Zërat
Mehmet Gjata
Mehmet
Gjata

Komplimente, Kosovë!

Zërat October 07, 2019 - 13:43
Lexoni detajet

Zgjedhjet e djeshme, të jashtëzakonshme, dëshmuan se Kosova e kosovarët janë perëndimorë dhe shumë të civilizuar në respektimin e procesit zgjedhor, të votës së lirë dhe të verdiktit të sovranit. Dje nuk pati asnjë ekses, asnjë shkelje të madhe të rregullave zgjedhore, e cila do të ndikonte në rezultatet përfundimtare.

Kosova, definitivisht, di të bëjë zgjedhje. Jo të çfarëdoshme, as sa për të thënë, por zgjedhje të mira, korrekte. Dhe çka është me rëndësi, shumë demokratike. Zgjedhjet e djeshme, të jashtëzakonshmet, dëshmuan se Kosova e kosovarët janë perëndimorë dhe shumë të civilizuar në respektimin e procesit zgjedhor, të votës së lirë dhe të verdiktit të sovranit. Dje nuk pati asnjë ekses, asnjë shkelje të madhe të rregullave zgjedhore, e cila do të ndikonte në rezultatet përfundimtare. Dominoi qetësia, pati paqe e mirësjellje në vendvotime dhe në ambientet që kishin të bënin me zgjedhjet.

Qytetaria e kosovarëve dje u dëshmua edhe me daljen rekorde në votime. Mbi 44 për qind e emrave në listat zgjedhore dolën në votime. Nuk hezituan fare me gjithë pakënaqësitë e shpërfaqura haptazi me huqjet dhe me dështimet e deritashme të pushtetarëve, të autoriteteve të deritashme dhe të përfaqësuesve të institucioneve të vendit. Dje numri i votuesve ishte rekord në vitet e pasluftës. Dhe ky fakt, sikundër edhe qetësia që përshkoi procesin zgjedhor të 6 tetorit domosdo që la nën hije rezultatin zgjedhor final. Sovrani deshi ndryshimin, e arriti ndryshimin. Por pa ekzaltime. Pa pompozitet dhe pa eufori irrituese. E gjithë kjo dëshmoi për të satën herë se Kosova tashmë ka traditë zgjedhore. Di të organizojë dhe t’i mbajë ato pavarësisht jo pak dështimeve gjatë proceseve parazgjedhore e zhgënjimeve të elektoratit për neglizhencën institucionale për t’i evituar dobësitë, ngecjet dhe përsëritjen e gabimeve nga zgjedhjet paraprake.

Edhe dje u zbuluan në disa raste emrat e të vdekurve në listat zgjedhore. Pati aty-këtu edhe ndonjë fotografim të votës, ose votim me përcjellës, ose familjar. Sa e sa herë elektorati ka kërkuar deri më tash që të pastrohen listat zgjedhore, sikundër që të zgjedhurit dhe pretenduesit për t’u zgjedhur kishin premtuar edhe pastrimin e listave, edhe reformën zgjedhore. Por mbetën ashtu siç ishin tash e 20 vjet me radhë – listat me të vdekur dhe Kosova pa reformë zgjedhore.

Më 6 tetor sovrani edhe këtë neglizhencë të pafalshme e fali dhe e amnistoi. Doli me numër rekord në votime dhe i zhvilloi ato denjësisht e qetësisht. Për këtë fakt, elektoratin kosovar duhet komplimentuar sikundër duhet t’i bëhet kompliment edhe për procesin korrekt e të drejtë të numërimit të votave. Mbrëmë po ashtu deri në publikimin e rezultateve të para preliminare nuk u raportua asnjë ekses i vetëm gjatë numrit dhe asnjë tentim për t’u keqpërdorur numërimi i votave. Kjo e dhënë nuk është pak për Kosovën me demokraci të brishtë, por që po i tregon vetvetes e botës që do dhe di t’i përmbushë standardet zgjedhore.

Mua personalisht më bëri përshtypje të mirë edhe maturia e përfaqësuesve të subjekteve politike gjatë komunikimit me publikun dhe në konferencat e shtypit. Ata, edhe pse si rëndom shfaqën fituese partinë e tyre, thuajse te të gjithë vërehej doza e maturisë dhe kujdesi për t’i ikur ekzaltimit e euforisë së padurueshme për publikun.

Prandaj, mund të thuhet lirshëm se procesi zgjedhor dhe ai i numërimit sikur lanë nën hije rezultatin, që tregoi po ashtu për arritjen e ndryshimit aq shumë të dëshiruar dhe aq shumë të pritshëm për kosovarët. Për këtë nuk duhen kursyer komplimentet për kosovarët!

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK