Zërat
Ragmi Mustafa
Ragmi
Mustafa

Viti i fundit i mungesës në tavolinën negociuese?

Zërat December 31, 2018 - 10:16
Detajet

Lugina e Preshevës nuk qe pjesë e negociatave në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel, ku bisedohej për çlirimin, për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Tanimë që po trokasin në derë negociatat për njohjen reciproke mungesa e Luginës së Preshevës në dialog do të nënkuptonte mungesën e nesërme të paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

“Millosheviqi ishte një lider i madh serb. Qëllimet e tij ishin sigurisht të mira, por rezultatet ishin shumë të këqija. Jo sepse ai donte, por sepse dëshirat nuk ishin reale dhe interesat e aspiratat e kombeve të tjera u injoruan dhe u nënvlerësuan”, pohoi sivjet presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiqi në fjalimin e tij në veri të Mitrovicës. Kjo është gjuha e atij që dëshiron ta anëtarësojë Serbinë në Bashkimin Evropian. Gjuha që dëshmon se nuk ka vullnet politik për t’u përballur me të kaluarën dhe për ta ndërtuar një shtet me vlerat e Bashkimit Evropian. 

E kush më shumë se minoritetet në Serbi e përjetojnë të vërtetën politike të Vuçiqit?

Që pas viteve të nëntëdhjeta Lugina e Preshevës ka një histori midis integrimit të padëshirueshëm në jetën publike dhe institucionale në Serbi dhe vullnetit të mohuar për të qenë pjesë e Kosovës. Me Marrëveshjen e Konçulit, pas luftës së UÇPMB-së, shqiptarët e Luginës besuan se do të mundin të gjenin hapësirën për t’i realizuar të drejtat e tyre në një proces demokratik në funksion të barazisë dhe të drejtësisë.

Serbia nuk tregoi vullnet për t’i trajtuar shqiptarët si shtetas të saj. Refuzoi së fundi ta jetësojë “Planin 7-pikësh”. Refuzoi t’i përmbushë obligimet e marra ndërkombëtarisht me “Planin e Çoviqit” të vitit 2001. Nuk u realizuan kurrë dy nga qëllimet kryesore të këtij plani: zhvillimi ekonomik dhe integrimi i shqiptarëve në institucionet publike. Raporti i Këshillit të Evropës vërteton edhe sot mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.

Më 14 korrik të këtij viti Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës (organi më i lartë politik joformal, ku përfaqësohen të gjitha subjektet politike) konstatoi se pa zgjidhjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Prandaj Kuvendi i Këshilltarëve Shqiptarë të Luginës së Preshevës kërkoi nga Parlamenti, presidenti dhe Qeveria e Republikës së Kosovës angazhim në funksion të realizimit të kërkesave politike të shqiptarëve, të parashtruara me dokumentet përkatëse dhe që si themel kanë Referendumin e 1 dhe 2 marsit 1992, ku shqiptarët ishin deklaruar “për autonomi territoriale-politike me të drejtë bashkimi me Kosovën”.

E çuditshme se si kjo kërkesë legjitime e Luginës së Preshevës ka nxitur frikë te disa politikëbërës në Kosovë që po nxisin frikën e humbjes, për të nxitur frikën e të tjerëve nga e ardhmja e përbashkët. Kosova dhe Lugina e Preshevës janë një rrëfim i pandashëm historik. E kjo histori tregon se ardhmja i takon vetëm atyre që kanë guximin t’i paraprijnë proceseve politike.

Lugina e Preshevës ka bërë organizimin, rezistencën dhe artikulimin politik. E përderisa po afron momenti i përfundimit të dialogut po shohim horizontin e ngrirë me retë e konfuzionit dhe të kaosit, që po thellohet gjithnjë e më shumë.

Lugina e Preshevës nuk qe pjesë e negociatave në Rambujë, në Vjenë dhe në Bruksel, ku bisedohej për çlirimin, për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës nga Serbia. Tanimë që po trokasin në derë negociatat për njohjen reciproke mungesa e Luginës së Preshevës në dialog do të nënkuptonte mungesën e nesërme të paqes midis Kosovës dhe Serbisë.

Si pjesë e kontestit midis Kosovës dhe Serbisë, Lugina e Preshevës duhet doemos të jetë pjesë e zgjidhjes së saj. Për paqen afatgjate dhe midis popujve. E kundërta do t’i shërbente vetëm atyre që nuk janë distancuar ende nga mendësia e Millosheviqit.

(Autori është kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK