Pse jam edhe me Fadil Hoxhën edhe me Shaban Polluzhen!?
Një nga temat më të debatuara në historiografinë shqiptare dhe më problematike, është raporti i shqiptarëve me Luftën e Dytë Botërore. Arsyeja përse gjithmonë kjo pjesë e historisë tonë ka ngjallur debate dhe polemika të shumta, lidhen kryesisht më shumë me arsye politike sesa me ndonjë interes të veçantë për shkencën e historisë. Debati edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë i ashpër, madje në disa raste edhe ofendues kundrejt palëve debatuese.
Historianë, publicistë e analistë të ndryshëm, debatin mbi Luftën e Dytë Botërore dhe shqiptarët, kryesisht e fokusojnë në dy komponentë të rëndësishëm të kësaj lufte. Komunistët dhe ballistët shqiptarë, raportet e tyre të ndërmjetme, dhe raporti i tyre me luftën ne përgjithësi. Gjithmonë duke qenë të pozicionuar politikisht, opinionistët tonë krijojnë raport politik me ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore, ku si rrjedhojë mungon një qasje objektive ndaj problemit në fjalë. Ky problem më pas ka çuar edhe në shtrembërimin e fakteve dhe manipulimin e tyre.
Në kuadër të këtij “problemi historik” në Kosovë sot, opinioni publik është i ndarë në dy taborë, ata që janë me Fadil Hoxhën dhe ata që janë me Shaban Polluzhën. Natyrisht, këtyre dy figurave duke u vendosur edhe sfondin politik mbrapa, i pari si një komunist dhe i dyti si një ballist. Pikërisht ky është shtrembërimi i parë i një fakti shumë të rëndësishëm për problemin në fjalë. Fadil Hoxha ka qenë komunist, por Shaban Polluzha asnjëherë nuk ka qenë një ballist, siç merret nga shumica e njerëzve.
Edhe sikur të kapërcehej ky keqkuptim, mospajtimet mbeten rreth asaj sesi vepruan këta dy protagonistë gjatë luftës.
Dhe përsëri këtu ka një keqinterpretim. Në përgjithësi, Shaban Polluzha si figurë historike ka qenë i pakontestuar nga të gjithë shqiptarët e Kosovës, ndoshta me përjashtime të vogla nga ndonjë grup shumë i vogël njerëzish gjatë periudhës komuniste, - ku në funksion të legjitimimit të vetvetes - figurën e tij e kanë cilësuar si dyshimtë.
Problemi qëndron tek figura e Fadil Hoxhës! Fatkeqësisht, për raportin e tij me Luftën e Dytë Botërore, ka bërë që shumica e shqiptarëve ta anatemojnë vazhdimisht, pas asnjë të drejtë. Epitete të tilla si titist, proserb, tradhtar e deri në kriminel, janë pa vend dhe në të njëjtën kohë tregojnë cektësinë e mendimit dhe studimit në publicistiken dhe shkencën shqiptare.
Nëse e marrim si pikënisje këshillën e poetit të madh gjerman J. V Gëte, se: “nëse duam ta portretizojmë në mënyrë objektive profilin e një figure historike, atëherë veprimtaria e tij nuk duhet të shkëputet nga konteksti i gjerë politik, shoqëror dhe kulturor i kohës”. Dhe ky mësim aq shumë vlen në rastin konkret. Nga këtu, Shaban Polluzha vazhdon të jetë një figurë e rehabilituar, ndërsa në rastin e Fadil Hoxhës, çështja është: a mund të projektohet fajësia dhe shëmtia e regjimit komunist në Jugosllavi, tek profili dhe kategoria e një komunisti si Fadil Hoxha? Unë them jo.
Dihet se edhe Lufta e Dytë Botërore, shqiptarët i gjeti të vonuar në proceset historike, përkundër fqinjëve dhe të tjerëve në përgjithësi që i kishin mbyllur me kohë proceset qytetëruese, të lirive dhe të drejtave qytetare dhe kombëtare. Prandaj në këtë luftë shqiptarët përveçse u desh të bëheshin palë në luftën e të mëdhenjve, e kishin të domosdoshme që të angazhoheshin edhe rreth qëllimeve tjera që do ti fusnin ata në radhën e kombeve të qytetëruara. Një pjesë e shqiptarëve mendonin se vazhdimi i luftës kundër fqinjëve ishte i drejtë, ndërsa një pjesë tjetër kishte qëndrimin e kundërt se rreshtimi me aleatët do sillte edhe realizimin e aspiratave të tyre kombëtare. Të parët duke luftuar fqinjët, u shndërruan në bashkëpunues të nazi-fashizmit. Të dytët duke qenë krahë aleatëve perëndimorë, u gjenden në një front të përbashkët me fqinjët (armiqtë e të parëve). Në të dyja rastet, pavarësisht pasojave që lanë mbrapa, motivet ishin të sinqerta dhe kombëtare.
Fadil Hoxha besoi dhe luftoi në kuadër të një skenarit të madh të luftës së madhe, luftën kundër nazi-fashizmit, prandaj u reshtua edhe përkrah jugosllavëve. Si aleat, jo si tradhtar (siç e shohin mendjet gjysmake). Shaban Polluzha, në fund të luftës, e reduktoi skenarin e madh, duke i shërbyer kauzës se njohur tashmë, luftë dhe mbrojtje nga krimet dhe gjenocidi serb. Të dyja këto veprime të nevojshme dhe në harmoni të plotë me linjën kombëtare dhe atë ndërkombëtare.
Thënë shkurt, nuk mund të fajësohet Fadil Hoxha pse ideja për një shoqëri komuniste, e cila ushqeu ëndrrat më sublime njerëzore për një shoqëri të barabartë, në praktikë mori forma që i lanë të zhgënjyer edhe njerëzit që ushqenin besimin më të madh te kjo ide. Kur një individ i dalë nga kjo kategori shoqërore angazhohet për një shoqëri të barabartë, nuk ke se si mos ta rreshtosh në radhën e idealistëve të mëdhenj të shoqërisë tonë. E pikërisht janë idealistët ata që e përshpejtuan rrotën e progresit njerëzor.
Fadil Hoxha ishte ai që e përshpejtoi rrotën e progresit të shqiptarëve të Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë.
Sqarim: Të gjitha opinionet në këtë rubrikë reflektojnë qëndrimet e autorit/autorëve e jo domosdoshmërisht të NGB “Zëri” SHPK