneve të sundimit të ligjit, liria e fjalës, transferi i pushtetit nga një parti tek tjetra, ekonomia e tregut të lirë, etj. Demokracia ishte praktikuar në Kosovë edhe para 1999-tës, por pa legjitimitet ndërkombëtar. Tanimë, edhepse nën tutelën e UNMIK-ut, kjo periudhë kohore i shërbeu Kosovës për të mësuar sjelljen institucionale dhe shtetërore të një demokracie liberale.

Rol esencial në këtë periudhë të demokracisë institucionale përsëri kishte luajtur Dr. Rugova dhe LDK-ja. Përkundër faktit që në zgjedhjet e para nacionale të pasluftës Dr. Rugova kishte fituar një shumicë solide të vendeve në parlament, për hire të konsolidimit shtetëror e institucional, ai kishte pranuar kompromisin e madh që qeverinë e vendit asokohe ta udhëhiqte Dr. Bajram Rexhepi nga kampi oponent i LDK-së, nga PDK-ja. Njëtrajtshëm kishte vepruar Dr. Rugova përsëri kur positën e të parit të qeverisë ia kishte dhënë Ramush Haradinajt nga AAK-ja. Rugovizmi si filozofi politike ishte ndërtuar mbi kompromisin për shtetin dhe jo për pushtetin. Veprimet politike të LDK-së në atë kohë ishin testamenti më i mire i rugovizmit real.

Pavarësi (2008-2019)

Pas gati dhjetë vite praktike demokratike nën tutelën e UNMIK-ut, Kosova tanimë ishte e gatshme që vet dhe si e pavarur ta vazhdojë rrugëtimin e shtetndërtimit. Rrjedhimisht pas një periudhe disavjecare të negociimit për statusin final politik të Kosovës nën udhëheqjen dhe ndërmjetësimin e të deleguarit të posacëm të OKB-së, z. Marti Ahtisaari, Kosova në koordinim me miqtë e vet perëndimor, shpalli pavarësinë e vendit me 17 shkurt 2008. Procesi i negocijatave të Vjenës nuk ishte as i lehtë e as i shpejtë. Suksesin që Kosova arriti ta nxjerrë nga ky proces – shpalljen e pavarësisë së vendit – nuk është se nuk e pagoi kogja me kompromise të mëdha për minoritetin serb në Kosovë.

Dr. Rugova si udhëheqës i Ekipit të Unitetit, ku rol kyc kishte edhe opozita e vendit, asokohe e udhëhequr nga Hashim Thaci, kishte bërë atë që më nuk mundi ta bëjë askush. AI kishte arritur që për interes shtetror të fuzionojë pushtetin bashkë me opozitën. Dr. Rugova fatkeqësisht nuk jetoi për të pare shpalljen e pavarësisë së Kosovës, po ai ishte hallka pa të cilën, realisht pavarësia vështirë se do arrihej.

Faza e paspavarësisë në procesin e shtetndërtimit të vendit ka pasë më shumë turbulence sesa progres solid. Tani e mbi një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, procesi i dialogut Prishtinë-Beograd ka tejkaluar cdo kufi të një dialogu Teknik sic ishte filluar, dhe ka rrëshqitur krejtësisht në një proces të rinegociimit të statusit të Kosovës. Sot flitet për ndryshim kufijsh, shkëmbim territoresh, për gjykatë speciale e për cnjohje të pavarësisë nga vende që vecse e kishin njohur shtetësinë e vendit njëherë. Katrahura politike në të cilën vendi ynë ka hyrë pas mëse një decade shtetndërtimi në pavarësi është jo vetëm se brengosëse por edhe sfiduese për vazhdimin e procesit të shtetndërtimit.

Tri Dekadat e LDK-së Udherrefyes per Ecjen Tutje te Saj

Ky tridhjetëvjetor i LDK-së është koha ideale për të reflektuar mbi të kaluarën e kësaj lëvizje fillimisht, e mandej partije politike. Cdo vlerësim racional dhe objektiv tregon se sukseset kulmore të LDK-së në këtë tri dekada të veprimtarisë së saj janë suksese kryekëput të ndërlidhura me veprimet politike të Dr. Rugovës të udhëhequra nga filozofia politike rugoviste. Është pikërisht rugovizmi pra alfa dhe omega e suksesit 30-vjecar të LDK-së. Është rugovizmi që këtë tri dekada të LDK-së i lidhë direkt me tri etapat e procesit të shtetndërtimit të Kosovës: liri, demokraci, pavarësi.

Në secilën prej këtyre fazave, veprimet politike të Dr. Rugovës sa ishte gjallë, ishin rugovizmi në praktikë që shënuan secilën prej këtyre dekadave: rezistenca paqësore aktive në fund të së cilës Dr. Rugova vënë në ballë ata që thirreshin në udhëheqjen politike të UCK-së, duke i lënë të njëjtëve kryesimin e delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambujesë, duke vënë interesin shtetëror e popullor mbi atë pushtetar (dekada e përpjepjeve për liri, 1989-1999); demokratizimi institucional në Kosovës sipas standardeve ndërkomëbtare dhe i njohur ndërkombëtarisht përmes zgjedhjeve të lria dhe fer, transferit të pushtetit, sundimit të ligjit, lirisë së shprehjes, ekonomisë së tregut të lirë, nën tutelën e UNMIK-ut, duke pranuar kryeministra konsensusi për të ruajtur balancin politik dhe petkun multipartiak të marrjes së përgjegjësive institucionale (përsëri duke vënë në rend të parë interesin shtetëror dhe jo atë pushtetar a partiak); si dhe pavarësimi i vendit, edhepse ky proces kulmoi pas vdekjes së Dr. Rugovës, veprimet e tij politike para se te shkonte në amshim kishin vënë gurthemelin e duhur në Ekipin e Unitetit, fryma e të cilit përcolli qeverisjen e vendit gati edhe një dekadë pas shpalljes së pavarësisë së vendit (prap duke lënë anash privilegjin e pushtetit personal, por duke vënë në rend të pare rendësinë e interest shtetëror të vendit).

Sot, kur LDK po hynë në dekaden e katërtë të jetës së vet politike, duket se trashëgëmia që i la asaj Dr. Rugova është ideal që nuk bënë të harrohet e as anashkalohet assesi. Sot më shumë se kurrë, rugovizmi real është rruga që duhet ndjeke LDK-ja.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK