Zërat
Adnan Merovci
Adnan
Merovci

Kështjella e (mos)marrëveshjes!

Zërat mars 18, 2019 - 08:42
Lexoni detajet

1.
Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë, nën udhëheqjen e plakut Ismail Qemali, përfshinte territoret etnike shqiptare, edhe Kosovën. E filluar në dhjetor të vitit 1912 dhe e vazhduar në vitin 1913, me insistimin e Austro-Hungarisë, çështja shqiptare u përfshi në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Konferenca e Ambasadorëve shquhet për dy gjëra: e para, njohu shtetin e ri të shpallur në Vlorë, dhe, e dyta, hapi diskutimet për kufijtë e Shqipërisë. Austro-Hungaria insistonte që Shqipëria të përfshinte territore me banorë me shumicë shqiptare dhe që kishin vazhdimësi territoriale, duke e penguar Serbinë që të kishte dalje në det (Adriatik). Ky territor përfshinte mbi 40 mijë kilometra katrorë. Britania e Madhe dhe Rusia, edhe pse pranuan njohjen e shtetit të ri, afirmuan parimin tjetër për kufijtë, duke u bazuar në luftërat që ishin zhvilluar për ta. Konferenca vendosi t’i dëgjonte propozimet dhe kërkesat e të gjitha palëve të interesuara, e që nuk ishin pak.

Të pajisur me argumente dhe harta të shumta, më 2 janar 1913, tre përfaqësuesit e qeverisë së përkohshme të Vlorës, Rasih Dino, Mehmet Konica dhe Filip Noga, u pritën në audiencë nga ambasadorët e fuqive të mëdha. Delegacioni i Vlorës kërkoi afërsisht 57 mijë kilometra katrorë. Ky territor përfshinte Mitrovicën, Prevezën, Janinën, Shkodrën dhe Shkupin.

Tri javë më vonë, më 26 janar 1913, Konferenca priti delegacionin grek, i cili kërkonte Korçën, Gjirokastrën, Përmetin, Himarën dhe disa vise të tjera. Në lidhje me këtë, grekët këmbëngulnin se kishin një marrëveshje me Ismail Qemalin dhe kryeministrin grek, Theotokis, të hartuar më 22 janar 1907. Këtë marrëveshje Ismail Qemali e komentoi me fjalët: “Në kushtet e reja kjo marrëveshje nuk qëndron”. 
Një javë më vonë, i mbështetur nga rusët, erdhi projektpropozimi serb. Në këtë projekt kërkohej Durrësi ose minimalisht të mbërrinin deri në lumin Drin, ku përfshihej edhe Shëngjini e Lezha.

Delegacioni i përbërë nga Ismail Qemali, Isa Boletini dhe Luigj Gurakuqi u prit ftohtë nga ministri i Jashtëm britanik dhe nikoqir i Konferencës, Eduard Grej (Edward Grey) në Londër. Ajo që shquhej në shtypin e kohës ishte “çarmatosja” e Isa Boletinit në Konferencë, i cili kishte dorëzuar njërën kobure, për ta mbajtur tjetrën, që nuk e kishin vërejtur rojat e Konferencës. 
 

2.
Pas 79 vjetësh (1992), në Konferencën e Londrës për ish-Jugosllavinë, ku përfshihej edhe Kosova, në hyrje të ndërtesës, ku Lord Karington (Lord Carrington), udhëheqës i Konferencës, e priste presidentin e Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, u ndalova edhe unë me armë në brez, për ta dorëzuar dhe për ta rimarrë atë më vonë. Isa Zymberi, asokohe përfaqësues i Qeverisë së Kosovës në Londër, dhe Agron Loxha, veprimtar në Londër, që ishin prezentë në atë takim, më quajtën “Adnan Boletini!”

Çështja e armëve nuk iu hoq nga kurrizi shqiptarëve as në hyrje të Kështjellës së Rambujesë, kur Ramë Buja, Azem Syla dhe Jakup Krasniqi u detyruan t’i dorëzonin armët e shkurtra në hyrje të kështjellës. O, Zot, ç’është kjo punë me këta shqiptarë, që nga viti 1913 me armë nëpër zyra të Evropës, do të pyeste dikush.

Ministri i Jashtëm britanik, Eduard Grej, më 1913 refuzoi pretendimet e shqiptarëve. Pasardhësi i tij, Ministri Robin Kuk (Robin Cook), 96 vjet më vonë, në vitin 1999, në Parlamentin britanik, duke iu referuar dokumenteve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, më 1913, thotë: “Ne po korrigjojmë padrejtësitë që bëmë në fillim të shekullit të kaluar”.

3.

Në vitin 1995 u mbajt Konferenca e Dejtonit, në Ohajo të Amerikës, e që për qëllim kishte përfundimin e luftës në Bosnjë. Atje ishin mbledhur presidenti serb, Slobodan Millosheviq, presidenti boshnjak, Alija Izetbegoviq dhe ai kroat Franjo Tugjman. Ishte kjo një Konferencë ku mungoi Kosova, gjë e cila bëri që të zhgënjeheshin shumë njerëz të largët dhe të afërt të presidentit Rugova. Kosova u shndërrua në: “Rugova dhe të gjithë kundër tij”. Dorën në zemër, edhe bashkëpunëtorët e afërt të Rugovës ishim disi me dilema, populli thotë: “me na pre gjak nuk qitshim”. 

Në lidhje me këtë, presidenti Rugova na pati thënë: “Qa kini, bre, që jeni zbehë e jeni nxi si qymyra?!” Kokulur thuajse mendonim njëjtë: “mbaroi e gjitha, s’ka asgjë nga politika paqësore”. 

Ishte presidenti Rugova dhe vetëm ai që i besoi idesë së pavarësisë edhe në këto rrethana. Ne kishim dy hendikepe, paradispozita prej pesimizmit deri në nihilizëm dhe mungesa e informatave që i kishte presidenti Rugova. Ai ishte optimist i papërmirësueshëm dhe kishte fjalën (besën) e amerikanëve që do të organizohej një Konferencë e posaçme për Kosovën. Presidenti Rugova na duronte, na inkurajonte, por nuk tregonte sekretin që dinte. Kosova do të trajtohet në një Konferencë të posaçme, i kishin premtuar ata që në Zotin besojnë, siç i quante kryetari amerikanët, të cilëve në çdo bankënotë (dollar) u shkruan: “In God We Trust!” (Në Zotin ne besojmë). Megjithatë, pak për ta paralajmëruar Serbinë, pak për t’i ngushëlluar shqiptarët në Konferencën e Dejtonit, amerikanët kundër Serbisë vendosën të ashtuquajturin “Outer Wall Of Sanctions” (Muri i jashtëm i sanksioneve), që kishte të bënte me qasjen ndaj institucioneve të caktuara ekonomike ndërkombëtare. Ky veprim kishte një efekt të kufizuar ndaj Serbisë, por nuk i ndaloi veprimet e saj në Kosovë.

4.

Grupi i Kontaktit (GK), i përbërë nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Italia, Franca, Gjermania dhe Rusia, ishte themeluar në vitin 1994 dhe kishte për qëllim që ta trajtonte çështjen e Bosnjës. Në vitin 1997, kur u shpeshtuan aksionet guerile shqiptare kundër forcave serbe, Grupi i Kontaktit filloi më me urgjencë të merrej me Kosovën. Në këtë kohë Grupi bazohej në 3 komponentë. Rusia që mund të merrej me Millosheviqin, Evropa që do ta joshte Serbinë me integrime dhe ndihma financiare, dhe SHBA-ja si mundësi të përdorimit të forcës ushtarake.

Më 24 shtator 1997, në një Deklaratë të GK-së, thuhet:

“Në lidhje me kontestin për statutin e Kosovës, pozicioni i GK-së është shumë i qartë: ne nuk e përkrahim pavarësinë dhe nuk e përkrahim mbajtjen e status quo-së. Ne e përkrahim një status të avancuar të Kosovës brenda RFJ-së. Ky status do të duhej t’i mbronte plotësisht të drejtat e popullatës shqiptare në pajtim me standardet e OSBE-së dhe Kartën e OKB-së. Është esenciale që të nisë dialogu si hap i parë për t’i ulur tensionet”.

GK-ja në vazhdim kishte dënuar si represionin e dhunshëm serb, po ashtu edhe aksionet e shqiptarëve kundër caqeve serbe. GK-ja pati vështirësi që grupet shqiptare të armatosura në Kosovë t’i identifikonte si terroriste. Këtu kishte edhe përçarje me Rusinë, e cila kërkonte  të mos përfshiheshin në dhënien e vizave zyrtarëve të lartë serbë, që ishin përgjegjës për aksionet represive serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Këshilli i Sigurimit, në Rezolutën Nr.1160, të datës 31 mars 1998, i bënte  thirrje RFJ-së që menjëherë të ndërmerrte hapat e nevojshëm për të arritur një zgjidhje politike për një “status të avancuar për Kosovën, që do të përmbante një shkallë më të lartë të autonomisë dhe vetadministrimit përmbajtjesor”. Kjo Rezolutë parashihte embargo të armëve dhe kishte këto 3 kushte:

Dialogu substancial, me qëllim të arritjes së marrëveshjes midis palëve, me përfshirjen ndërkombëtare;

Tërheqja e njësive speciale policore dhe ndalja e aksioneve të tyre kundër civilëve;

Qasja për monitorim humanitar dhe të drejtave të njeriut, si dhe vendosja e prezencës së re të OSBE-së.

Kësaj Rezolute dhe 3 kushteve të përmendura Beogradi iu përgjigj me mbajtjen e një referendumi (23 prill 1998) të popullsisë, ku mbi 90% e pjesëmarrësve përmes votës u deklaruan se çështja e Kosovës është çështje e brendshme dhe se nuk mund t’i nënshtrohej aksionit ndërkombëtar.

Në qershor të vitit 1998, Bashkimi Evropian dënoi sulmet dhe nivelin e ri të agresionit nga ana e forcave serbe të sigurisë si praktika të fillimit të spastrimit etnik. Bazuar në këtë dënim të BE-së, Këshilli i Sigurimit me Rezolutën Nr.1199 (1998) balancoi deklarimet dhe dënimet e BE-së si dënime të “sulmeve të dhunshme serbe dhe akteve të terrorizmit”.

Duke qenë e vetëdijshme se SHBA-ja dhe BE-ja tashmë ishin në përgatitje të aksionit të NATO-s, Rusia si masë parandaluese, në qershor të vitit 1998, aranzhoi takimin e kryetarit Boris Jelcin (Boris Yeltsin) dhe Slobodan Millosheviq në të cilin ky i fundit u obligua solemnisht për përmbushjen e kërkesave të Rezolutës Nr. 1160 (1998) të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në mesin e kërkesave të kësaj Rezolute ishte edhe rikthimi i misionit afatgjatë të OSBE-së për monitorimin e përmbushjes së kërkesave të kësaj Rezolute. Elementi amerikan në këtë mision vëzhgues raportet i bënte publike. Ky mision (amerikan), që më vonë u bë si Misioni Diplomatik Vëzhgues në Kosovë (KDVM/KDOM), mori edhe rolin e zbatimit të Marrëveshjes Millosheviq-Hollbruk, si dhe nëpërmjet burimeve inteligjente kishte impenjime shumë të efektshme në zbulimin e zonave të ardhshme të luftimeve.

Më 8 korrik 1998, GK-ja vendosi t’i rekomandonte ekipit negociator  elementet themelore për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, duke ritheksuar se nuk përkrah status quo-në, e as pavarësinë. Në këtë kohë Qeveria Amerikane kishte filluar të bënte trysni për aksione të mundshme ushtarake për ta ndalur represionin në Kosovë. 

Më 12 gusht 1998, sekretari i përgjithshëm i NATO-s kishte deklaruar që NATO-ja po të ishte nevoja mund të vepronte me shpejtësi dhe në formë efikase. 

Në këtë kohë, të shtyrë nga SHBA-ja, Kosova tashmë kishte formuar një delegacion negociator të udhëhequr nga Fehmi Agani. Për formimin e këtij Delegacioni presidenti Rugova kishte marrë lëvdata nga NATO-ja dhe nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së përmes një deklarate presidenciale të miratuar.

Më 2 shtator 1998, në negociata të drejtpërdrejta me Millosheviqin ishte nxjerrë kjo deklaratë: “Të arrihet një marrëveshje në bazë të së cilës do të ishte e mundur të themelohej një nivel adekuat i vetadministrimit, që nënkuptonte barazinë e të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve nacionale që jetojnë në Kosovë e Metohi. Të përkushtuar për mirëkuptimin dhe tolerancën e ndërsjellë, pjesëmarrësit e dialogut, përkatësisht Delegacioni shtetëror sikurse edhe përfaqësuesit e komuniteteve nacionale që jetojnë në Kosovë e Metohi, duhet të shprehin gatishmërinë e tyre për ta bërë një vlerësim pas një periudhe të caktuar, përkatësisht tre deri në pesë vjet, të zbatimit të marrëveshjes së arritur dhe për të arritur përmirësimin, për të cilin do të mundë të arrihej marrëveshje e përbashkët”.

Kjo deklaratë ishte tmerrësisht kundër synimeve të popullatës shqiptare, duke e trajtuar atë si komunitet nacional me të tjerët, gjë e cila kthente situatën mbrapa, ashtu që më 23 shtator 1998 Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një Rezolutë të re, duke e identifikuar përkeqësimin e situatës në Kosovë, tani si kërcënim për paqen dhe sigurinë në rajon dhe kërkoi ndërmarrjen e hapave të menjëhershëm për ta përmirësuar gjendjen humanitare dhe për ta ndaluar “katastrofën humanitare që po kërcënohej” dhe për këtë duke i qortuar të dyja palët, si forcat serbe, si UÇK-në dhe nuk përjashtoi mundësinë e përdorimit të forcës.

Kur më 13 tetor 1998 NATO-ja zyrtarisht autorizoi përdorimin e forcës, duke dhënë vetëm 4 ditë afat për plotësimin e kushteve, Hollbruk deklaroi arritjen e një marrëveshjeje me Millosheviqin në afat prej 10 ditësh. Kjo bëri që NATO-ja vetëm ta pezullojë përdorimin e forcës e jo ta anulojë atë. Në këtë situatë, kur Këshilli i Sigurimit, BE-ja dhe Grupi i Kontaktit inkurajuan këto negociata përmes ambasadorit amerikan, Kristofer Hill, pala serbe dhe ajo shqiptare ishin shumë larg dhe mundësia për një marrëveshje u pa si e pamundur.

Ambasadori Hill së bashku me Xhejms Obrajanin dhe disa të tjerë, hartoi versione të detajuara të një marrëveshjeje, e cila parashihte që Kosova të mbetej brenda Jugosllavisë, e cila do të krijonte një polici të re me forca civile, si dhe institucione të tjera vetëqeverisëse. Kjo nuk mbyllte dyert e pavarësisë, e cila mund të vinte më vonë pas një periudhe 3-vjeçare. Thuhej jozyrtarisht se Millosheviqi mund ta pranonte këtë marrëveshje, shqiptarët edhe pse formuan grupet negociatore, e kishin vështirë të dakordoheshin duke marrë parasysh edhe faktin se tashmë UÇK-ja ishte faktorizuar dhe nuk i pranonte këto negociata. Si rezultat edhe kjo marrëveshje nuk pati sukses. 

5.

Ishte mëngjesi i datës 16 janar 1999, kur sekretarja e Shtetit më të fuqishëm në botë, Medllin Ollbrajt (Madeleine Albright), ende në gjumë, mori një thirrje telefonike nga amerikani Viliam Voker (William Walker), udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë, i cili e njoftoi për masakrën që kishin bërë autoritetet serbe mbi 42 civilë të pafajshëm në Reçak të Komunës së Shtimes. Pas vizitës nga kjo ngjarje Viliam Voker kishte deklaruar:

“Pasi mbërrita në Reçak, banorët e tij më çuan në vendin, ku me tmerr të madh pashë kufomat e 20 njerëzve, të cilët, me sa duket, kishin mbetur atje ku ishin ekzekutuar. Megjithëse unë pashë vetëm 20 kufoma, kryesisht të pleqve, të vrarë nga afër me të shtëna në ballë, në zverk ose në kokë - vëzhgues të tjerë kanë gjetur kufoma të tjera. Edhe pse nuk jam jurist - ajo që pashë më bën ta përcaktoj pa ngurrim këtë rast si masakër, si krim kundër njerëzimit”.

Ky deklarim dhe cilësim si “krim kundër njerëzimit” nga Ambasadori Voker, u kundërshtua nga zëvendësi i tij, francezi Gabriel Keller, derisa nuk do të përfundonin hetimet. Në këtë kohë, për fatin tonë, sekretarja e Shtetit amerikan, znj. Medllin Ollbrajt, kishte planifikuar një vizitë në Moskë, të cilën ajo për mrekulli  e shfrytëzoi për të nxjerrë nga homologu i saj rus, Igor Ivanov, një pajtim të brishtë për përdorimin e forcës nëse Millosheviqi nuk do të bashkëpunonte për një marrëveshje. 

Sekretarja Ollbrajt në librin e saj autobiografik “Zonja Sekretare” (faqe 462), kur rrëfen për këto momente shumë dramatike, gjatë takimit me Ivanovin, i thotë: “Igor, puna është serioze. Më duhet t’u them evropianëve se NATO-ja mund të përdorë forcën për të arritur një zgjidhje politike dhe se ju mund të gjeni mënyrën për ta pranuar këtë”! 

Ivanov ia ktheu: “Rusia nuk do t’i pranojë bombardimet ajrore kundër serbëve. Një gjë e tillë do të ishte krejtësisht e papranueshme. NATO-ja nuk ka asnjë të drejtë të sulmojë një shtet sovran. Megjithatë, ne pajtohemi me dëshirën tuaj për një zgjidhje politike dhe ndoshta kërcënimi për përdorimin e forcës është i nevojshëm për ta arritur një gjë të tillë. Personalisht nuk shoh ndonjë arsye që të mos përpiqemi të punojmë bashkërisht”!

Kjo bisedë ishte shtytja vendimtare për sekretaren Ollbrajt që t’i kontaktonte ministrat tjerë të Grupit të Kontaktit dhe të inicionte një Konferencë Ndërkombëtare për Kosovën.

6.

Më 29 janar 1999,  në India Office (Zyra e Indisë) të Ministrisë së Jashtme Britanike në Londër, Grupi i Kontaktit mori vendim ultimatumi, që përfaqësuesit e tri entiteteve: RFJ-së, Serbisë dhe shqiptarëve të Kosovës –më 6 shkurt 1999 në Kështjellën e Rambujesë në Francë të takoheshin për bisedime të menjëhershme, me dyer të mbyllura, duke u lënë një afat maksimal 2-javor që të arrijnë kompromisin.

Ndryshe nga Marrëveshja Hollbruk-Millosheviq, e cila nuk parashihte masa ndaj mosrespektimit të saj, NATO-ja në rastin e Rambujesë kishte shpallur mendimin se do të ndërhynte nëse bisedimet dështojnë. Ky qëndrim u zyrtarizua në Këshillin e NATO-s për Kosovën, më 30 janar 1999, një ditë pas vendimit të GK-së për mbajtjen e Konferencës Ndërkombëtare për Paqe në Kosovë, në Rambuje. Objekt i kësaj Konference do të ishte një marrëveshje që në fund u quajt Marrëveshja e Përkohshme për Paqe dhe Vetëqeverisje në Kosovë. Nga vetë emërtimi shihet se kjo Marrëveshje kishte dy qëllime: paqen dhe vetëqeverisjen. As paqja, as vetëqeverisja nuk ishin status final politik i Kosovës, e aq më pak pavarësi e Kosovës.

GK-ja po ashtu dënoi masakrën e Reçakut dhe provokimet e UÇK-së. RFJ-së iu kërkua që përgjegjësit e masakrës së Reçakut t’i sjellë para drejtësisë dhe t’i lejojë kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet e Luftës, me seli në Hagë, znj. Luis Arbur, të hyjë në Jugosllavi, si dhe të bashkëpunojë me këtë gjykatë.

Pse “Kështjella”?

Kështjella e Rambujesë ishte caktuar jorastësisht nga ndërkombëtarët. Cili vend ose cili ambient më shumë se një kështjellë e tillë do t’i kontribuonte presionit psikik për një marrëveshje jo të lehtë? Kur kësaj i shtohet fakti se këtu duhet të merreshin vesh shqiptarët dhe serbët, atëherë mund të kuptohet pse është zgjedhur pikërisht kështjella.

Shqiptarët historikisht kanë një ndjesi të veçantë për kështjellat. T’i kujtojmë: Kështjellën e Rozafatit,  Petrelës, Prezës, Krujës, Prizrenit etj. I lindur në Vushtrri, fëmijërisë sime nuk i ka munguar “Kalaja” që ishte vendi im i preferuar.

Presidenti amerikan, Bill Klinton, në mes tjerash, gjatë mbajtjes së Konferencës kishte deklaruar: “Shqiptarët dhe serbët janë mbledhur në një kështjellë të shekullit XIV për të kërkuar një paqe në shekullin XX”!

Në momentin e parë kur kemi hyrë në Kështjellën e Rambujesë, më kanë kapluar emocionet e 30 vjetëve më parë, derisa e lexoja “Kështjellën” e Ismail Kadaresë, për të më kujtuar pakuptimshëm gjatë punimeve të Konferencës, me moralin e robinjave, të pasqyruara në këtë roman. Pakuptimshëm, sepse çfarë lidhjesh tani paskan robinjat me ne? Po, sepse derisa te “Kështjella” e Kadaresë robinjat flijoheshin për të mos u dorëzuar të gjalla në ruajtje të nderit, në Kështjellën e Rambujesë shqiptarët nuk dorëzoheshin, duke këmbëngulur argumentueshëm për të drejtën e popullit. Robinjat Ruenin nderin, në Rambuje “luftohej” për të ardhmen e shqiptarëve.

Për herë të parë, në historinë e shqiptarëve, në Kështjellën e Rambujesë, u arrit një “Marrëveshje” dhe një “Mosmarrëveshje” njëkohësisht.

Pse “Marrëveshje”?

Më e saktë do të ishte sikur të thoshim se në Rambuje Delegacioni i Kosovës u pajtua për tekstin e Marrëveshjes. Pajtimi u arrit në mes të Delegacionit të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare (Amerikës dhe Evropës) për t’i pranuar nenet e kapitujve të tekstit të Marrëveshjes që i takonin sigurisë, ekonomisë, vetëqeverisjes, statusit politik etj, të cilat u diskutuan, u komentuan, u plotësuan, u shoshitën gjatë qëndrimit 19-ditor në Rambuje. Ky pajtim nuk ishte i lehtë, edhe pse shumica nga Delegacioni ynë ishin pro Marrëveshjes.

Në Rambuje e kam kuptuar dhe ndier, si asnjëherë më parë, peshën e fjalës “razi” (konsensus), peshën e fjalës të vetëm një njeriu karshi të tjerëve, karshi shumicës së bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti karshi Amerikës, karshi Evropës, karshi Qeverisë së Shqipërisë, karshi opozitës së Shqipërisë, karshi botës intelektuale shqiptare, karshi qytetarëve të Kosovës...Megjithatë, në fund, edhe Hashim Thaçi u pajtua me “Marrëveshjen”.

Pse “Mosmarrëveshje” ?

Derisa shqiptarët e Kosovës në fund u pajtuan me tekstin e  Marrëveshjes, Delegacioni i Serbisë-RFJ-së (Republikës Federative të Jugosllavisë) e refuzoi atë. Marrëveshja e plotë kërkonte pajtimin e të dyja delegacioneve, atij të Kosovës dhe atij të Serbisë-RFJ-së, si dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Rusia nuk kundërshtonte mospajtimin e Serbisë. Nëse Konferenca kërkonte Marrëveshje, të cilën e nënshkruan shqiptarët, amerikanët e evropianët, dhe e refuzuan serbët, atëherë Konferenca përfundoi me “Mosmarrëveshje”.

Pajtimi shqiptar dhe mospajtimi serb për Marrëveshjen bëri që të krijohet preteksti i mjaftueshëm që bashkësia ndërkombëtare (NATO-ja), e përbërë nga 19 shtete demokratike në botë, t’i bombardojë caqet ushtarako-policore serbe.

Pasojat e “Mosmarrëveshjes”

Fjalët më të vështira, të paartikuluara, të papërfunduara, në këtë libër, kanë qenë në këtë nëntitull. Ka shumë arsye dhe shpjegime për këtë. Fillimisht është shumë herët që të pretendohet saktësia e vlerësimit të pasojave të kësaj “Mosmarrëveshjeje” të Rambujesë. Përvojat na kanë mësuar të themi se gjërat historike shpjegohen te pas disa dekadave. D.m.th., distanca kohore është përgjigjja më e saktë për ngjarjet historike. Kur themi “pasojat”, thuajse mendojmë vetëm gjërat e dëmshme që ndihen ose shkaktohen nga një realitet i ndodhur kohë më parë. Por, në rastin e “Mosmarrëveshjes” së Rambujesë dhe kontekstit në fjalë, pasoja duhet të kuptohet si për dëmet, ashtu edhe për dobitë e saj. Nëse i bashkojmë pluset (dobitë) dhe minuset (dëmet) e “Mosmarrëveshjes” së Rambujesë, mendoj se rezultantet janë pozitive. Kur kësaj i shtohet edhe “razia” (konsensusi) i arritur mbarëshqiptar, i munguar historikisht, atëherë pozitivja e kësaj rezultante vetëm sa forcohet.

Megjithatë mosnënshkrimi i kësaj “Marrëveshjeje” nga serbët, në botëkuptimin e tyre historiko-tradicional, është mosdorëzim i Kosovës me bindje-marrëveshje, që i bie se Kosova iu mor Serbisë me forcë dhe gjithherë, sipas botëkuptimit të tyre, lë një derë për t’u kthyer me forcë. Ky nuk kishte me qenë një justifikim i pranuar për botën e shekullit XXI, por vetëdija serbe, sidomos ajo e pamoderuara, e synon këtë.

***

Si asnjëherë më parë në histori, vizionariteti dhe reformatoriteti i të gjithë anëtarëve të Delegacionit të Kosovës në Rambuje, duke u bazuar në punën e mundimshme dhe profesionale që manifestuan 16 anëtarët e Delegacionit të Kosovës, duke shtuar këtu edhe punën dhe kontributin e shumë këshilltarëve vendës e të huaj, si dhe të personelit teknik të Sekretarisë së Delegacionit të Kosovës dha frytet e veta.

Ibrahim Rugova, intelektuali, udhëheqësi, dijetari e kryetari i Kosovës, që nga fillimet e para të angazhimit në politikë, idenë e tij e mbështeste në tri shtylla: liri, pavarësi dhe demokraci. Për këtë, Rugova papërtueshëm “këndoi këngën” me refrenin e tij fanatik: “Një Kosovë e pavarur dhe neutrale, e hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, me të gjitha garancitë për serbët lokalë, me një protektorat të përkohshëm ndërkombëtar dhe siguri nga NATO-ja, si dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të ishte zgjidhja më e mirë dhe do të qetësonte këtë pjesë të Ballkanit edhe pse momentalisht serbët lokalë mendojnë ndryshe”. Le ta pyesim sot veten: doli apo nuk doli refreni i Rugovës?

Hashim Thaçi, në moshën 30-vjeçare, pa përvojë politike, nën presion nga shumë anë, në fund “dorëzoi armët”, duke pranuar Marrëveshjen e Rambujesë.

Ne u çliruam duke na mbetur barrë e madhe jetësimi i këtij çlirimi, që në gjuhën shqipe quhet liri, për të cilën duhet punuar ende. Serbët u ndëshkuan me bomba, u izoluan nga bota, u fajësuan për të këqijat që i shkaktuan Ballkanit, por në raport me Kosovën, edhe pas humbjeve të mëdha, ata rrejshëm ruajtën diçka. Rrejshëm ruajtën atë që i mbajti historikisht me Kosovën, e ai është miti mbi të. Miti të cilin arriti t’ua thyente Presidenti Rugova me fjalë e punë e Adem Jashari me pushkë.

Sllobodan Millosheviqi nuk e dorëzoi Kosovën me marrëveshje, atë ia morën me bomba, me armë, me luftë. Kjo d.m.th., që po të ringjallej klika millosheviqiane, do të tentonin Kosovën ta kthenin me bomba, me armë, me pushkë. Kjo duket pak e tejkaluar dhe jokoherente, por vlen dhe ekziston si mit ende në stilin: “Kosovën nuk e dhamë me marrëveshje, na e morët me luftë, me luftë do ta kthejmë!” Millosheviqi me kalimin e kohës te serbët do të mbetet “hero”! Nuk dua t’i besoj kësaj, por më është ngulitur në mendje! (Fund)