Zërat
Sabit Syla
Sabit
Syla

Reflektimi i Demonstratave të vitit 1968 në diplomacinë e shtetit shqiptar

Zërat December 17, 2018 - 13:31
Shkruan: Prof. asoc. dr. Sabit Syla

Në tërësinë e zhvillimeve historike e në rrjedhën e viteve dhe të shekujve ka ngjarje që për domethënien e tyre qëndrojnë si udhërrëfyese në udhëkryqet e mëdha të historisë. Pa dyshim, njëra nga ato ngjarje që i dha popullit shqiptar një dimension të ri politik e që zë vend të rëndësishëm në histori janë Demonstratat e vitit 1968 në Kosovë. Në Prizren, më 06 tetor 1968, u organizua demonstrata e parë në Kosovë dhe për herë të parë në mënyrë publike u kërkua Republika e Kosovës. Kjo demonstratë do të ndiqej më pas me demonstratat e tjera të shqiptarëve në disa komuna të Kosovës e të shqiptarëve në Maqedoni dhe në Mal të Zi, duke tronditur themelet e shtetit komunist jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore. Si të tilla ato patën jehonë në popull dhe rikthyen një kohë që pothuajse “ishte harruar”.

Nga fundi i viteve të gjashtëdhjeta problemet politike, ekonomiko-shoqërore e kulturore qenë rritur në përmasa serioze si rezultat i kontradiktave të papajtueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët kërkonin më shumë të drejta dhe shpallën vendosmërinë e tyre për të luftuar për të drejta kombëtare dhe njerëzore, duke u ngritur kundër autoritetit të shtetit jugosllav, që për dekada i kishte shtypur, i kishte ndrydhur dhe vazhdonte të mos i dëgjonte. Ndërkohë, në Evropë, duke pasur parasysh vazhdimin e Luftës së Ftohtë dhe konfigurimin bipolar të botës, nuk kishte hapësira për kthesa të mëdha politike. Lëvizja e shqiptarëve në Kosovë më 1968-ën po shkonte drejt një hapi cilësor, duke shënuar fillimin e një procesi të gjatë ndryshimesh në Kosovë, i cili do të vazhdonte të shkallëzohej dhe të ngrihej hap pas hapi deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës.  

Demonstratat e Kosovës nuk ishin të dhunshme, por shteti jugosllav përdori dhunë ndaj demonstruesve. Demonstratat shqetësuan edhe udhëheqjen politike të Tiranës. Lufta për ruajtjen e identitetit kombëtar në Kosovë u vesh me petkun ideologjik marksist-leninist, i cili, duhet të përmendim, ishte dhe mbeti një komponentë konstante dhe metodë e preferuar e udhëheqjes komuniste të Shqipërisë. Ajo denonconte qëndrimin antishqiptar të Serbisë, duke përdorur luftën ideologjike kundër udhëheqjes jugosllave, e cila shtypte dhe nëpërkëmbte të drejtat e ligjshme të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe në gjithë Jugosllavinë. Udhëheqja politike e Shqipërisë nëpërmjet këtyre metodave u përpoq të ruajë dhe të mbrojë të drejtat kombëtare, gjuhën, zakonet, traditat dhe kulturën shqiptare në këto territore. Një drejtim i rëndësishëm i udhëheqjes së Shqipërisë dhe levave të saj shtetërore e diplomatike ishte ruajtja dhe forcimi i mëtejshëm i ndjenjave të patriotizmit dhe të dashurisë për shtetin amë - Shqipërinë, si dhe i të drejtave të tyre për liri dhe barazi brenda kufijve të Jugosllavisë.

Në kuadër të luftës kundër udhëheqjes politike të Jugosllavisë dhe të mbrojtjes së të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë dhe në vise të tjera kreu i shtetit shqiptar, Enver Hoxha, shprehej: “Kemi plotësisht të drejtë të denoncojmë çdo veprim që u mohon vëllezërve tanë kosovarë të drejtat që ua jep Kushtetuta jugosllave dhe çdo masë që synon shkombëtarizimin ose largimin e tyre nga tokat e të parëve”. Po ashtu, duke qenë kundër shkombëtarizimit të shqiptarëve e për mbrojtjen e të drejtave të tyre, në një shënim të datës 6 janar 1968 ai shkruante se: “Në Kosovë e në Maqedoni është organizuar një diskutim gjoja akademik për çështjen se si të quhen këtej e tutje shqiptarët e Kosovës, të vazhdohet të quhen shqiptarë ose “albanci”. E gjithë kjo, vazhdon ai, është një veprim politik, një manovër antishqiptare e qarqeve shoviniste jugosllave. Qëllimi është i qartë, me anën e emrit të realizohet ndarja përfundimtare në mes nesh dhe shqiptarëve të Kosovës, të luftohen lidhjet tona të gjakut dhe ato kombëtare.

 Prandaj ne duhet t’i demaskojmë deri në fund me argumente shkencore këto lojëra politike dhe në të njëjtën kohë të rritim mbështetjen dhe ndihmën për institucionet arsimore e kulturore kosovare”. Edhe në bisedën e zhvilluar me një grup profesorësh nga Kosova, të cilët kishin shkuar në Shqipëri për të marrë pjesë në punimet e Konferencës së Dytë të Studimeve Albanologjike, në janar të vitit 1968, ndër të tjera u kishte thënë: “Shqipëria duhet të bëjë sakrifica për kosovarët dhe sado që t’ju ndihmojmë përsëri do të themi se nuk kemi bërë atë që duhet, pavarësisht nga mundësitë e kushtet. Ne duhet t’ju japim juve me qindra bursa, që të rinjtë e të rejat kosovare të kenë mundësi të mësohen, të shkollohen, të jenë patriotë, të zotërojnë diturinë, shkencën dhe pastaj të kthehen në Kosovë për ta vënë atë në shërbim të popullit të tyre. Ju keni kërkuar prej nesh tekste dhe libra të ndryshëm. Ne patjetër do t’jua japim ato. Për veten tonë ne do të pranojmë edhe sakrifica në këtë drejtim, por kërkesat e nevojat tuaja do t’jua plotësojmë”.

Më 1968-ën subjekt i fjalimeve të udhëheqjes politike të Shqipërisë ishte dhuna e terrori i ushtruar ndaj shqiptarëve në Jugosllavi, dënimi i ideologjisë së udhëheqjes jugosllave si shkaktare kryesore drejt shkombëtarizimit të shqiptarëve, prapambetjes ekonomike etj. Nuk mund të thuhet se të tilla artikulime nuk ndikuan te rinia, inteligjenca e popullsia e Kosovës. Disa shkrime e artikuj të botuar në gazetën “Zëri i Popullit” si: “Mohimet e fakteve dhe shtrembërimet e historisë nuk mund ta fshijnë tradhtinë titiste”, “Shqiptarët e Kosovës dhe flamuri kombëtar” etj. patën jehonë dhe mbështetje në popullsinë shqiptare të Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi. “Radio Tirana” përgatiste emisione për shqiptarët jashtë atdheut me një tematikë të veçantë për Kosovën. Po ashtu hapat e ndërmarrë nga Partia e Punës së Shqipërisë, si: Letra e hapur e Komitetit Qendror e drejtuar Kuvendit Krahinor të Kosovës, çështja e librave, reagimi zyrtar jugosllav ndaj fjalimit që Enver Hoxha mbajti në Peshkopi ndaj artikullit të “Zërit të Popullit” etj. rritën ndjenjat kombëtare te shqiptarët e Kosovës.

Si rezultat i përmirësimit të klimës politike të Shqipërisë me Jugosllavinë ndërmjet tyre u arritën disa marrëveshje, të cilat u reflektuan sidomos në fushën e kulturës dhe arsimit të shqiptarëve në Kosovë. Ndihma e Shqipërisë në aspektin kulturor u fokusua në dërgimin e teksteve mësimore, grupeve artistike, folklorike dhe materialeve të ndryshme letrare në Kosovë. Kështu u arrit një marrëveshje legale e përfunduar në qershor të vitit 1968 midis “Arteksportit” dhe ndërmarrjes “Rilindja” të Prishtinës. Legatat shqiptare në Beograd, Pragë, Vjenë, Paris etj. dërguan disa relacione dhe njoftime për gjendjen e shqiptarëve nën Jugosllavi. Ato zhvilluan aktivitete të rëndësishme, si ekspozita fotografike, shpërndarje revistash, gazetash dhe librash në gjuhën shqipe. Madje jo pak shqiptarë të Kosovës paraqiteshin në këto legata për të kërkuar disqe me këngë patriotike, materiale fotografike, libra e revista të ndryshme.

Aspekt tjetër i rëndësishëm i ndikimit të Shqipërisë në Kosovë dhe viseve tjera shqiptare ishte edhe ai i marrëdhënieve shpirtërore. Për shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera në Jugosllavi ky komponent ishte i një rëndësie të veçantë, sepse përcillte ndjenjën dhe nevojën e pranisë së Shqipërisë në territoret e shqiptarëve nën Jugosllavi, forconte tek ata ndjenjën e besimit se nuk ishin të vetëm dhe se ata kishin një identitet tjetër, të dallueshëm qartazi nga sllavët, por edhe për të mbajtur gjallë shpresat për lirinë e ëndërruar brez pas brezi. Të gjitha këto ndikuan pozitivisht në popullsinë shqiptare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare, duke rritur entuziazmin e përkatësisë së tyre kombëtare dhe duke mbajtur gjallë frymën nacionaliste, si dhe dashurinë e simpatinë për shtetin amë.   

Qëndrimi i mbajtur nga Shqipëria ndaj Kosovës më 1968-ën ndikoi që autoriteti i politikës shqiptare të rritet dukshëm. Ajo ngriti ndjenjat patriotike dhe intensifikoi luftën e shqiptarëve për të drejtat e tyre nacionale. Pra në Kosovë ndikimi i Shqipërisë ishte aq i madh, saqë tek popullata shqiptare vazhdoi të mbisundojë edhe një frymë besimi për bashkimin, me gjithë frikën që ekzistonte nga agjitacioni i politikës udhëheqëse jugosllave, e cila e paraqiste Shqipërinë me qëndrim armiqësor karshi Jugosllavisë. Kjo propagandë kërcënonte duke përhapur idenë se “kush e do Shqipërinë s’e ka mirë me shtetin jugosllav”. E tërë kjo veprimtari e Shqipërisë në drejtim të Kosovës pati efektet e duhura. Në njoftimin që bën Legata në Beograd, në grupe të vogla, në disa qytete të Kosovës janë brohoritur edhe parulla: “Rroftë Shqipëria”, “Rroftë Enver Hoxha” etj.

Megjithatë, në procesin e ri të gjendjes kur edhe ndryshoi kursi i lëvizjes së shqiptarëve në Kosovë më 1968-ën nuk ndryshoi edhe aq qëndrimi i Shqipërisë për zgjidhje të çështjes së saj, me gjithë veprimtarinë e bujshme në drejtim të Kosovës. Tirana zyrtare nuk i kaloi kufijtë e legalitetit dhe nuk u angazhua me veprimtari konkrete subversive, ndonëse do të akuzohet nga udhëheqja e Jugosllavisë në krye me Titon për ndërhyrje në punët e brendshme të saj. Mbrojtja e çështjes shqiptare iu nënshtrua moduleve marksiste-leniniste dhe ideologjisë komuniste. Në këndvështrimin e Tiranës, kërkesa për Republikë barte shumë rreziqe. Fqinja veriore e Shqipërisë, Jugosllavia, ishte një vend revizionist dhe popullsia shqiptare nën juridiksionin e saj mund të manipulohej.

Lufta për ruajtjen e identitetit kombëtar në Kosovë nuk mund të përkrahej nëse nuk kishte si fondament të saj ideologjinë marksiste-leniniste. Kështu në prag të Demonstratave më 1968-ën (shtator - S.S.) me rastin e paraqitjes së disa shqiptarëve të Kosovës në Legatën Shqiptare në Beograd, të cilët kërkuan që “duke përfituar nga situata aktuale e RPSH-së t’u japë ndihmë të gjithanshme për të realizuar aspiratat për shkëputje nga Jugosllavia e bashkimin e saj me Shqipërinë”, Ministria e Jashtme e Shqipërisë do të udhëzonte Legatën Shqiptare në Beograd për qëndrimin që duhej të mbante ndaj çështjes së Kosovës. Ajo u tërhiqte vëmendjen që: a) të mos u besohej apriori kosovarëve të cilët paraqiten me të tilla kërkesa; b) se ne nuk ngremë pretendime territoriale zyrtare ndaj Jugosllavisë, sepse zgjidhjen e problemit të Kosovës nuk e ndajmë nga zgjidhja e problemit të përgjithshëm të Jugosllavisë, d.m.th. nga rrëzimi i klikës së Titos dhe ardhja në fuqi e një udhëheqje marksiste-leniniste në vend të saj, e cila në kuadrin e zgjidhjes së çështjeve nacionale në Jugosllavi do t’i jepte popullsisë shqiptare të drejtën për vetëvendosje me plebishit.

Në këtë kuptim popullsia shqiptare duhet të mbështesë forcat eventuale marksiste-leniniste jugosllave për realizimin e synimeve të tyre; c) se qëndrimi ynë ndaj Jugosllavisë dhe çështjes së Kosovës në këtë situatë nuk ka ndryshuar. Ne këshillojmë kosovarët që të luftojnë si edhe deri tani për të fituar sa më shumë të drejta në të gjitha drejtimet, duke synuar që të arrijnë të gëzojnë po ato të drejta që gëzojnë edhe kombësitë e tjera në Jugosllavi; d) se për sa i përket çështjes nëse jemi për republikën ose për krahinën autonome, ju i keni udhëzimet. Përsërisim se ne nuk jemi për krijimin e republikës, sepse kjo nuk do ta zgjidhte problemin. Së fundi, tërhiqej vëmendja se kushdo qoftë që kërkon mendimin tonë për çështjen e krijimit ose jo të republikës së Kosovës nga ana juaj të mos jepet të kuptojnë qëndrimin tonë, por t’u thuhet se kjo çështje ju takon juve vetë ta vendosni. E rëndësishme për mendimin tonë është që ju të fitoni sa më shumë të drejta dhe të luftoni që të gëzoni po ato të drejta që gëzojnë edhe kombësitë e tjera në Jugosllavi. Për këtë ju keni pasur dhe do të keni përkrahjen e RPSH-së”.

Siç shihet nga këto udhëzime, Qeveria shqiptare tregohej shumë e matur për të mos nxitur shqiptarët në Kosovë për veprime shpërthyese. Ajo vazhdonte të mbante të njëjtin qëndrim që Stalini ia kishte rekomanduar Enver Hoxhës në takimin e nëntorit 1949, se “çështja e Kosovës duhej të kalonte në plan të dytë” dhe se çështja e parë ishte “rrëzimi i klikës së Titos”. Këtë qëndrim e shoqërojnë edhe arsye tjera përbrenda këtyre rekomandimeve. Në udhëzimin e Ministrisë së Jashtme duket qartazi se shteti shqiptar e shihte çështjen e Kosovës si çështje të të drejtave kombëtare, por gjithnjë brenda Federatës Jugosllave dhe luftës së përbashkët me popujt jugosllavë për rrëzimin e Titos dhe grupit te tij. Më pas udhëheqja e re komuniste që do të vendosej do t’i jepte popullit shqiptar të drejtën e vetëvendosjes. Por, ishte iluzion të mendohej që në atë kohë shqiptarët e Kosovës do ta zgjidhnin çështjen e tyre kombëtare duke luftuar në krah të popujve të tjerë të Jugosllavisë. Vështirë të besohet se popujt e tjerë të Jugosllavisë do të lejonin dhe do të pranonin që Kosova të shkëputej nga territori i Jugosllavisë e ta linin atë të bashkohej me Shqipërinë.

 Republikat jugosllave kërkonin më shumë pavarësi brenda kuadrit të Federatës dhe nuk ishin kundër Titos, sikurse dëshironte udhëheqja shqiptare. Edhe ata udhëheqës jugosllavë që ishin antititistë nuk ishin automatikisht antijugosllavë. Jo, madje ata ishin nacionalistë të skajshëm për të ruajtur Jugosllavinë. Zgjidhja e problemit pas rrëzimit të Titos do të thoshte ta çojë zgjidhjen e problemit të shqiptarëve në kalendat greke. Udhëheqja e shtetit shqiptar donte ta zgjidhte problemin shqiptar brenda skemave të ideologjisë marksiste-leniniste, sepse përndryshe nacionalizmi në Kosovë do të bëhej minues edhe për të në Tiranë. Nacionalizmi shqiptar në Kosovë dhe internacionalizmi i PPSH-së nuk mund të harmonizoheshin me njëri-tjetrin. Ardhja në pushtet e një udhëheqje si e Shqipërisë nënkuptonte një udhëheqje të ardhshme të njëjtë me atë të Shqipërisë dhe të kontrolluar prej saj.

Udhëheqja shqiptare nuk kishte besim te iniciuesit e Republikës se Kosovës dhe e konsideronin këtë alternativë të parakohshme, të hedhur nga reaksioni ose elementë të tjerë në republikat e ish-Jugosllavisë. Arsyeja kryesore ishte frika se mos një republikë e tillë mund të përdorej nga Titoja kundër Shqipërisë komuniste-staliniste dhe për rrjedhojë do të çonte deri në rrëzimin e vet udhëheqjes shqiptare dhe të përmbysjes së regjimit në Shqipëri. Por, në të njëjtën kohë ato shprehin dhe mosbesimin ndaj atyre që u prinin proceseve, të cilët me sa duket nuk ishin nën kontrollin e saj. Pra, thelbi i këtij udhëzimi të MPJ-së ishte që shqiptarët të punonin që Kosova të kishte një status më të avancuar politiko-juridik krahas popujve të tjerë të Federatës. Qeveria shqiptare ishte e sigurt se kërkesa për Republikë në ato momente ishte e parealizueshme. Shpatullat e Shqipërisë nuk mund ta mbanin peshën e mbrojtjes së Kosovës dhe të kërkesës së saj në këto momente. Në vitin 1968 Jugosllavia ishte shumë më e njohur dhe e favorizuar në opinionin publik dhe zyrtar ndërkombëtar. Ndërsa Shqipëria vazhdonte rrugën e saj staliniste, të mbijetonte duke qëndruar e izoluar. Ajo që mund të bënte Enver Hoxha në këto momente ishte vetëm revolta e tij e shprehur në ditar: “Ne nuk kemi për qëllim kurrë të sulmojmë Jugosllavinë…, Ne i duam popujt e Jugosllavisë me frymën e vërtetë internacionaliste, por serbomëdhenjtë duan që ne të pranojmë e të themi se populli shqiptar i Kosovës rron në lumturi të madhe, se i ka fituar të gjitha të drejtat dhe liritë, se toka dhe fabrikat janë të tijat, se ka në çdo fshat shkolla, se ai është në pushtet, se rron në bollëk, se nuk dëbohet në Turqi etj.

Jo, ne nuk mund të bëhemi bashkautorë të një mashtrimi me rrezikshmëri të madhe për popullin shqiptar të Kosovës”. Pavarësisht kësaj, udhëheqja politike e Shqipërisë, megjithëse zbatonte parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë më 1968-ën, ai parim nuk e pengoi atë që të ngrejë zërin në mbrojtje të të drejtave të popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Megjithatë duhet shtuar se një qëndrim i tillë i mospërkrahjes për statusin e republikës së Kosovës vinte edhe nga fakti se qysh në maj (1968) me një relacion nga Legata e Beogradit të drejtuar Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut shkruhej: “Në takimin që ka pasur Bujar Hoxha me disa anëtarë të Komisionit për ndryshimin e statusit të Kosovës ka mësuar se Kosova nuk do të shpallet republikë, por autonomia e saj do të forcohet dhe për shumicën e problemeve ajo do të ketë lidhje me Federatën dhe jo me Republikën e Serbisë. Udhëheqja e Kosovës nuk ka propozuar vetë për krijimin e republikës së Kosovës, mbasi një propozim i tillë sipas mendimit të tyre nuk është oportune për situatën e tanishme”.

Zhvillimi i Demonstratave në Kosovë, më 1968-ën dhe situata që u parapriu atyre përkonin me një gjendje shumë të acaruar për Shqipërinë, e cila veçohej me një politikë të pabalancuar në sferën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ajo përpiqej me çdo kusht që të ruante etiketat dhe normat në marrëdhëniet me Jugosllavinë që të mos akuzohej nga përkrahësit e Titos e as nga komuniteti ndërkombëtar për ndërhyrje në punët e brendshme e për nxitje të trazirave, për destabilizimin e Jugosllavisë.

Mjetet dhe hapësirat e udhëheqjes shqiptare ishin të kufizuara si rezultat i politikës së saj të mbyllur, pothuajse pa mbështetje të vërtetë, rolit të grindavecit të pandreqshëm e zhurmëmadh që ajo mori përgjatë viteve të ’60-ta dhe Luftës së Ftohtë.

Pas agresionit të BRSS-së ndaj Çekosllovakisë në gusht 1968 dhe miratimit të ligjit nr. 4425 të 13 shtatorit 1968 nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë për daljen e Shqipërisë nga Traktati i Varshavës u krijuan rrethana të reja ndërkombëtare. Shteti shqiptar u deklarua për mbështetje të luftës së popujve të Jugosllavisë e për ruajtjen e pavarësisë së saj kundër Bashkimit Sovjetik. Kështu Hoxha do të deklarohej: “Populli shqiptar, në rast rreziku, do të përkrahë popujt e Jugosllavisë ashtu siç ka bërë edhe në të kaluarën, kundër cilitdo agresor që do të kërcënonte lirinë, sovranitetin dhe pavarësinë kombëtare të popujve tanë.., do të ishte antimarksiste dhe një tradhti kombëtare në qoftë se ne do ta neglizhonim faktin që në Jugosllavi jeton, në tokat e veta, një popullsi e madhe shqiptare, në qoftë se nuk do të pyetnim për fatin e saj.

Mbrojtjen e vëllezërve tanë kosovarë dhe të drejtave të tyre ne e kemi bërë dhe do ta bëjmë gjithnjë brenda normave ndërkombëtare e njerëzore, brenda normave të fqinjësisë së mirë midis dy shteteve”. Pra, kemi edhe pika afrimi me Jugosllavinë e jo vetëm nxitje kundër politikës së Titos nga udhëheqja shtetërore e Tiranës.           

Mbrojtjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve nga Shqipëria udhëheqja politike e klikës së Titos e shfrytëzoi si modus për ta akuzuar atë si vend me veprimtari agjitative, propagandistike, shoviniste e nacionaliste. Kështu, udhëheqësit jugosllavë të cilët denonconin demonstruesit si: nacionalistë, ballistë, ekstremistë shovinistë shqiptarë etj. drejtonin akuza edhe ndaj Shqipërisë si influencuese dhe propaganduese e demonstratave.

Shqipëria akuzohej si nxitëse e ekstremistëve për ngritjen e flamurit nacional, flamurin e kuq me shqiponjë dykrenore dhe yllin me pesë cepa, simbol i regjimit të Enver Hoxhës, i cili ka qenë i predispozuar në mënyrë armiqësore ndaj Jugosllavisë. Akuza u drejtuan edhe për gazetën “Zëri i Popullit”, e cila tri ditë para shpërthimit të demonstratave në Kosovë kishte botuar një artikull të qartë e demaskues për udhëheqjen shtetërore jugosllave. Ndërkaq, ndaj Legatës Shqiptare në Beograd u shtuan masat e kontrollit dhe organet e sigurimit shtetëror serb u urdhëruan që të bëjnë të gjitha përpjekjet për të zbuluar “dorën e Shqipërisë” në organizimin e demonstratave.

 Shumë serbë përmes letrave që ia shkruan “Rilindjes” akuzuan Shqipërinë se po ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë. Marko Nikeziqi në diskutimin e tij që mbajti para aktivit politik të Serbisë, duke akuzuar Shqipërinë, ndër të tjera tha: “Liberalizimi ynë nuk do të thotë se do të bëjmë lëshime në llogari të integritetit të Jugosllavisë”. Edhe udhëheqësit kosovarë, si: Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Ali Shukria e Veli Deva, gjatë diskutimeve të tyre kishin theksuar se “demonstratat në Kosovë qenë të influencuara nga propaganda e Tiranës”. Po ashtu Komiteti Krahinor i Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë demonstratat i quajti të organizuara nga nacionalistët e irredentistët shqiptarë të nxitura e të influencuara nga jashtë me pikësynim Shqipërinë. Ata nxorën edhe një deklaratë ku dënoheshin demonstratat dhe cilësoheshin si të shkaktuara nga elementë “shovinistë, antijugosllavë” dhe të “drejtuara kundër rendit në Jugosllavi, kundër Kushtetutës dhe vetadministrimit”. Në qarqet shtetërore jugosllave dhe serbe ekzistonte frika e influencës gjithmonë në rritje të Shqipërisë te shqiptarët në Jugosllavi.             

Akuzave jugosllave që vinin nga Beogradi, se trazirat ishin të nxitura nga Shqipëria, udhëheqja shqiptare u përgjigjej prerazi: “Natyrisht, ne nuk kemi as gishtin me të vogël në këto demonstrata, ne nuk zhvillojmë asnjë punë agjenturore dhe subversive as në Jugosllavi, as në Kosovë. Udhëheqësit jugosllavë e dinë këtë, por ua do puna të shpifin e të thonë të kundërtën. Demonstratat që u bënë janë preludi i simfonisë patriotike të shqiptarëve të Kosovës. Më kot titistët bërtasin se po ndërhyjmë ne. Jo, ky zjarr vatrën e ka brenda në vetë Kosovën. Zjarrin e ndezin patriotizmi i kosovarëve dhe kërkesat legjitime të tyre, zjarrin e nxitin shtypja dhe robëria shoviniste”.

Lidhur me qëndrimin e mbajtur ndaj Kosovës Enver Hoxha ndër të tjerash shkruante: “Shqiptarët e Kosovës gëzohen për mbrojtjen e drejtë e të natyrshme, marksiste-leniniste që ne u bëjmë të drejtave të tyre kombëtare…, ne si kurdoherë mbrojmë të drejtat e tyre legjitime. Ne presim se si do të zhvillohen situatat që të demaskojmë terrorin që përgatisin titistët në Kosovë, të cilët do të dështojnë në veprimet e tyre antimarksiste dhe antishqiptare”. Po ashtu ai konstatonte: “Shqipëria është përjetë edhe atdheu i tyre. Ata janë vëllezërit tanë…, kosovarët e kanë të qartë se serbomëdhenjtë nuk do t’ua japin kurrë lirinë, se liria fitohet me luftëra, me përpjekje e me sakrifica” dhe “lufta e tyre do të vijë vazhdimisht duke u shtuar e në mos sot, nesër, ai do të ngrihet dhe do të fitojë”. Ndërkaq me radiogramin qarkor të Ministrisë së Punëve të Jashtme, nr. 3501-3510, të datës 9 dhjetor 1968, udhëzohen përfaqësitë për qëndrimet e tyre që duhet mbajtur ndaj ngjarjeve të atij viti të zhvilluara në Kosovë.

Më kryesoret që udhëzohen përfaqësitë në këtë radiogram janë: a) të vihet në dukje se shqiptarëve në Jugosllavi u janë mohuar të drejtat, bile edhe ato që ua jepte kushtetuta. Si shembull merrni faktin që edhe kur shqiptarët dolën në rrugë në manifestim paqësor me flamurin kombëtar të lejuar kohët e fundit për t’ju gëzuar këtij simboli nacional, kjo quhet armiqësore dhe duke marrë pretekst nga disa parulla autoritetet po hidhen në terror; b) theksoni se edhe pse ekzagjerohet me ndonjë parullë dihet se njerëzit kanë ndjenja e mund të ekzaltohen, por ato parulla mbeten gjithnjë simbolike; c) partia dhe Qeveria jonë zbaton parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të Jugosllavisë, por ky parim nuk na pengon që të ngremë zërin në mbrojtjen e të drejtave të popullsisë shqiptare në Jugosllavi. Titoja e ka deklaruar të drejtën e tij të dalë në mbrojtje të maqedonasve në Greqi; d) me taktin e duhur ju thoni se edhe Titoja tha se çështja nuk duhet dramatizuar, se krerët e Serbisë e të Kosovës nuk po veprojnë sipas porosive të Titos me masat që po marrin; e) ashpërsimi i situatës në Kosovë është vetëm në interes të shovinistëve serbomëdhenj të Rankoviqit, të cilët veç tjerave janë të lidhur edhe me klikën sovjetike të Brezhnjevit.

 Mbi bazën e këtij qëndrimi mbrohen të drejtat e popullit shqiptar brenda dispozitave që ua jepte kushtetuta jugosllave, mbrohet qëndrimi i Titos se çështja nuk duhet dramatizuar, si dhe nuk është e pëlqyeshme aspak nga ana e udhëheqjes politike të Shqipërisë destabilizimi i Jugosllavisë e nuk mbrohet opsioni për Republikën e Kosovës. Përderisa edhe me pjesën tjetër të udhëzimeve për punën me shqiptarët e Kosovës përfaqësitë qenë porositur që në takimet me kosovarët të flitet kundër kërkesës së shtruar në demonstratat e zhvilluara për statusin e Republikës së Kosovës.        

Refleksionet e ngjarjeve që zhvilloheshin në Kosovë, siç qenë Demonstratat e vitit 1968 etj., faktorizonin edhe më shumë shtetin shqiptar në rol dhe në qëndrim karshi Kosovës. Zhvillimi i situatave reflektuese në Kosovë nxirrte në pah denoncimin e politikës serbe që ndiqte Beogradi ndaj Kosovës, si dhe në ndihmën që duhej dhënë popullsisë shqiptare të Kosovës për një zhvillim kulturor e arsimor me të shpejtë.

Madje ndihma e saj konsistonte edhe në atë që: “Duhet të ndihmojmë që popullsia shqiptare e Kosovës luftën e saj për një afirmim të plotë si komb dhe si popull në Jugosllavi të mos e zhvillojë vetëm nga pozita nacionaliste, por kjo luftë të ketë edhe përmbajtje klasore, të lidhet me luftën e klasave punëtore, të fshatarësisë dhe të shtresave të tjera të popujve të tjerë të Jugosllavisë kundër klikës revizioniste të Titos, që është armike jo vetëm e popullit shqiptar, por dhe e të gjithë popujve të Jugosllavisë”. Pra, si rezultat i rrethanave të reja që u krijuan, pas vitit 1968, u rrit interesi i udhëheqjes shqiptare për Kosovën. Për këtë qëllim, me porosi të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 1969-ën u krijua sektori i posaçëm e më vonë drejtoria e pestë, e cila do të ndiqte çështjen e Kosovës. Në bazë të objektivave të caktuara ajo kishte dy drejtime kryesore të punës së saj në drejtim të Kosovës: njohja e gjendjes reale dhe e problemeve konkrete të Kosovës në fusha të ndryshme të jetës politike, ekonomike, shoqërore dhe ndihma që duhej dhënë asaj kryesisht në drejtim të afirmimit të saj si kombësi shqiptare.

 Këto drejtime shihen qartë në “Buletinin” nr. 23 të hartuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë, përmes së cilit nënvizohej që të ndiqeshin me kujdes dhe pa bujë, por në mënyrë aktive zhvillimet e situatës në Kosovë; të bëhej kujdes që elementi patriot kosovar të mos binte në provokacionet e sigurimit shtetëror serb; t’u bëheshin të qarta kosovarëve qëndrimi dhe politika e PPSH-së dhe e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Jugosllavisë në përgjithësi dhe ndaj Kosovës në veçanti; së fundi, që të shfrytëzoheshin të gjitha format e kanalet, qoftë edhe nëpërmjet bisedave me diplomatë jugosllavë, për t’ua bërë të ditur se Shqipëria nuk ndërhynte në punët e brendshme të Jugosllavisë, por thjesht ajo po kujdesej për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi. Kjo gjë theksohej me qëllim që organet jugosllave të mos hidhen në reprezalje e në masa të ndryshme kundër kosovarëve dhe të drejtave të tyre nacionale, por të shfrytëzoheshin me maturi dispozitat e Kushtetutës jugosllave.              

Kësisoj, udhëheqja politike e Shqipërisë i përmbahej parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme, respektimit të pavarësisë, sovranitetit e moscenimit të integritetit tokësor të Jugosllavisë, por duke mos hequr dorë nga lufta politike dhe ideologjisë kundër udhëheqjes jugosllave dhe në funksion të saj ndaj politikes represive jugosllave në Kosovë.

Udhëheqja shqiptare në këtë kohë i përmbahej politikes së ekzistencës së Kosovës brenda Federatës Jugosllave dhe mbështeste afirmimin e saj duke respektuar Kushtetutën e “RSFJ-së dhe Kushtetutën e Republikës Socialiste të Serbisë”. Kjo nënkuptonte të kërkojë të drejta, por gjithnjë brenda kuadrit federativ. Sidoqoftë, zhvillimet e mëvonshme do të provonin se udhëheqja komuniste e Shqipërisë nuk do të mbetej statike në qëndrimin e saj ndaj Kosovës dhe shqiptarëve nën Jugosllavi.

Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK