Zërat
Faton Abdullahu
Faton
Abdullahu

Dy fjalë për kompleksin rezidencial për institucionet e Kosovës

Zërat Shtator 26, 2018

Pushtetarët aktualë nuk kanë moral politik, as ndërgjegje qytetarie, e më së paku dashuri për këtë vend dhe dhembshuri për qytetarin e saj, për të ndërmarr një hap të tillë siç është rezidenca për institucionet e Kosovës, ku duhen shpenzuar shumë para, ku duhet llogaridhënie institucionale, dhe ku duhet punuar pa hile dhe me transparencë prej fillimi e deri në fund

Nuk ka më keq se kur një ide e mirë vjen nga njerëzit që kanë pushuar të jenë të mirë për këtë vend. Kështu disi do ta kualifikoja propozimin për ndërtimin e kompleksit rezidencial për institucionet e Kosovës që na erdhi së pari nga “darka te Pacolli” e më pas edhe u propozua zyrtarisht nga Presidenti Thaçi në mbledhjen e Qeverisë Haradinaj. Por, është po aq e keqe, kur një ide e bërë nga jo të mirët, kundërshtohet gabueshëm, nga njerëzit tek të cilët shpresohet se do t’i ndalin të këqijat që po i bëhen këtij vendi.

Kundërshtimi në stilin që u dëgjua nga ata, jo pak prej tyre zyrtarë opozitarë, që ishin kundër këtij propozimi se, si të ndërtohet ky kompleks megaloman, në kohën kur qytetari i Kosovës po vuan për bukën e gojës, në kohën kur qytetari i Kosovës po vuan për trajtim adekuat në spital, po vuan pa kulm mbi kokë e të tjera të ngjashme, janë patetike.

Janë kundërshtime që ngjallin klithma me emocione deri në zhgënjim, tek ata të cilët tash sa kohë janë viktima të politikave mashtruese majtiste, politika të cilat betoheshin e trumbetonin se do të na bëjnë të gjithëve të barabartë, prandaj edhe të gjithëve të lumtur. Janë kundërshtime që ngjallin revoltë të sinqertë, por të papërmbajtur deri në axhamillëk, tek ata të cilët tash sa kohë janë viktima te ideve të deformuara fetare që premtojnë parajsën sociale në Kosovën e dalë nga udha e zotit.

Janë kundërshtime që thjeshtë, në të parë, gufojnë nga moralizimet, forcën e të cilave disa e matin ekskluzivisht me numrin e ‘like’-ve në facebukë, duke mos çarë kokën më pas për pamundësinë e parandalimit të së keqes. Për aq sa këto kundërshtime janë të pa qëlluara e të pa argumentuara si duhet, për aq rritet rreziku që ideja e mirë të pranohet të jetësohet nga jo të mirët. Pse nuk kuptohet vallë që kjo do të thotë baras me dështim për të gjithë ne. Por të sqarohem së pari për diçka!

Parimisht konsideroj se një rezidencë e tillë (edhe pse pak e hiç detaje janë dhënë) i duhet Kosovës. Kështu si janë objektet e institucioneve të vendit tonë janë të papërshtatshme, jo funksionale, kaotike, jo dinjitoze. Qytetari i Kosovës dhe vendi ynë i meriton larg më të mira dhe më representative. Unë konsideroj se një rezidencë e tillë nuk është luks. Pas 10 vitesh pavarësie të fillohet të punohet më konkretisht rreth këtij objekti është pragmatizëm institucionalist. Në të vërtetë kjo ide ka ekzistuar edhe më heret. Në forma të ndryshme ka pasur iniciativa të ngjashme, bile edhe me më shumë konkretizime sesa ky i bërë nga Presidenti.

Por kur është fjala tek rezidenca e propozuar, problemi qëndron diku tjetër. Së pari propozimi i ardhur për këtë nga “darka te Pacolli” përkon shumë me natyrën e pushtetarëve aktual, që para se në institucione, më shumë preferojnë dhe më mirë merren vesh, jashtë tyre dhe jashtë rregullave dhe përgjegjësive institucionale. Atë natë, në atë darkë e çuditshme ishte vetëm mungesa e përdorimit të armëve, që do ta plotësonte natyrën plotë arrogancë të spektrit aktual të pushtetarëve.

Por kjo nuk është krejt. Përkundrazi. Më e keqja është se pushtetarët aktual, kanë dëshmuar pandalshëm dhe sidomos tani kjo Qeveri se, janë në gjendje të keqpërdorin mjete financiare deri në atë shkallë sa ta dëmtojnë kualitetin e jetës së qytetarit, duke e bërë atë padurueshëm më të varfër, dhe të ardhmen e po këtij qytetari, duke e mjegulluar atë, sidomos rrugëtimin për në BE.

Ata keqpërdorin por nuk japin llogari. Nëse japin llogari shkojnë deri në gjykatë dhe shpallen të pafajshëm. Me sajesa na dëmtojnë shumë, pastaj ndërrojnë mendjen dhe as që kërkojnë falje për dëmet e shkaktuara. Me kokëfortësi plotë arrogancë, na prishin me fqinjët dhe me miqtë ndërkombëtarë, por qëndrojnë bashkë pa u përçarë për të vazhduar drejtë qëllimit final,  mbetjes në pushtet.

Pushtetarët aktualë nuk kanë moral politik, as ndërgjegje qytetarie, e më së paku dashuri për këtë vend dhe dhembshuri për qytetarin e saj, për të ndërmarr një hap të tillë siç është rezidenca për institucionet e Kosovës, ku duhen shpenzuar shumë para, ku duhet llogaridhënie institucionale, dhe ku duhet punuar pa hile dhe me transparencë prej fillimi e deri në fund.

Ky është kundërshtimi pragmatik që duhet bërë për iniciativën e propozuar atë natë te “darka e Pacollit” prej të cilës për Kosovën nuk vjen dritë, prandaj për atyre mjeranëve nuk duhet dhënë besimin sepse nuk e meritojnë.