Zërat
Kadri Veseli
Kadri
Veseli

Morali politik i vitit 2019

Zërat December 29, 2018 - 17:04

Viti që po kalon pa dyshim që do të mundë të hyjë në analet e viteve të suksesshme të Kosovës. Gjatë këtij viti ne arritëm të marrim disa vendime shtetërore, rëndësia e të cilave do të reflektohet shumë pozitivisht në vitet e ardhshme.

Kalimi në Kuvendin e Kosovës i Marrëveshjes me Malin e Zi i dha fund ngërçit institucional të vetëshkaktuar, i cili na mori një kohë të gjatë si shtet dhe bëri që, si klasë politike, të harxhojmë energji të panevojshme në çështje lehtësisht të zgjidhshme.

Plotësimi i të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave ishte dëshmi e përkushtimit të plotë të institucioneve tona në përmbushjen e agjendës evropiane, agjendë e cila për qytetarët e Kosovës paraqet vizionin e vetëm për të ardhmen.

Përgjigjja pozitive e Komisionit Evropian dhe e Parlamentit Evropian ndaj punës sonë ishte një lajm i mirë për vendin tonë, por vonesat që erdhën pastaj nga ana e Bashkimit Evropian në procesin e vendimmarrjes për liberalizimin e vizave për Kosovën janë vonesa të pajustifikueshme dhe si të tilla ne besojmë se shumë shpejt do të tejkalohen.

Është e papranueshme që qytetarët e Kosovës të bien viktimë e divergjencave të brendshme të Bashkimit Evropian.

Ne nuk jemi shkaktarë të valës së frikshme të populizmit në Evropë, prandaj edhe nuk do të pranojmë që për shkak të tij të na mohohen të drejtat legjitime si popull dhe shtet evropian.

Kosova nuk heq dorë nga përcaktimi i saj euroatlantik. Pikërisht duke i qëndruar besnik këtij përcaktimi gjatë muajit dhjetor në Kuvendin e Kosovës ne morëm dy vendime të mëdha: miratuam tri ligjet e transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës dhe themeluam delegacionin shtetëror për dialogun me Serbinë.

Ushtria e Kosovës është vlerë e shtuar dhe e domosdoshme në sigurinë rajonale. Ajo është themeluar në partneritet të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendet anëtare të NATO-s dhe me qëllime të qarta në shërbim të sigurisë së vendit, paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë, si dhe e gatshme për të shërbyer në misionet e paqes nën flamurin e NATO-s, kudo që do të na kërkohet.

Në funksion të këtyre vlerave Kosova e sheh edhe dialogun me Serbinë.

Është e qartë se ky dialog duhet të përmbyllet me anë të një marrëveshjeje e cila vendos paqen e përhershme në mes të dy shteteve tona. Kjo paqe nënkupton njohjen nga ana e Serbisë të shtetit të pavarur e sovran të Kosovës dhe anëtarësimin e tij në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Arritja e këtyre dy qëllimeve është përfundimi i vetëm logjik dhe praktik i procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve, i filluar vite më parë në dialogun e Brukselit.

Njohja reciproke është kusht bazik që në mes të dy vendeve të jetësohet ideali i fqinjësisë së mirë. Kosova beson thellësisht se e ardhmja i takon pikërisht këtij ideali, prandaj edhe jemi tërësisht të përkushtuar në drejtim të tij

Viti 2019 duhet të jetë vit i vazhdimit të progresit të shënuar nga viti që po lëmë pas.

Kjo gjithsesi do të varet nga gatishmëria jonë si klasë politike që t’i lëmë anash dallimet për interesa partiake dhe të fokusohemi të gjithë në agjendën e përbashkët shtetërore.

Unë besoj se këtë gatishmëri e kanë të gjitha forcat politike, por ajo që na duhet për ta bërë realitet këtë gatishmëri është heqja dorë nga sforcimi i luftës me çdo kusht për pushtet. Lufta për pushtet është legjitime vetëm kur punët e shtetit ecin mbarë. Në rrethana të tjera ajo bëhet problemi kryesor i një vendi dhe ne nuk guxojmë ta lejojmë një gjë të tillë në Kosovë.

Në këtë kontekst, një gjë duhet ta kemi të qartë: Kosova ndodhet para sfidave të mëdha, ballafaqimi me të cilat e bën të domosdoshëm veprimin e përbashkët politik. Kjo është rruga e vetme që na garanton sukses.

Ne të gjithë mund të gabojmë e të dështojmë, por shteti dhe Kosova nuk bën të dështojnë. Nëse dështon Kosova humbim të gjithë, pozitë dhe opozitë. Ashtu siç fitojmë të gjithë nëse fiton Kosova. Unë besoj se ky është morali politik që duhet ta na udhëheqë gjatë vitit 2019 të gjithëve, pozitë dhe opozitë.

(Autori është kryetar i Parlamentit të Kosovës)

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK