Zërat
Esad Ejupi
Esad
Ejupi

Rëndësia e parandalimit dhe e shmangies së konfliktit të interesit

Zërat dhjetor 09, 2019 - 13:23
Esad Ejupi

Konflikti i interesit nuk është apriori korrupsion, por nëse situatat e konflikti të interesit nuk menaxhohen mirë mund të shpien pastaj në korrupsion. Prandaj, nëse kemi parandaluar ose kemi zgjidhur mirë një situatë të konfliktit të interesit, atëherë rrjedhimisht kemi parandaluar edhe një rrugë ose një aferë të mundshme korruptive

Jeta institucionale dhe në përgjithësi jeta publike gjithmonë është përballur e përballet edhe sot me interpretime të ndryshme, sidomos kur ka pasur ose kur ka vendimmarrje për çështje të caktuara.

Këto interpretime/komentime të ndryshme janë bërë dhe bëhen edhe më të zëshme kur nga to përfitojnë direkt njerëzit vendimmarrës ose të afërmit, familjarët, shokët e miqtë e atyre që i marrin ose i nxjerrin ato vendime.

Termin që sot e lexojmë dhe e dëgjojmë shpesh, si në medie, si në jetën institucionale ose gjithkund ku ka vendimmarrje, është termi “konflikt interesi”.

“Konflikt interesi” si term është relativisht i ri në jetën institucionale në vendin tonë. Thënë edhe më konkretisht, ka filluar të përdoret krejt në fillim të këtij shekulli.

Dikush e ka kuptuar mirë çka është “konflikti i interesit”. Dikush për të arritur ndonjë qëllim, me të drejtë ose pa të drejtë, aludon në “konflikt interesi”, dikush nuk e ka kuptuar akoma mirë çka është “konflikti i interesit”, dikush mendon se çdo parregullsi që ndodh në jetën publike e ka emrin “konflikt interesi” etj., etj.

Kjo dukuri, si natyrë, me disa transformime në emërtim dhe në mënyrën e shfaqjes, është e njohur qëmoti. Por përderisa tash që edhe shkenca, edhe praktika e quan “vendimmarrje me konflikt interesi”, në kohërat e kaluara kjo është quajtur “vendimmarrje me t’njofshëm”.

Termi “konflikt interesi”është relativisht i ri në jetën institucionale në vendin tonë. Thënë edhe më konkretisht, ka filluar të përdoret krejt në fillim të këtij qindvjeçari.

Nëse e shikojmë historikisht, administrata publike ose e gjithë jeta publike vazhdimisht është ballafaquar dhe ballafaqohet me vendime që jogjithmonë konsiderohen të drejta e objektive. Edhe në të kaluarën ka pasur vendimmarrje mbi bazën e ndonjë interesi personal, një favorizimi ose një nepotizmi.

Dallimi këtu ekziston jo te natyra e kësaj dukurie, por tek emërtimi. P.sh. kur në të kaluarën dikush ka fituar një vend pune, ka kaluar një provim, ka kaluar një komision, ka fituar një bursë ose ka fituar çfarëdo të drejte në garë ku ka pasur konkurrencë e për të ka vendosur dikush më të cilin ka pasur lidhje të cilësuar si person i afërt (familjar) ose person në lidhje tjetër, kjo nga konkurrentët e tjerë dhe në përgjithësi nga publiku është interpretuar/komentuar si “sukses” ose e drejtë e fituar “me të njofshëm”.

Ndërsa tani për situata afërsisht të njëjta, por jo vetëm kaq, ekziston ligji i veçantë, që quhet Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksioneve Publike. Ky ligj, pos asaj që quhet “konflikt interesi”, rregullon edhe disa nga papajtueshmëritë në ushtrimin e funksioneve publike.

Pra me termin “konflikt interesi” nënkuptohen situatat kur personi që ka rol vendimmarrës ndikohet nga ndonjë interes personal e privat ose nga dëshira për ta favorizuar dikë nuk e kryen detyrën e tij zyrtare në mënyrë objektive dhe të paanshme.

E mira këtu qëndron te fakti se tani dukuritë e tilla ndalohen dhe sanksionohen nga shteti. Por para se për situata të tilla Gjykata të shqiptojë sanksionet, Agjencia Kundër Korrupsionit, si autoriteti qendror për zbatimin e këtij ligji, bashkë me autoritetet përgjegjëse për parandalimin e konfliktit të interesit nëpër të gjitha institucionet publike të vendit nga viti në vit kanë shtuar përpjekjet që ato t’i zgjidhin dhe t’i parandalojnë. Kjo duke intensifikuar edukimin, sensibilizimin dhe këshillimin e zyrtarëve publikë.

Përveç këtij ligji të veçantë, pra për parandalimin e konfliktit të interesit ekzistojnë dhe duhet të ekzistojnë edhe një varg kodesh të etikës ose kode të mirësjelljes nëpër institucione publike të vendit, që në kuadër të vet, pos të tjerash, kanë edhe dispozita (ose rregullore të posaçme), të cilat e rregullojnë pikërisht konfliktin e interesit brenda institucionit të tyre. Kur themi e rregullojnë nënkuptohet që në të ka ndalesa për punë dhe veprime të caktuara, ka kufizime dhe ka këshilla si të evitohen situatat e konfliktit të interesit.

Pos Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, edhe Kodet e Etikës janë ndihmesë e madhe në sensibilizimin e zyrtarëve publikë në parandalimin e konfliktit të interesit, sepse abuzimi me pushtetin nuk është vetëm kur shkelen ligjet, por edhe kur shkelen rregullat e etikës.

Është evidente se në pjesën më të madhe të rasteve korrupsioni shfaqet në ato situata kur një interes i mëparshëm privat ka ndikuar në kryerjen e padrejtë të detyrës së zyrtarit publik. Kjo është arsyeja pse do të ishte e mençur të mendohet parandalimi i konfliktit të interesave, si pjesë e një politike më të gjerë për parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit. E vendosur në këtë kontekst, politikat mbi konfliktin e interesit janë një instrument i rëndësishëm për ndërtimin e integritetit të sektorit publik dhe për mbrojtjen e nxitjen e demokracisë në përgjithësi.

Thënë shkurt; konflikti i interesit nuk është apriori korrupsion, por nëse situatat e konfliktit të interesit nuk menaxhohen mirë mund të shpien pastaj në korrupsion. Ndonjëherë ka konflikt interesi kur nuk ka korrupsion dhe e kundërta.

Prandaj, rëndësia e parandalimit ose e shmangies së konfliktit të interesit qëndron në faktin se; nëse kemi ndaluar ose kemi zgjidhur mirë një situatë të konfliktit të interesit, atëherë rrjedhimisht kemi parandaluar edhe një aferë të mundshme korruptive në përgjithësi.

(Autori është drejtor i Departamentit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Agjencinë Kundër Korrupsionit).