Zërat
Enver Hasani
Enver
Hasani

Efektet e drejtpërdrejta të votimit të demarkacionit

Zërat Shtator 26, 2018

Ka shumë gjasa që heqja nga rendi i ditës i demarkacionit me Malin e Zi të hapë rrugë të shpejta të nisjes së procesit të njohjes së Kosovës nga vendet që akoma nuk e kanë njohur, ku Spanja është çelësi i çelësave

As edhe një rëndësi më nuk kanë gabimet lidhur me demarkacionin, qofshin ato procedurale e metodologjike apo substanciale dhe materiale: kur plugu në fillim hyn keq, vështirë se mund të rikthehet në vijën e nisjes pa lënë së paku një të tretën e arës pa lëruar. Kjo irrelevancë e krijuar për një çështje kaq vitale për një popull, domosdo që ka një shpjegim.

U mor vesh, ai shpjegim nuk mund të jetë i lehtë, sepse një dimension aq abstrakt, siç është territori shtetëror dhe vija kufitare, nëpërmjet matjeve me litar pa asnjë pikë referimi, u kthye në një koncept shumë të gjallë dhe politikisht pragmatik, konkret deri në banalitet, duke i dhënë një dimension që objektivisht nuk e ka. Ia gjetën këndin rrethit, matën me litar krejt Kosovën, atë të djeshmen dhe të sotmen, hekurosën tokën e Kosovës dhe ia gjetën edhe sasinë e sipërfaqes, por jo me qëllim të caktimit të kufijve të Kosovës, por për të treguar se titujt që kishin marrë shkel e shko gjatë tërë jetës së tyre i kishin të njëmendta dhe se taksat që ia kishin marrë kosovarëve për rrogat e tyre të majme i kishin me mund dhe me merita. Debati u stërkeq, jo nga defilimi i padijes nga ata, që Edvard Said i quan “intelektualë teknikë”, por nga ambienti politik ndërkombëtar në Ballkan dhe rreth Ballkanit dhe rolit të Rusisë në këtë mes.

Në fakt, ky ambient ndërkombëtar shpjegon shumëçka sa i përket natyrës së krimit të organizuar në Kosovë dhe sundimit të ligjit.

Nëse merret parasysh vëllimi i territorit dhe numri i popullsisë, atëherë shihet qartë se Kosova përbën vendin me peshë ndikimi më të madhe në konfiguracionin politik ballkanik dhe më gjerë. Në fakt, në arkitekturën e sigurisë evropiane, Kosova merr pjesë me një përqindje serioze, tepër më të madhe se që mund të mendohet. Kjo rrethanë lind jo si ndonjë rezultat i aktivitetit human të banorëve të saj apo e lidershipit, por si pasojë e vendit dhe e pozitës së Serbisë në Evropë: pas anëtarësimit të Malit të Zi në NATO dhe pas eliminimit nga skena të “mikut të shqiptarëve”, Nikola Gruevski, Serbia ngel i vetmi vend ku rusët mund të ankorohen seriozisht duke shërbyer në këtë mënyrë si një derë e sigurt për interesat ruse në zonën vitale të sigurisë euroatlantike. Ndërkohë që vendet baltike dhe transkaukaziane përbëjnë njëfarë zone ku rusët kanë një legjitimitet, të deklaruar që nga fillimi i viteve të ’90-ta si “interesi i fqinjësisë së afërt”, penetrimi rus në Ballkan përbën një shenjë serioze të rivalitetit ndaj Perëndimit dhe interesave të tij vitale.

Kjo rrethanë ka definuar dhe definon natyrën e shtetit të Kosovës, në të njëjtën kohë që determinon marrëdhëniet tona me Serbinë dhe me serbët lokalë: perëndimorët në Kosovë, që nga hyrja e NATO-s këtu, kanë krijuar standardin qeverisës sipas të cilit njerëzit me të kaluar të rëndë kriminale duhet toleruar në jetën publike për aq sa mund të shërbejnë në kauzën e stabilitetit me çdo kusht të Kosovës, sepse çdo jostabilitet potencialisht çel hapësirë për penetrimin rus në vend. Kjo nënkupton edhe përdorimin e këtyre ruajtësve të stabilitetit kosovar për kryerjen e “punëve të ndyra”, siç është themelimi i Gjykatës Speciale, ku vetë “stabilizuesit e Kosovës” supozohet se duhet të përfundojnë, siç është caktimi i kufijve të Kosovës me fqinjët, siç është themelimi i Asociacionit serb, kësaj uverture në autonominë territoriale serbe në Kosovë, dhe kështu me radhë.

Për të kryer të gjitha këto punë, këta stabilizues i kanë pasur duart e lira nga miqtë ndërkombëtarë të Kosovës për të ndërtuar rrjetet e tyre mafioze brenda shtetit, në të gjitha poret e tij, si dhe të perandorive mediatike për të përçuar vizionin e tyre që përmblidhet në tre-katër fjali të operacioneve të tyre të kufizuara mendore: “rruga euroatlantike e Kosovës, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik”. Ky tolerim i “stabilizuesve” u lejua deri në momentin kur u konfrontuan ndërmjet veti lidhur me interesat vitale të miqve ndërkombëtarë të Kosovës, siç ishte rasti me demarkacionin, një pikë vlimi përtej të cilit miqtë e Kosovës nuk mund të kalonin: krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk përbënin një problem serioz të sigurisë. Ky konfrontim ishte me zarar, sepse afektonte interesat e sigurisë së vendeve fqinje përtej Malit të Zi dhe Kosovës, sepse i linte dyert hapur për rusët që të destabilizonin vendet e tjera të Ballkanit.

Ky konstelacion i krijuar rreth demarkacionit bëri që qeverisja paraprake të shihet si atavizëm, e mefshtë, e paaftë dhe kështu me radhë: esenca ishte, dhe kjo është e vërtetë, se qeverisja e kaluar dhe krejt ata që nuk janë ndërtuar nga miqtë e Kosovës si “stabilizues” të saj duhet eliminuar nga skena e vendimmarrjes substanciale rreth Kosovës dhe për Kosovën deri sa këta “stabilizues” të kryejnë detyrat e ndyra që kanë të bëjnë me kantonizimin e Kosovës dhe me Gjykatën Speciale. Këto detyra, në fund, kanë qenë dhe janë parametrat kryesorë që shpjegojnë formimin e koalicionit aktual qeverisës: Turtles All The Way Down, e thotë Sturgill Simpson në këngën e tij country. Nisja e Gjykatës Speciale dhe vonesat me vite në funksionalizimin e saj duhet parë nga kjo prizëm. Mbase, edhe rezultati i saj përfundimtar mund të jetë i kushtëzuar nga po këta faktorë. Të shohim! 

Spanja dhe Rusia, dy miq në kohë mjegulle

Shpallja e pavarësisë së Katalonjës, në Kosovë, nga naivët, u prit me entuziazëm dhe me shkrime që tërhiqnin paralelet me Kosovën, njësoj siç bënte Rusia dhe propaganda e saj në Ballkan nëpërmjet gojës së Serbisë. Nuk do shumë mend për të kuptuar se ky entuziazëm kosovar është i gabueshëm, siç ka qenë miratimi dhe përkrahja ndaj Palestinës dhe votimit pro saj në forumet ndërkombëtare nga Qeveria Rama, nga qeveria e këtij “shqiptaromadhi” të vonuar me shekuj. Ndërkohë që në rastin e Palestinës edhe mund të ketë një shpjegim që lidhet me mosnjohjen e Kosovës nga Izraeli, kur shtrohet çështja e Katalonjës gjërat qëndrojnë tmerrësisht ndryshe. Fundja, me kalimin e kryeqytetit të Izraelit në Jerusalem, argumenti i tyre që njohja e Kosovës do të krijonte një precedent për Palestinën, më nuk pi ujë dhe nuk ka asnjë relevancë. Katalonja, po, kjo Katalonja e Revolucionit të Kuq, tani forca lëvizëse e ekonomisë dhe e shpirtit intelektual të Spanjës, ngel pa asnjë paralele me Kosovën. Kjo dëshmohet me dy faktorë.

Faktori i parë ka të bëjë me strukturën kulturore dhe filozofinë politike të katalonasve para dhe pas shpalljes së pavarësisë: e tërë bota ka parë në lidershipin e atij populli një mendje të ndritur dhe të përgjegjshme politike, që nuk bën hapa euforikë por në tërësi të koordinuar me kontinentin ku jeton. Kjo sjellje i dedikohet kulturës së përgjithshme katalonase dhe traditës së pasur intelektuale të atij vendi. Përveç kësaj, në Kushtetutën e Spanjës, vendi cilësohet si komb dhe si diçka që në thelb nuk ka të bëjë me traditat shekullore spanjolle, por me vendet përreth. Mbi të gjitha, tradita kulturore katalonase, shumë më shumë se ajo spanjolle, i ngjan vlerave e parimeve evropiane. 

Faktori i dytë që nuk lejon të ngrihet asnjë paralele me Kosovën, ka të bëjë me përgjigjen evropiane ndaj pavarësisë së Katalonjës: në secilën fazë të kësaj çështje, Evropa ngeli neutrale, me anim të hapur nga Spanja. Duke e konsideruar si një çështje evropiane, evropianët i dhanë shenja të qarta Spanjës se edhe zgjidhja e këtij problemi duhet të bëhet me metoda dhe në rrugë evropiane, jo të atyre rrugëve dhe metodave të kohës së mesit të shekullit XX e para tij, por të këtyre të ndërtuara me mund e me sakrificë në Evropë, si rezultat i proceseve integruese në kontinent. 

Ani se kjo është kështu, Spanja e Rusia ngelën, heshturazi, si miq që i lidhte vetëm një gjë: naiviteti i politikës spanjolle, që me fobie të theksuar iu qas çështjes katalonase, duke e parë atë si një pikë referimi për politikën spanjolle ndaj Kosovës. Po të ishte Evropa njësoj euforike, gjendja do të kishte eskaluar keq. Në Madrid, njësoj si në Prishtinë, mendohet bardh e zi: ndarja e Katalonjës përshpejton njohjen e Kosovës nga Spanja dhe anasjelltas. Kjo nuk është kështu. Ajo që çon peshë dhe që ka përçuar aq mesazh të qartë, jo vetëm për Spanjën por edhe për kalkulimet ruse, ka të bëjë pikërisht me përgjigjen evropiane ndaj çështjes katalonase: kjo përgjigje i ka dhënë mesazh të qartë rusëve se Katalonja nuk është Krime, siç nuk është as Kosova, përkatësisht se problemi i vetëvendosjes katalonase, i normuar me Kushtetutën e Spanjës, nuk ka lindur nga represioni dhe me ndërhyrje brutale ushtarake nga metropoli, por ka lindur si rrjedhë normale e zhvillimit socio-politik dhe socio-ekonomik të Gadishullit iberik, marrë si tërësi. Kjo rrethanë e bën fare të ndryshme, krejtësisht të ndryshëm, rastin e Kosovës me Katalonjën dhe me politikat ruse të krijimit të kuazishteteve, duke pastruar etnikisht territoret e tyre nga popujt e padëshiruar për rusët.

Nuk lejon Evropa afektimin e stabilitetit afatgjatë të Kontinentit 

Në vijim sa më sipër, përgjigjja evropiane ia ka mbyllur gojën njëherë e mirë edhe Madridit, sa i përket Kosovës, sepse ka treguar se politikat ruse ndaj Kosovës dhe Katalonjës kanë të bëjnë me interesa meskine të politikës së jashtme ruse, që konsistojnë në paralizimin dhe në pengimin e çdo procesi të ndikimit të euroatlantikëve në zonat që ata synojnë, që nga Siria e deri te perëndimi i Kinës dhe përtej - në lindje të Vladivostokut. 

Kosova dhe kosovarët duhet ta kenë të qartë dhe ta shfrytëzojnë këtë klimë dhe këtë përgjigje evropiane ndaj Spanjës: ka shumë gjasa që heqja nga rendi i ditës i demarkacionit të hapë rrugë të shpejta të nisjes së procesit të njohjes së Kosovës nga vendet që akoma nuk e kanë njohur, ku Spanja është çelësi i çelësave. Më sjelljet e tyre ndaj Spanjës, evropianët dhe amerikanët kanë atu të fortë për trysni ndaj Madridit. Duke i treguar Madridit se Kosova ka halle të tjera dhe se vetëvendosja kosovare ka qenë një projekt civilizues i Kontinentit të Vjetër pikërisht për të penguar logjikën ruse të zgjidhjes së problemeve politike ekskluzivisht me dhunë, Evropa ia theu hundët Rusisë së Putinit: ia hoqi nga dora çdo argument që heq paralele ndërmjet barbarisë dhe civilizimit: e para, e zbatuar në mënyrë konstante ndaj territoreve e popujve nën ndikimin imediat rus, kurse, e dyta, e dëshmuar në praktikë me Katalonjën. Ndërkohë që liberalizimi i vizave dhe njohja nga Spanja mund të jenë me efekt imediat në rast të heqjes së demarkacionit nga rendi i ditës, çështja e integrimit të plotë të Kosovës në Evropë përbën një histori tjetër: ai proces kërkon dekriminalizimin e sistemit shtetëror dhe të segmenteve paralele të shoqërisë civile kosovare që mbështet strukturat klandestine në pushtetin shtetëror, diçka që nuk mund të kryhet me ata që janë pjesë e problemit – me “stabilizuesit e Kosovës”. Kjo e bën të qartë për çdo kënd se integrimi në Evropë, në rend të parë në Këshillin e Evropës që ka sponsorizuar themelimin e Gjykatës Speciale, nuk mund të ndodhë me këta që sot potencialisht kërkohen nga kjo gjykatë. Këta që kërkohen sot nga kjo gjykatë, në të njëjtën kohë, përbëjnë pengesën serioze për krijimin e hapësirës alternative politike: mungesa e hapësirës politike në Kosovë nuk është shkak i ngecjes, por pasojë e moslejimit nga ata që kanë monopolin e “stabilizuesit të Kosovës” të krijimit të një hapësire politike. Kjo do të jetë kështu derisa Kosova të shihet si çështje e sigurisë së fortë. E, Kosova do të shihet si një çështje e tillë deri në momentin kur Gjykata Speciale të dëshmojë se kjo nuk është kështu, pra të nisë punën e vet dhe të hapë dyert për integrim euroatlantik të Kosovës. Tekefundit, jo vetëm hapësira politike, që nuk po krijohet si pasojë e kësaj logjike të shikimit të Kosovës si një çështje e sigurisë së rëndë, por edhe vetë demarkacioni është krijuar dhe është pasojë e kësaj logjike të sigurisë. Shpresojmë se do të hiqet nga rendi i ditës. Nëse kjo ndodh, evropianët dhe amerikanët do të kenë shumë levë ndikimi në Spanjën, për t’i prirë valles së njohjes së Kosovës, pikërisht për të dëshmuar se Kosova e Katalonia janë dy gjëra të ndryshe.

Evropa e Spanja e dinë se shikimi i Kosovës nga kjo prizëm mund të ndryshojë dhe mund të radikalizojë proceset politike që nuk shkojnë në harmoni as me interesat e Spanjës e as të Evropës si tërësi. Nuk lejon Evropa që Rusia dhe ndikimet nga Lindja e Mesme të afektojnë stabilitetin afatgjatë të Kontinentit. Në këtë duhet parë lëvizjet evropiane për shpejtësinë e integrimit të Ballkanit. Ndryshe, Rusia do të hapë fronte të reja në Kontinentin e Vjetër.