Zërat

Haradinaj duhet t’i shmanget fjalorit popullist dhe rrahjes së gjoksit, sepse nuk jemi në vitin 2000 kur vinte helikopteri amerikan për ta shpëtuar

Zërat shkurt 12, 2019 - 10:51

Kufijtë e Kosovës i ka nxjerrë në tavolinë si masë negociuese presidenti i Kosovës në muhabete me kolegun e tij serb. Amerika e ka pranuar këtë si mundësi për të hequr qafe problemin e Kosovës. Edhe një pjesë e europianëve. Kryeministri Ramush Haradinaj nëse ka fuqi politike le të nisë procedurat për shkarkimin e presidentit.

Nëse nuk ka vota për këtë, të mos e deformojë orientimin strategjik properëndimor të Kosovës me rrahje gjoksi. Sepse në vend të Haradinajt për të ardhmen e Kosovës është mirë të vendosin të gjithë kosovarët mbi 18-vjeçarë – në zgjedhje të reja parlamentare dhe në referendum. Vox populi vox Dei!

Ramush Haradinaj po e luan rolin e heroit si në kohën kur e kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi. Të gjithëve na kujtohen paradat e tij në Kuvend e jashtë Kuvendit, shtyrja e kacafytja me policë e me pjesëtarë të sigurimit të Parlamentit, mbledhja e nënshkrimeve kundër demarkacionit, mbushja e gotave të deputetëve të Vetëvendosjes me përmbajtjen e një shisheje të ujit «Rugova».

Përmbajtja nuk ishte ujë. Dhe të gjithëve na kujtohet se si Ramush Haradinaj sapo e mori pushtetin i bëri amin demarkacionit me Malin e Zi. E shkuar, e kaluar, e harruar. Kush flet sot për Çakorrin dhe Kullën e Zhlepit? Tash flitet për rreth 90 zëvendësministra të kabinetit Haradinaj, për qeverinë e tij që shërben vetëm si zyrë për «rehatimin e mashqive», kupto: futjen në punë të militantëve, flitet për St. Moritzin, rritjen ekstraorbitante të rrogave të shërbyesve civilë.

Për shkak të kësaj trashëgimie të qeverisjes së tij të deritanishme duhet marrë me rezervë edhe përbetimet e fundit të Haradinajt se tarifat ndëshkuese ndaj Serbisë nuk do të hiqen. Ai për agjendat e tij elektorale edhe mund të mos i heq këto tarifa, por çmimin do ta paguajë Kosova. Sepse kjo çështje është shndërruar tashmë në objekt tensionesh jo mes Kosovës dhe Serbisë, por mes Prishtinës dhe Washingtonit. Dy ambasadorë amerikanë (ai në Beograd dhe ky në Prishtinë) kanë kërkuar pezullimin e tarifave. Vetë Haradinajt i është refuzuar viza për të hyrë në SHBA. Një gjeneral amerikan ka anuluar vizitën në Kosovë. Këta janë hapat e parë. Ndëshkime të tjera mund të pasojnë.

Natyrisht do të mund të diskutohej me ditë e me javë nëse kjo qasje e politikës amerikane është e drejtë. Por, ky debat nuk mund të zhvillohet për shkak të rolit historik të Amerikës në çlirimin e Kosovës dhe bërjen e saj shtet. Pas Amerikës figura si Ramush Haradinaj kanë merita të pakontestueshme historike për çlirimin e Kosovës. Për këtë arsye ushtria amerikane në vitin 2000 e dërgoi një helikopter në një fshat të Dukagjinit për ta marrë Haradinajn e plagosur pas një budallallëku fshatarak. Tani nuk jemi në vitin 2000 dhe tani Amerika s’dërgon më helikopterë për të shpëtuar komandantë zulmëmëdhenj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Tarifat ndëshkuese të hiqen për të hyrë në negociatat përfundimtare për zgjidhjen e konfliktit të përhershëm mes Serbisë dhe Kosovës. Nëse i kemi besuar Washingtonit kur është shpallur pavarësia, nëse i kemi besuar Amerikës kur kemi pritur në ethe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, atëherë – përkundër ndryshimit të administratës – s’kemi arsye të jemi mosbesues. Sepse kokëfortësia për të mbajtur tarifën po shndërrohet në arrogancë ndaj aleatëve perëndimorë. Neve s’na ka shpëtuar as Egjipti, as India, as Kina, as Rusia, as Bjellorusia nga barbaria e Beogradit të Sllobodan Millosheviqit.

Njëkohësisht, pas heqjes së tarifës, është detyrë e kryeministrit dhe kabinetit të tij që me politikat e tyre të ndikojnë që kompanitë kosovare të mos importojnë mallra nga Serbia (dhe Bosnja) dhe qytetarët të mos i blejnë ato. (E vërteta është se disa nga këto kompani importuese janë financuese të partive në pushtet dhe opozitë). Tarifat ndëshkuese e patën efektin e tyre: ia bënë të qartë qytetarëve se është edhe çështje e respektit ndaj vetes dhe Republikës së Kosovës të mos blesh prodhime të Serbisë, e cila saboton shtetin e Kosovës kudo ku mundet.

Fjalori popullist të cilin po e kultivon Haradinaj këto ditë është i dëmshëm. Ai sot në Deçan në një ceremoni përkujtimore deklaroi: «Nëse ne i hapim kufijtë e kësaj Kosove, atëherë i hapim edhe varret e atyre për të cilët jemi ardhur për t’i kujtuar sot, plagët dhe vuajtjet e tyre. Ai që cenon këta kufij, është armik i Kosovës». Haradinaj e di shumë mirë se kufijtë e Kosovës i ka nxjerrë në tavolinë si masë negociuese presidenti i Kosovës në muhabete me kolegun e tij serb. Amerika e ka pranuar këtë si mundësi për të hequr qafe problemin e Kosovës, sepse ka punë më të rëndësishme – nga Venezuela në Kinë. Edhe një pjesë e europianëve mbështesin planet amerikane. Gjermania, pasi ka fjetur gati 10 vjet, tani është skeptike ndaj planeve për ndryshimin e kufijve. Nuk duhet pritur shumë nga Berlini.

Haradinaj, ndërkaq, nëse ka fuqi politike, duhet të nisë procedurat për shkarkimin e presidentit të Kosovës. Nëse nuk ka vota për këtë, të mos e deformojë orientimin strategjik properëndimor të Kosovës me rrahje gjoksi. Sepse në vend të Haradinajt për të ardhmen e Kosovës është mirë të vendosin të gjithë kosovarët mbi 18-vjeçarë – në zgjedhje të reja parlamentare dhe në referendum. Vox populi vox Dei!

Fundja, përse Haradinaj po qeverisë bashkë me Partinë Demokratike të Kosovës, kur dihet se pjesa më e madhe e deputetëve të saj e përkrahin agjendën e Hashim Thaçit për «korrigjimin» e kufijve? Disa e përkrahin, sepse shpresojnë se kështu do të hiqet qafe Serbia, disa të tjerë kanë halle personale që lidhen me Gjykatën Speciale, pra motivet janë të ndryshme dhe të hamendshme. Edhe njëherë: përse e mban qeverinë me aleatë të tillë Haradinaj? Përse në kabinetin e tij mban edhe njerëz me lidhje dikur të ngushta me argatë të UDB-së? Haradinaj është dashur ta dijë sidomos nga përvoja e LDK-së se të bashkëqeverisës me PDK-në domethënë të futesh në aventura të llojllojshme.

Është fantastike që Ramush Haradinaj pas gjithë atyre sakrificave personale dhe familjare prapë është i gatshëm, siç thotë, «ta mbrojë Kosovën», por meqë s’jemi më në vitet 1998/99 le ta thotë mendimin populli, le ta mbrojë populli Kosovën me mjete demokratike. Një mjet i tillë është referendumi. Popullit të Kosovës nuk duhet t’i predikohet ujë dhe tinëz tij të pihet verë nga politikanët. Duhet thënë qartë: kryetari i Kosovës ka hyrë në negociata për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Negociatat kanë përparuar. Ato po përkrahen nga diplomatë amerikanë, sorosistë dhe trumpistë, lobistë të paguar mirë, nga Austria, Franca, nga Edi Rama dhe Turqia e Rexhep Taip Erdoanit.

Nuk e dimë a bëhet fjalë për ndarje të Kosovës, për rrudhje drastike apo minimale të territorit, për shkëmbim të territorit apo për përkufizime kufitare. Një gjë është e sigurt: ndërsa Ramush Haradinaj e Kadri Veseli janë marrë me numërimin e zëvendësministrave, LDK ka fjetur (siç fle qe 20 vjet) dhe Vetëvendosje është përçarë, kryetari Hashim Thaçi ka hapur një derë që vështirë mbyllet më. Ose siç po e thotë njëri nga vëzhguesit e skenës sonë politike: «Alltia është ‘raportit’, tash s’ka çare pa u shkrep plumbi». Është detyrë e spektrit politik të Kosovës të mobilizohet për të shkarkuar presidentin (nëse mbizotëron mendimi se ai është futur në pazare të palejueshme) ose të përpiqet të korrigjojë politikat e deritanishme lidhur me zgjidhjen e çështjeve të hapura me Serbinë.

Nuk ka shumë rrugë në këtë qorrsokak. Në fakt në qorrsokakun që e ka futur Kosovën Hashim Thaçi, merita mizore ka jo vetëm Haradinaj me koalicionin e tij të beftë para zgjedhjeve të fundit, por edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari i së cilës po thotë se nuk është penduar që e ka zgjedhur Hashim Thaçin president. Nëse nuk është penduar, atëherë është mirë që LDK të mos luajë fshehtas, por të ofrojë shërbimet e saj gjunjëzuese për agjendën e kryetarit të Kosovës. Me përjashtim të Vetëvendosjes këtë grumbull plehu e kanë prodhuar të gjithë – të prirë nga ai që i prin çdo drame kosovare qe 20 vjet. Nga Hashim Thaçi.