Zërat
Jeffrey Sachs
Jeffrey
Sachs

Përse Trump do të refuzohet nga të rinjtë

Zërat shkurt 03, 2017 - 13:30

Sondazhet tregojnë se shtylla e votuesve të Trump ishin personat mbi 45 vjeç. Përballë sfidave të jashtëzakonshme të teknologjisë së re, borxhit studentor, ndryshimit të tregut të punës dhe nevojës për respektim të të drejtave, të rinjtë amerikanë do të vendosin fatin e politikës së shpejti

Përçarja politike kyçe në Shtetet e Bashkuara nuk është vetëm mes partive apo shteteve; është gjithashtu mes brazave. Brezi i moshës 18 deri në 35 vjeç votoi me forcë kundër Donald Trump dhe do të formojë shtyllën kurrizore të rezistencës ndaj politikave të tij. Amerikanët më të rritur në moshë janë të përçarë, por baza e Trump gjendet mes atyre mbi 45 vjeç. Një çështje pas tjetrës, votuesit e rinj do ta refuzojnë Trump, duke e parë atë si një politikan të së shkuarës, jo të ardhmes.

Sigurisht, këto janë ndryshore, jo absolute. Megjithatë numrat konfirmojnë përçarjen e brezave. Sipas sondazheve, Trump mori 53% të votave të atyre 45 vjeç e lart, 42% të atyre 30-44 vjeç dhe vetëm 37% të votuesve nga 18-29. Në një sondazh të vitit 2014, 31% e të rinjve identifikoheshin si liberalë, krahasuar me 21% të moshës 50-68 që thoshin të njëjtën gjë për veten dhe vetëm 18% të moshës 69 e lart.

Ideja nuk është që liberalët e rinj të sotëm do të bëhen konservatorët e moshuar të së nesërmes. Brezi i ri është më liberal sesa mosha 50-vjeçare dhe do të mbështesë politikanët që do të adresojnë vlerat dhe nevojat e tyre, përfshirë kandidatët e partive të treta.

Ka të paktën tre diferenca të ndryshme në politikën e të rinjve dhe të moshuarve. Së pari, të rinjtë janë nga aspekti social më liberal sesa brezat më të vjetër. Për ta, pluraliteti racial, fetar dhe seksual i cili është në rritje në Amerikë nuk është gjë e madhe. Një shoqëri diverse e të bardhëve, afrikano-amerikanëve, hispanikëve dhe aziatikëve dhe e vendasve dhe imigrantëve, është vendi që ata kanë njohur përherë, jo një lloj ndryshimi dramatik nga e shkuara. Ata pranojnë kategoritë seksuale dhe gjnore – lesbike, gej, trans, bi, inter, pan dhe të tjerë – që kanë qenë tabu për – ose të panjohur – brezin e gjyshërve të tyre (dhe të Trump).

Së dyti, të rinjtë po përballen me sfidat ekonomike të paprecedentë të revolucionit të informacionit. Ata po hyjnë në tregun e punës në një kohë kur tregu po pëson ndryshime të shpejta drejt kapitalit (robotëve, inteligjencës artificiale dhe makinave inteligjente në përgjithësi) dhe po largohet nga puna. Të pasurit e moshuar, përkundrazi, po shijojnë një bum në tregun e bursave shkaktuar nga i njëjti revolucion teknologjik.

Trump po bën ulje të taksave të korporatave dhe taksave të pronave që do të sjellin përfitime të mëtejshme për të pasurit e moshuar (që janë gjithashtu me shumicë në kabinetin e Trump), në kurriz të deficiteve më të mëdha buxhetore që rëndojnë më tej të rinjtë. Në fakt, të rinjtë kanë nevojë për politikën e kundërt: taksa më të larta për të pasurit e brezave të vjetër në mënyrë që të financojnë arsimin universitar, trajnimet e punës, infrastrukturën e energjisë së rinovueshme dhe investime të tjera për të ardhmen e Amerikës.

Së treti, krahasuar me prindërit dhe gjyshërit e tyre, të rinjtë janë më në dijeni të ndryshimit klimatik dhe kërcënimeve të tij. Ndërsa Trump po josh brezin e vjetër me një liri të fundit mbi karburantet fosile, të rinjtë nuk e duan këtë. Ata duan energji të pastërë dhe do të luftojnë kundër shkatërrimit të tokës që ata dhe fëmijët e tyre do të trashëgojnë.

Pjesë e përçarjes brezore mbi ngrohjen globale është edhe injoranca e dukshme e shumë amerikanëve më të moshuar, përfshirë Trump, rreth ndryshimit klimatik dhe shkaqeve të tij. Amerikanët më të moshuar nuk mësuan rreth ndryshimit klimatik në shkolla. Ata as morën bazat e shkencës rreth gazeve serrë. Kjo është arsyeja përse ata po vënë interesat e tyre afatshkurtër financiarë përpara kërcënimeve serioze të brezave të fëmijëve.

Në një sondazh të qershorit 2015, 60% e 18-29 vjeçarëve thanë se aktiviteti njerëzor po shkaktonte ngrohje globale, krahasuar me 31% të 65-vjeçarëve. Një sondazh i publikuar në janar zbuloi se 38% e amerikanëve mbi 65 vjeç ishin pro shfrytëzimit të karburantit fosil përkundrejt energjisë së rinovueshme, krahasuar me vetëm 19% të atyre 18-29 vjeç.

Politikat ekonomike të Trump janë të lidhura me Amerikën e tij më të moshuar, më të bardhë dhe vendase. Ai favorizon ulje taksash për të pasurit e moshuar, që do të rëndonin të rinjtë me borxh më të lartë. Ai është indiferent ndaj borxhit studentor 1 trilionë dollarë. Ai po rikthen debatin e viteve 1990 NAFTA ndaj tregtisë së lirë, në vend që të përballen me sfidën më të rëndësishme të vendeve të punës për shekullin 21 që janë robotët dhe inteligjenca artificiale. Dhe ai është i fiksuar të nxjerrë edhe disa vite përfitime nga qymyri, nafta dhe gazi në Amerikë me kosto të një katastrofe mjedisore të ardhshme.

Dikush mund t’ia atribuojë mentalitetin e tij të vjetër moshës së Trump. Në moshën 70-vjeçare, Trump është personi më i vjetër që u bë president (Regani ishte pak më i ri kur mori zyrën në 1981). Megjithatë mosha s’mund të jetë i vetmi faktor ose më i rëndësishmi këtu. Bernie Sanders, sigurisht mendja më e freskët e të gjithë kandidatëve presidencialë të 2016 dhe heroi i votuesve të rinj, është 75 vjeç. Të rinjtë janë të kënaqur pas Papës Françesk, 80 vjeç, sepse ai i vë shqetësimet e tyre brenda kornizës morale në vend që t’i shpërfillë ato me cinizmin e Trump.

Çështja kryesore këtu është mentaliteti dhe orientimi politik, jo mosha kronologjike. Trump ka horizontin më të shkurtër kohor (dhe kohëzgjatjen e vëmendjes) se çdo president tjetër në histori. Ai është jashtë realitetit me sfidat me të cilat përballen sot të rinjtë teksa ata shtrëngojnë teknologjitë e reja, tregjet e punës në ndryshim dhe borxhin e rëndë studentor. Një luftë tregtare me Kinën dhe Meksikën, ose një ndalim tragjik i keqkonceptuar i myslimanëve zor se do të përmbushë nevojat e tyre.

Suksesi politik i Trump është një flluskë, jo një pikë kthese. Sot të rinjtë, me perspektivën e tyre të orientuar nga e ardhmja, do të dominojnë së shpejti politikën amerikane. Amerikan do të jetë multietnike, liberale për shoqërinë, e vetëdijshme për klimën dhe shumë më e drejtë në ndarjen e përfitimeve ekonomike të teknologjisë së re.

Shumë vëzhgues mbeten të fiksuar te përçarjet tradicionale të palëve në Kongresin Amerikan, jo në ndryshimet më të thella demografike që së shpejti do të jenë vendimtare. Sanders për pak sa nuk e mori nominimin Demokrat (dhe me gjasa do të kishte triumfuar në zgjedhjet e përgjithshme) me një platformë të fuqishme për të rinjtë. Koha e tyre po vjen, me shumë gjasa me një president që ata e mbështesin në vitin 2020.

/Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2017

Përkthimi: Reporter.al