Zërat
Lavdim Hamidi
Lavdim
Hamidi

10 vjet shtetrrethim!

Zërat Shtator 26, 2018

“Do të dëshiroja ta kisha kompjuterin e bllokuar këto ditë. Sa herë po kyçem në internet po e shoh një shtet të ri që e njeh pavarësinë e Kosovës”.

Si sot më kujtohet se si shkruante dhjetë vjet më parë njëri nga komentuesit e shumtë serbë në rubrikën e komenteve në uebfaqet e medieve në Beograd pasi Kosova e shpalli Pavarësinë dhe kur agjencitë e lajmeve gjithandej botës raportonin për ngjarjen më të madhe politike në Ballkan, madje edhe në Evropë.

Kosova prezantohej në arenën ndërkombëtare si një shtet i ri dhe me shumë perspektivë, kryesisht për shkak të pasurisë nëntokësore dhe rinisë së madhe.

Vetëm një ditë më pas pavarësinë e vendit e njohën shtetet më të fuqishme në botë, në mes të cilave: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Franca, Britania e Madhe, Australia, Turqia, me të vazhduar me Gjermaninë, Austrinë, Belgjikën, Zvicrën, Italinë, Suedinë, Poloninë, etj.

Kështu shkoi i gjithë viti 2008, kur pavarësinë e Kosovës e njohën 53 shtete të botës, me të vazhduar me një trend pozitiv të njohjeve edhe në vitin 2009, përderisa nga viti 2015 e këndej numri i shteteve që na njohën mund të numërohen me gishtat e njërës dorë.

Pavarësinë e vendit gjatë dy vjetëve të fundit e kanë njohur vetëm nga dy shtete në vit. 

Për vetëm një dekadë shtetësi diplomacia vendore ka dalë në pozicion “jashtë loje”, derisa çuditërisht diplomacia serbe është vazhdimisht në kundërsulm, duke i penguar njohjet e reja dhe duke lobuar njëkohësisht për çnjohjen e Kosovës.
Brenda një kohe të shkurtër kompjuteri me gjasë u është bllokuar diplomatëve kosovarë, meqë nuk kanë njoftuar për ndonjë njohje të re për vendin, duke ia plotësuar kështu dëshirën e para një dekade komentuesit serb.

* * * 

“Bashkë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me Bashkimin Evropian Kosova shumë shpejt do të anëtarësohet në institucionet e rëndësishme ndërkombëtare, përderisa qytetarët e vendit shumë shpejt do të lëvizin lirshëm në Zonën Schengen, pasi e ardhmja e Kosovës do të jetë në familjen evropiane”.

Kështu kishte deklaruar ish-kryeministri Hashim Thaçi, tashmë president i vendit, pak ditë pasi kishte lexuar Deklaratën e Pavarësisë në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjatë dhjetë vjetëve pavarësi qytetarët e Kosovës, të udhëhequr nga Hashim Thaçi për dy mandate si kryeministër dhe më pas edhe si president, janë ende më të izoluarit në botë.

Janë të vetmit pa liri të lëvizjes në BE, Kosova ka dështuar të anëtarësohet në UNESCO, në INTERPOL e të mos flasim për t’u bërë anëtare e OKB-së, në të cilën ka ndikim të madh Rusia.

Çuditërisht për një periudhë jo të gjatë kohore, për vetëm një dekadë, Thaçi ndryshoi edhe kursin politik duke dalë me qëndrime politike që kundërshtoheshin fuqishëm nga SHBA-ja dhe nga BE-ja, vende të cilat kanë kontribut të çmueshëm për lirinë dhe për pavarësinë e Kosovës.

Thaçi ishte njëri nga organizatorët për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, ndonëse për themelimin e saj kishte lobuar fuqishëm pak vite më parë, madje edhe duke u bërë presion deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Se si kjo Gjykatë është shndërruar në një institucion të padrejtësisë ndërkombëtare për një kohë të shkurtër me gjasë përgjigje kanë vetëm ata politikanë që për interesa personale janë në gjendje ta sakrifikojnë perspektivën kolektive, siç është presidenti Hashim Thaçi.

Frymës antiamerikane dhe antievropiane i ka kontribuuar jo pak edhe kryeministri Ramush Haradinaj me qëndrimin e tij kundër demarkacionit me Malin e Zi, njëra nga arsyet se pse Kosova ende nuk e ka fituar liberalizimin e vizave me BE-në dhe ka komplikuar marrëdhëniet me SHBA-në.

* * *

Për dhjetë vjet pavarësi Kosova ka dështuar ta sjellë ndonjë investitor serioz ndërkombëtar, i cili do të investonte miliona euro dhe do të hapte vende të reja të punës.

Por, gjatë periudhës së paspavarësisë shumë gjigandë evropianë që kishin shprehur interesim për të investuar kanë ikur nga Kosova, kryesisht për shkak të korrupsionit të lartë në vend.

“Deutche Telekom” nëpërmjet telekomit kroat menjëherë pas pavarësisë kishte shprehur interesim për ta privatizuar Postë Telekomin e Kosovës (PTK), por për shkak se menaxherët e kësaj të fundit ishin nën hetime për korrupsion kjo kompani ishte tërhequr.

Një tërheqje e tillë nuk i ka brengosur aspak drejtuesit e institucioneve kosovare, pasi për shkak të keqmenaxhimit PTK-ja ka përmbyllur vitin 2016 me 31 milionë euro humbje, ndonëse para një dekade i paguante shtetit deri në 100 milionë euro dividendë në vit.

Të mos harrojmë se i interesuar për të investuar në sektorin e energjetikës ka qenë edhe gjigandi tjetër gjerman dhe evropian “RWE” për ta ndërtuar termocentralin “Kosova e Re” me një kapacitet prej 2000 megavatesh dhe për ndërtimin e kësaj kemi përfunduar në një kompani që nuk i ka as të gjitha mjetet e nevojshme financiare për ndërtimin e një termocentrali të vogël. Jozyrtarisht është thënë se edhe kjo kompani gjermane është tërhequr për shkak të korrupsionit.

Përpos demarkacionit me Malin e Zi, luftimi i korrupsionit është kushti i dytë i BE-së për liberalizim të vizave. Klasa politike në vend duke mos i plotësuar këto dy kushtet e mbetura qytetarët e vet për një dekadë i ka lënë në shtetrrethim, pa liri të lëvizjes në Evropë.