Zërat
Idro Seferi
Idro
Seferi

Gandi dhe luftëtarët e Ballkanit

Zërat May 21, 2019 - 18:25

“E refuzoj dhunën pasi kur ajo paraqitet të bëj mirë, e mira është vetëm e përkohshme, e keqja që e bën është e përhershme”, thoshte Mahatma Gandi. Fjala luftë në Ballkan përmendet shpesh, po aq sa përmendet fjala paqe. Të durueshëm dhe çmimin Nobel për paqe e meritoj qytetarët e këtyre vendeve. Politika në Ballkan po ikën nga e shkuara dhe nga e ardhmja pasi asaj i leverdisë e tashmja.

Para pak javësh disa serb në Republikën Srpska i kishin dhënë një ultimatum shefit të tyre, pronarit të një pike karburanti se nëse nuk ua rritë rrogat në 300 në vend të 250 eurosh nuk duan të punojnë më. Shefi, që me gjasë fiton pak më shumë në natë se ata në muaj, u kishte thënë bën por vetëm 275 euro. Kjo përgjigje e kishte kushtuar pronarin të paktën për një natë aq sa i kishte rritur rrogat. Punëtorët e pakënaqur e kishin rrethuar si zakonisht vendin e tyre të punës kur e mbyllnin. I kishin vënë çelësin dhe kishin ikur që aty për ta njoftuar pronarin se të gjithë punëtorët dhanë dorëheqje dhe nuk do ta shërbejnë më. Nëse e do pikën e karburantit atëherë le të punoj vet. Ky lajm u dha gjithandej ku flitet gjuha që dikur quhej serbo-kroate. Kjo u bë si një lloj kureshtje për një ngjarje të pazakontë.

Këtu punëtorët u panë si heronj, por jo edhe jeta e tyre e brendshme dhe pse kjo punën nuk ishte shumë e pazakontë. Kryesisht jam për ekzistimin e një sistemi dhe jo një anarkie të plotë, siç dihet rëndom të ndodh, pas revolucioneve në Ballkan. Por, ku kanë të drejtë këta punëtorë është heqja dorë e pritjes që dikush të vendos se sa rrogë meritojnë për punën e tyre pasi tregu këtu nuk përcakton asgjë, duke e patur parasysh që ka punëtorë sa të duash edhe me nga 200 euro. Por, të gjithë e dinë që tashmë pak a shumë janë çmimet e unifikuara dhe me aq para në muaj nuk jetohet as në fshat pasi nëse asgjë tjetër, çdo kontakt me botën e sistemeve do të kushtoj në jetë një shumë të madhe. Mbase mund të ushqehet disi një familje, por shumë i plotësojnë vetëm nevojat elementare të tyre.

“Këtu jemi mësuar që të blejmë gjithmonë jo atë që na duhet, por një zëvendësim të vetëkënaqemi”, më thoshte një taksist në Sarajevë, derisa bënim një xhiro për rreth qytetit të shtrirë në dy kantone. Një ditë mu kujtua ky vend me shumë ligje. Shembull të shkosh në Aeroportin e Sarajevës mund të marrësh një taksi, por krejt varet se ku je nisur. Një turist që niset për në qendrën e skijimit në Jahorinë nuk mund ta marrë taksistin nga Sarajeva. Kjo është disa kilometra në Republikën serbe dhe taksistëve u lejohet të jenë vetëm në pjesën e kantonit të tyre. Për të shkuar dhe respektuar ligjin taksistët e Sarajevës mund të çojnë njerëz deri në kufi, një rrugë me blloqe pallatesh që ndahet mes për mes. Disi kështu numrat qift janë në republikën serbe ta zëmë kurse ata tek në kantonin federative. Nëse turisti mbaron skijimin dhe dëshiron të kthehet nuk mund të marr një taksist serb nga Jahorina nuk mund të shkoj deri në aeroport. Të gjithë e dinë se funksionimi i tillë është i palogjikshëm, por askush nuk bën asgjë. Kjo është Bosnja.

“Duhet tua sqaroj turistëve që tabelën e heqim për shkak të komplikimeve me policinë”, thotë shofer Hasani derisa më çon në këtë drejtim pasi kishte ndaluar para tabelës “Republika Srpska”, ku nga kulmi i makinës doli shpejt dhe hoqi në bagazh tabelën e verdhë ku shkruante “Taxi”. “Ndonjë turist mund të mendoj se do ta marr peng dhe nuk jam i regjistruar”, thotë shoferi, përderisa vëren se më mirë është po të jenë turist nga ish-Jugosllavia pasi ata e kuptojnë këtë.

Javën që shkoi ishte edhe një tentim tjetër në Tiranë për ripajtimin e Ballkanit në procesin e Brdos. Ashtu sic ka devijuar arsyeja e nisjes së suksesshme të këtij procesi, ashtu ka devijuar edhe ideja për zgjidhjen e problemeve apo të ripajtimit. Kjo duket shumë larg tani, madje edhe më larg se dikur.

E gjithë kjo ngjarje edhe një herë u zhvillua në frymën tradicionale të ngritjes së tensioneve. Tensionet shkuan nga mungesa e fotografive të përbashkëta, shtrëngimi i duarve dhe kush se çfarë kujt i tha. Pati pak de të reja dhe kryesisht riciklime.

Ironija është se ky proces kishte nisur me procesin e marrëveshjeve Kroaci-Slloveni rreth kufirit dhe konteksteve të atjeshme. Në pushtët nuk janë ata që e kishin nisur dhe donin që edhe fqinjët e tyre “të bien razi”, për ndonjë konflikt të mundshëm. Kroacia dhe Serbia patën përsëritur konfliktin e tyre dhe mospajtimet ende ekzistojnë. Pra një takim në një proces si shembull i mirë që nisi dikur, por që nuk qëndron.

Kështu shkoi dëm edhe një takim tjetër rajonal i kushtueshëm me qindra veta në delegacione, përkthyes, hotele, salla e dreka. Por, konkluzioni ishte një gjë, të gjithë do të shkojmë në Bashkimin Evropian. Dikush në Bruksel sigurisht do ketë qeshur.
Një ditë më pas, në Serbi u mbajtë parada ushtarake në të cilën shteti serb tregoj forcën e saj në Nish. Këtu morri pjesë edhe një i dënuar për krime lufte, por tani nuk ndodh asgjë me pranitë e tilla.

Fjala luftë nuk ka munguar këto vitet e fundit dhe ajo disi si në kuzhinë ta zëmë “kajmaku shkon me mish”, kështu duket se fjala “paqe dhe stabilitet” shkon bashkë me fjalën luftë.

Kështu edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha në Tiranë se “luftë mund të ketë, por ndarje jo”. Fjalën luftë e përmendin shumë politikan në Serbi dhe mbi të gjitha në drejtimin e Kosovës, por natyrisht vetëm nëse sulmohen serbët atje. Mitet e armiqve duhen për të kërkuar kush është ai që do na shpëtoj nga ta. Heronjtë!

Fjala luftë nuk përmendet për herë të parë në Ballkan në kohë paqe. Sistemet e ndryshme e njohin frikën, tensionet dhe idenë për një armik të madh prej kohësh. Ata që e kanë ndjekur fjalimin e Josip Broz Titot, diku në ditën e fundit të rinisë kur shoku Titot thoshte: “populli që ka një rini të tillë nuk ka arsye të brengoset”, fliste me retorikën çlirimtare gati katër dekada pas përfundimit të luftës. Me një fjalë të gjithë në ish-Jugosllavi e kanë ditur se sa të ekzistoj ky shtet lufta e lavdishme do të vazhdonte të ishte pjesë ashtu siç edhe betimi i pionierëve. Luftë dhe luftë, por për kënd po bëhet kjo lufta që do vijë? Për popullin që beson tek heronjtë apo për ata që nuk kanë ku të shkojnë?

Ndërkohë që politikanët e Ballkanit po e masin fuqinë e tyre në mënyra të ndryshme, në hidhërime në foto familjare, mos pjesëmarrje në dreka për shkak të dikujt, apo defileja me tanke për hir të Ditës së Evropës, qytetarët e tyre ikin ku ta kenë mundësinë e parë për punë në Kroaci, në Rusi, Evropë e Amerikë, por sidomos po ta kenë mundësinë në Gjermani.

Politikanët e Ballkanit, e sidomos ata të vendeve që kanë qenë në luftë njëra me tjetrën luajnë me viktimat, me proceset e arritura deri më tani, me vuajtjet e këtyre njerëzve pasi mbrojnë vetveten nga proceset e përgjegjësisë. Ne paguajmë me paqen tonë dhe jetën tonë qetësinë e dikujt dhe të disave. Ata dëfrehen në harem si burzhuj, trashëgimtarët e fronit.

Statistikat tregojnë se vendet e Ballkanit nuk kanë dëshirë të luftojnë, aq më pak serbët më shumë jo se sa po. Por, siç do të thoshte një ekspert këtu që mundohej ta mbajë gjallë shpirtin patriotik: anketuesit duhet ta kenë bërë pyetjen gabim kur kanë pyetur a jeni të gatshëm për luftë.

Natyrisht se po të gjithë jemi të gatshëm për ta bërë edhe një luftë, përse jo edhe ashtu nuk pritet të ndodh gjë e mirë. Duhet bërë luftë për të ndaluar ata punëtorët e pikës së karburantit të ikin, për të ndaluar mundësinë që tash edhe pleqtë të shkojnë në kurse të gjermanishtes, për ta ndaluar mundësinë e udhëtimit pa viza një herë në jetë për qytetarët e gjobitur padrejtësisht të Kosovës, për ta ndaluar progresin dhe për ta ndaluar zhdukjen e korrupsionit dhe krimit. Një luftë për ti shlyer borxhet dhe kreditë ndaj bankave, duhet një luftë për të dhënë mundësi të re të besohet edhe një herë në liri dhe përse jo t’ia tregojmë Bashkimit Evropian që ka harruar arsyen e themelimit të saj që ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Futuni në luftë sepse paqja duket se nuk po funksionon. Ndoshta një ditë hyjmë në Bruksel me tanke dhe parulla të politikanëve tanë. Ndoshta një ditë populli i Ballkanit e fiton çmimin Nobel për paqe dhe durim për jetë në rrethana idioteske. Ndoshta ata punëtorët që tash kanë ik jashtë na e kanë zili pse nuk e pritën çmimin e madh. /Koha-Shkup

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK