Zërat
Ardit Kika
Ardit
Kika

A është rinia me të vërtetë avantazhi ekonomik i Kosovës?

Zërat Shtator 26, 2018
Lexo tjera detaje

Si mund të flitet për kapital njerëzor kur shumica e këtij kapitali nuk shfrytëzohet ekonomikisht? Kjo është një nga kthesat më interesante që i mori diskutimi, i cili e shtron pyetjen se a ka Kosova avantazh në krahasim me shtetet e tjera kur bëhet fjalë për kapitalin njerëzor. Përgjigjja është jo, ndërsa arsyeja kryesore për këtë është se shteti dhe kompanitë e mëdha nuk kanë politika, të cilat do të bënin ndryshime madhore që do t’ia siguronin rinisë punën dhe trajnimet e nevojshme që do t’i përgatiste për tregun e punës.

Sipas shifrave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin 2017, vetëm 27,8 për qind e të rinjve janë të punësuar. Megjithatë, shkalla e regjistrimit e përfshirjes universitet dhe kolegje është e kënaqshme (mbi 110 mijë). Për këtë jepen shpjegime të ndryshme, mirëpo investimi në cilësinë arsimore dhe përqendrimi në fushat që u sigurojnë të rinjve punësim janë parë si kyçe drejt punësueshmërisë së të rinjve gjatë diskutimit.

Perspektivat dallojnë për njerëzit që e shohin problemin e ndërtimit dhe të investimit të resurseve njerëzore, disa e shohin një pjesë të përgjegjësisë së kompanive të mëdha dhe mendojnë se këto të fundit nuk e marrin me seriozitet të mjaftueshëm investimin në burime njerëzore. Ndryshe, si të zhvillohen burimet njerëzore në korporata kur ky sektor nuk shihet si themelor e autonom, por në masë të madhe kontrollohet nga menaxhmenti i kompanive. Në këtë linjë, korporatat ende duket se e kanë njëfarë hezitimi ose frike që t’ia besojnë menaxhimin e resurseve njerëzore njerëzve që në kushte normale do ta bënin një punë të tillë.

Por çfarë është përgjegjësia e shtetit në këtë pikë kur për nga numrat ka shumë burime njerëzore, por për nga aspekti ekonomik ka aq pak të punësuar? Investimi në arsim cilësor është përmendur shpesh, por shkollat profesionale dhe kopshtet e fëmijëve janë parë si primare gjatë diskutimit. Pavarësisht zotimeve qeveritare për ngritje të shkollave profesionale, këto të fundit kanë mbetur terren i donatorëve të huaj, ndërsa arsimi parafillor është në nivel të ulët ( rreth 40 kopshte në raport me rreth 1000 shkolla fillore). Përderisa arsimi u diskutua gjerë e gjatë, ka pasur konsensus se sistemi arsimor nuk po ka përputhje me tregun e punës. Në një ankete të Millenium Challenge Corporation, vetëm rreth 34 për qind e të anketuarve kanë thënë se punojnë në profesionin për të cilin kanë studiuar. Përgjegjësinë për ta reduktuar këtë mospërputhje është thënë se e ka shteti, kur bën e zbaton politika të punësimit. Pra, Kosovës i duhet që “t’i fusë në një katalog” profilet e përgatitjes së të papunëve dhe ta bëjë planin për “katalogun e punëve” që synon t’i ofrojë.

Pa katalog punësh, me fat nëse hyn n’punë me t’njofshëm dhe me jack pot nëse kryen punë në profesion, të rinjtë janë edhe arsyeja se pse shëndetësia, aq më tepër shëndeti mendor janë vendi ku Kosova do të duhej të investonte. Gjatë diskutimit u përmend tendenca e të rinjve “për t’u rehatuar” me punë në administrate shtetërore për t’i refuzuar zanatet si punë degraduese dhe refuzimi i pagave të ulëta para papunësisë. Mungesa e punës dhe aktiviteteve, sipas tyre, mund të kenë pasoja në shëndet mendor, të cilat mund të parandalohen nëse paratë e taksapaguesve shkojnë në shëndetësi. Një rini e shëndetshme në këtë kontekst është garanci në afatgjatë për ta ruajtur potencialin e burimeve njerëzore që e ka Kosova.

Kurdo që diskutohet rreth të kapitalit human, të rinjve, papunësisë përmendet edhe migrimi i rregullt të rinjve. Në veçanti thuhet se mjekët e programerët i kanë mundësitë më të mëdha për të dalë nga shteti për punë më të mirë, ose të paktën, që paguhet më shumë. “Ikja e trurit” është termi që përdoret për ta përshkruar këtë fenomen. Kapitali njerëzor duket se eksportohet ose më mirë të themi u jepet falas për shtetet e zhvilluara që kanë popullsi në plakje e sipër. Ndërkaq, për sa kohë që ka “ikje truri”, çfarë i mbetet Kosovës është që të shpresojë se “ai tru që ka ikur” do të kthehet prapa me investime.

Për fund kapitali human i pashfrytëzuar e i pamirëmbajtur i Kosovës nuk është avantazh në raport me shtetet e tjera. Në masë të madhe kapitali njerëzor mbetet potencial i pamatur, i pakataloguar e mbi të gjitha i pashfrytëzuar. Politikat publike duhet t’i ofrojnë të rinjve orientim në arsim për t’i treguar punët potenciale në treg. Nëse paraja publike do të përqendrohet në ndërtimin i një sistemi arsimor që siguron punësim dhe në qoftë se korporatat kosovare do t’i japin shtysë sektorit të burimeve njerëzore kapitali njerëzor rritet dhe zhvillohet, duke e rritur “trurin” që rri brenda Kosovës e si rrjedhojë edhe punësimin dhe ekonominë e vendit.