Zërat
Daniel Maksymiuk
Daniel
Maksymiuk

Duke festuar 10 vjet marrëdhënie diplomatike Kanada-Kosovë

Zërat prill 07, 2019 - 08:48
Lexoni detajet

Këtë vit së bashku me Qeverinë dhe me popullin e Kosovës po përkujtojmë 20 vjet që nga përfundimi i konfliktit të tmerrshëm në Kosovë. Kanadaja është krenare që ka qenë pjesë e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 dhe se ka vepruar së bashku me aleatët tanë për të mbrojtur shtetasit civilë. Unë nderoj kurajon dhe sakrificën e kosovarëve që i rezistuan shtypjes dhe synonin të jetonin në një shtet të lirë dhe demokratik, ku të gjithë qytetarët mund të arrinin potencialin e tyre të plotë. Çlirimi i Kosovës nga një regjim brutal është sigurisht diçka për të përkujtuar. Kanadaja është krenare që ka qenë partner për popullin e Kosovës para dhe pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 2008 dhe jemi krenarë që kemi qenë ndër vendet e para që e njohin Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.

Sot 10 vjet Kanadaja dhe Kosova themeluan marrëdhënie të plota diplomatike, sot ky është përvjetori më i rëndësishëm për mua dhe dua të këmbëngul në arritjet e shumta në një kohë kaq të shkurtër. Ne jetojmë në një botë ku ka shumë pesimizëm dhe kritikë, ku shumë njerëz po përpiqen të grisin njëri-tjetrin në vend që të gjejnë konsensus dhe baza të përbashkëta. Ata janë të gabuar dhe po bëjnë dëm. Pra, më lejoni t'jua jap disa arsye të mira për optimizëm.

20 vjet më parë, në qershor, personeli i parë i Forcave të Armatosura Kanadeze arriti në Kosovë. Numri i ushtarëve kanadezë u rrit në më shumë se 1000, të angazhuar në operacione paqeruajtëse dhe në ofrimin e ndihmës humanitare, në një vend që ishte shkatërruar dhe traumatizuar. Sot Forcat e Armatosura Kanadeze janë ende në Kosovë dhe kanë një partneritet në rritje me Forcën e Sigurisë së Kosovës - një forcë uniforma e së cilës është e veshur nga shqiptarët dhe serbët, me gratë që mbajnë gradën gjeneral dhe e cila është e gatshme t’i kontribuojë sigurisë ndërkombëtare në bashkëpunim të ngushtë me NATO-n.

20 vjet më parë Kanadaja ua hapi dyert refugjatëve që iknin nga konflikti në Kosovë, siç i kemi mirëpritur refugjatët, të cilët u bënë kanadezë të rinj nga shumë konflikte të tjera. Në Kanada ata dhe familjet e tyre përparuan, duke kontribuar në shoqërinë multikulturore të Kanadasë. Por ajo që më jep optimizëm janë tregimet e të gjithë atyre që erdhën në Kanada dhe tani po kontribuojnë në suksesin e Kosovës si profesionistë, nëpunës publikë, investitorë, sipërmarrës, gazetarë dhe punëtorë të shoqërisë civile. Ata kanë qenë në Kanada dhe kanë pasur sukses, por e shohin mundësinë e prosperitetit këtu në Kosovë.

Dhjetë vjet më parë, kur themeluam marrëdhënie diplomatike me Kosovën, as 60 vende të tjera nuk e kishin njohur Kosovën. Sot, ai numër pothuajse është dyfishuar dhe Kosova është anëtare e Bankës Botërore, BERZH-it, Frankofonisë, Organizatës Botërore të Doganave, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar dhe FIFA-s në mes të tjerash. Sot Kosova ka një Ambasadë në Otavë të udhëhequr nga ambasadori dhe miku im Lulzim Hiseni, një Konsullatë të Përgjithshme në Toronto dhe një numër gjithnjë e më të madh të konsullatave të nderit në të gjithë Kanadanë. Vendi im do të vazhdojë të mbështesë integrimin e plotë të Kosovës brenda komunitetit ndërkombëtar dhe jam absolutisht i bindur se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në Kombet e Bashkuara.

Para dhe pas pavarësisë Kanadaja ka ofruar ndihmë të konsiderueshme zhvillimore për Kosovën dhe, kur themeluam marrëdhënie diplomatike dhjetë vjet më parë, ka pasur shumë pak lidhje biznesi midis vendeve tona. Por vitin e kaluar Kanadaja dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme investimi - traktati ynë i parë bilateral, duke pranuar se tani ekziston potencial i fuqishëm për tregti dhe investime në sektorë që variojnë nga minierat në inxhinieri kompjuterike dhe në bujqësi. Unë besoj se mbështetja e investitorëve kanadezë me reputacion në Kosovë është tani njëra nga mënyrat më të mira për Kanadanë për të mbështetur prosperitetin dhe suksesin e Kosovës.

Udhëheqësit që fituan lirinë e Kosovës kanë arritur kaq shumë dhe shumë prej tyre janë bërë miq të mirë të Kanadasë. Por gjenerata e ardhshme e liderëve, ata që u rritën në një Kosovë të lirë, të pavarur dhe të sigurt, do të arrijnë shumë më tepër dhe ata janë vetëm në prag të marrjes së kësaj përgjegjësie. Kam takuar kaq shumë liderë të rinj frymëzues, veçanërisht gra të reja, të cilat e dinë se çfarë lloj të ardhmeje dëshirojnë dhe do ta bëjnë Kosovën një shembull të shkëlqyeshëm të llojit të shoqërisë për të cilën ne të gjithë dëshirojmë. Për mua këta kosovarë të rinj janë arsyeja më e mirë për optimizëm.

Kanadaja dhe Kosova janë mijëra kilometra larg, jetojnë jetë të ndryshme, por ndajnë shumë shpresa dhe ëndrra të ngjashme për të ardhmen, si dhe shumë vlera themelore. Jemi të përkushtuar për shoqëri të lira, demokratike dhe gjithëpërfshirëse. Jemi vende të reja, dinamike, kreative dhe optimiste dhe ne jemi vetëm në prag të fillimit. E ardhmja na takon neve. Por do të duhet të luftojmë fort dhe s’do të dekurajohemi, në mënyrë që të kemi të ardhmen që ne duam.

(Autori është ambasador i Kanadasë në Kroaci, njëherësh ambasador jorezident në Kosovë)