Zërat
Toby Vogel, Kurt Bassuener
Toby
Vogel,
Kurt
Bassuener

Gjermania duhet ta ndalë nxitjen për ndryshimin e kufijve të Kosovës

Zërat March 15, 2019 - 14:53
Lajmet e fundit nga vendi!

Për dy dekada vendet evropiane kanë punuar ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të zbatuar dhe mbrojtur një paqe të brishtë në Ballkan. Të dyja palët kanë investuar miliarda euro për të rindërtuar dhe për të stabilizuar Bosnjë e Hercegovinën dhe Kosovën, të shkatërruara nga agresioni serb dhe të dyja dërguan mijëra trupa në rajon si një forcë paqeruajtëse.

Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja, me Gjermaninë dhe – deri më tani – me  Mbretërinë e Bashkuar në thelbin e saj, kanë një mekanizëm të kombinuar për progresin e mundshëm dhe qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor që është i pakrahasueshëm në çdo rajon të planetit. Megjithatë, një gabim strategjik i madh tani po shpaloset në të dyja anët e Atlantikut, ku administrata e Donald Trumpit ka vendosur të ngrejë status quo-në dhe ta largojë këtë trashëgimi për një përshtatshmëri afatshkurtër. Uashingtoni po kalon në anën e Serbisë, ndërsa kërkon një shkëmbim territori me Kosovën që do t’i sillte zonat e banuara me serbë në Kosovë nën kontrollin serb në këmbim të kësaj Beogradi do të njihte Kosovën, ish-provincën e tij, si një vend i pavarur.

SHBA-ja po ushtron presion të madh mbi Kosovën që kjo e fundit të pranojë një marrëveshje të tillë – edhe pse mbështetësi i saj kryesor në anën e Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, është pothuajse plotësisht i izoluar brenda vendit në lidhje me këtë çështje. Trump pa dyshim ka ndjekur politikën më antievropiane të Amerikës në epokën e pasluftës. Por ai po ndjek thjesht një gjurmë të shefes së Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini. Mogherini po bashkëpunon me Këshillin Kombëtar të Sigurisë të Trumpit, NSC, në avancimin e agjendës së Serbisë për të ripërcaktuar kufijtë ndërkombëtarë përgjatë vijave etnike, një agjendë e drejtuar nga presidenti serb dhe aleati i mundshëm i BE-së Aleksandar Vuçiq. Mogherini dhe amerikanët i kanë mbajtur vendet anëtare të BE-së dhe aleatët e NATO-s në errësirë në lidhje me këto përpjekje. Ky është një largim dramatik jo vetëm nga një çerekshekulli bashkëpunimi transatlantik në Ballkan, por nga një parim thelbësor i rendit ndërkombëtar të tanishëm – që ndryshimi i kufijve përgjatë vijave etnike është i rrezikshëm dhe do të çojë në destabilizim dhe gjakderdhje.

Ka arsye të mira pse aneksimi i Krimesë nga ana e Rusisë është dënuar dhe ka çuar në imponim sanksionesh dëmtuese, ky ka qenë një standard pas Luftës së Ftohtë. I gjithë presioni aktualisht po aplikohet ndaj kosovarëve. SHBA-ja dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian po dalin haptazi në anën e Beogradit, i cili ashtu si Rusia, Kina dhe pesë shtete anëtare të BE-së, ende e shohin Kosovën si një provincë të shkëputur. Administrata Trump e ka përshkallëzuar në mënyrë të rrezikshme qëndrimin e saj agresiv në këtë çështje.

Zyrtarët e NSC-së kanë kërcënuar të tërheqin forcat amerikane nga forca paqeruajtëse e KFOR-it, rreth 25 për qind e forcës dhe një që i siguron më shumë kosovarët. Ndërsa dëmi afatgjatë do të jetë i rëndë, arsyetimi është personal dhe afatshkurtër. Shtysa Trump - Mogherini duket se ka për qëllim arritjen ose të paktën deklarimin a fait accompli që mund të shpallet shpejt si një “fitore” diplomatike, me një marrëveshje që niset në Bruksel dhe nënshkruhet në Rose Garden të Shtëpisë së Bardhë para se mandati i Mogherinit të mbarojë më vonë këtë vit. Mogherini dhe paraardhësja e saj Catherine Ashton kanë ndërmjetësuar Beogradin dhe Serbinë për shumë vite. Ashton arriti gjithashtu një marrëveshje të pjesshme, vetëm disa muaj përpara përfundimit të mandatit të saj. Marrëveshja rezultoi e pamundur të zbatohej në kushtet politike. E njëjta gjë do të jetë e vërtetë edhe për marrëveshjen e shkëmbimit të territorit – përveçse rreziqet në lojë këtë herë janë më të mëdha. Përjashtimi i Kosovës nga OKB-ja dhe shumë forume të tjera, si dhe mungesa e njohjes nga Serbia është një problem real që kërkon një zgjidhje. BE-ja kolektivisht nuk ka qenë në gjendje të artikulojë politikën e pandryshuar të shumicës së shteteve anëtare të saj – se Serbia nuk mund të anëtarësohet në BE pa e njohur Kosovën në kufijtë e tanishëm. Nëpërmjet parlamenteve të tyre shtetet anëtare duhet ta bëjnë të qartë këtë tani. Fakti se Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja kanë kaluar qartazi në anën e palës më të fortë tregon se cila anë do të përfitojë nga një marrëveshje që do të ishte e vështirë, në mos edhe e pamundur, për t’u zbatuar. Pranimi i shteteve anëtare të BE-së i fait accompli të Trump - Mogherini do të nënkuptonte braktisjen e asaj që ka qenë një tabu transatlantike për një çerekshekulli – ndjekja e kufijve etnikë – dhe për pasojë transferimet e popullsisë. Një marrëveshje e tillë, nëse pranohet, do të nxiste agjendat nacionaliste të paplotësuara nga vitet 1990 në të gjithë rajonin, tashmë gjithnjë e më shumë në shfaqje të paturpshme. Ka një arsye pse Vuçiq dhe nënshtetasit e tij përpiqen ta paraqesin këtë si një zgjidhje midis “serbëve dhe shqiptarëve” në vend të Serbisë dhe Kosovës.

Një marrëveshje e tillë do të ishte vetëm pjesa e parë në rregullimin e hartave – politike dhe demografike – në Ballkan. Një ndryshim i tillë në mënyrë të pashmangshme do të ishte i dhunshëm dhe do të shkaktonte zhvendosje të popullsisë, duke përfshirë edhe në BE. Bosnjë e Hercegovina është një çmim shumë më i madh për Beogradin. Serbia ka një përkrahës entuziast në presidencën shtetërore të vendit në figurën e liderit de facto të Republikës Serbe Milorad Dodik. Maqedonia e Veriut është i vetmi lajm vërtet i mirë i kohëve të fundit, por edhe ajo mbetet e brishtë. Për vite me radhë, struktura e politikave të BE-së ka pretenduar se shefja e Politikës së Jashtme mund të veprojë vetëm kur 28 shtetet anëtare të Bllokut e mbështesin atë. Është e çuditshme që Mogherini është shkëputur nga ky kufizim, jo në ndjekjen e vlerave të BE-së, por për të avancuar një marrëveshje që i shpërfill këto vlera dhe politika të përcaktuara. Mbështetësit e shkëmbimit territorial dhe të popullsisë e konsiderojnë atë një marrëveshje të mbaruar, pa marrë parasysh se shumica e klasës politike dhe publikut të Kosovës janë kundër saj. E vetmja forcë që duket e aftë tani ta ndalë këtë është Gjermania.

Ndryshe nga administrata e Trumpit, kancelarja Angela Merkel ka një rol të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Kosovës dhe në respektimin e parimeve të vendosura të rendit ndërkombëtar. Ajo lehtësoi fillimin e dialogut Beograd – Prishtinë.

Roli i Gjermanisë ka qenë thelbësor gjatë gjithë procesit, duke punuar më ngushtë me SHBA-në dhe Britaninë. Merkel përsëri kryesoi BE-në vjeshtën e kaluar duke deklaruar se ideja e ndarjes e Vuçiqit dhe Thaçit do të jetë në thelb destabilizuese. Shumë vende anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe ata Spanjën dhe Sllovakinë që nuk e njohin Kosovën, gjithashtu patën dyshime të thella rreth ndarjes së Kosovës. Por me përjashtim të Mbretërisë së Bashkuar dhe Luksemburgut, asnjë nuk ishte i zëshëm në publik. Kjo i ka dhënë hapësirë Mogherinit që të ndjekë një marrëveshje ndarjeje.

Ligjvënësit në Kosovë janë anashkaluar nga Thaçi. Në Serbi parlamenti është i nënshtruar vullnetit të Vuçiqit. Tradita dhe procedurat e Gjermanisë së pasluftës fuqizojnë ligjvënësit për të parandaluar përfundimet në praktikat demokratike. Bundestagu mundet dhe duhet të ndalojë përpjekjet e BE-së duke votuar për një zgjidhje midis palëve që Serbia të mund të hyjë në BE vetëm me kufijtë e saj aktualë të pranuar. Berlini duhet që në të njëjtën kohë t’i mbledhë vendet e tjera anëtare që t’i rezistojnë çdo shkëmbimi territorial midis Kosovës e Serbisë dhe në Ballkanin Perëndimor më gjerësisht, pasi ato do të çonin në mënyrë të pashmangshme në lëvizjet e popullsisë.

Kjo nuk do të thotë asgjë më shumë sesa rivendosje e epërsisë së shteteve anëtare mbi institucionet e BE-së. Mosbërja e kësaj do të ishte një abdikimi i përgjegjësisë dhe dëmtim i përpjekjeve për të mbështetur ndërtimin e shteteve liberale, demokratike dhe multietnike nën sundimin e ligjit për të gjithë në Ballkanin Perëndimor. Është e qartë se cilat forca do të përfitonin nga një abdikim i tillë, si brenda BE-së dhe më gjerë. Gjermania tashëm duhet të marrë në dorë frenat, të ruajë trashëgiminë e Evropës pas Luftës së Ftohtë dhe vlerat themelore të BE-së dhe Aleancës Atlantike dhe për t’i mbrojtur njerëzit që do të vuanin më drejtpërdrejt nga një shkëmbim territoresh. (BIRN)

 

 

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK