Zërat
Ahmet Jashari
Ahmet
Jashari

Epoka trumpiane

Zërat nëntor 10, 2016 - 11:44

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mirëpo as bota, asnjëherë më nuk do të jenë siç kanë qenë deri më sot.

Fitorja e Donald Trumpit, nëpërmjet një fushate krejt jokonvencionale, ka hapur një epokë të re që mund të quhet epoka trumpiane.

Kjo qasje e re e ndërtuar prej tij patjetër se do të reflektohet në gjithë globin. Ai ka thyer çdo normë që deri më sot jo vetëm në SHBA njihej si normale. Ai ka thyer normalitetin e zakonshëm.

Për një vit, sa ka zgjatur fushata intensive, ka përdorur një diskurs krejt të pazakonshëm për traditën e zgjedhjeve atje. Reagimi i votuesve amerikanë, ndoshta për herë të parë në histori, ka qenë kaq i paparashikueshëm.

Ndërmjet të zakonshmes dhe të pazakonshmes kanë zgjedhur të dytën. E pazakonshmja tash do të bëhet e zakonshme.

Kjo mund të duket si aventurë amerikane, por vështirë të jetë e tillë. Është shumë më serioze. Si duket amerikanët nuk kanë menduar kësaj radhe për vlerat universale, por për amerikanizmin.

Është shenjë se ata janë ndier të kërcënuar nga të huajt. Sulmet terroriste dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm që kryhen në shumicën e rasteve nga të huajt, i kanë bërë amerikanët të lëndueshëm. Prandaj ata kanë zgjedhur për Trumpin, i cili nuk e ka kursyer gjuhën raciste kundër të huajve. 

Ai ka fyer, ka ofenduar, ka gjestikuluar, por në fund ka fituar. Gjatë gjithë kohës ai nuk ua ka varte fare sondazheve, analistëve, gazetarëve dhe grupeve që e atakonin atë. I ka përmbysur të gjithë.

Prej sot Trump është president i shtetit më të fuqishëm në botë, shtetit që krijon standardet jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e përditshme. Epokës së tij i ka paraprirë vendimi i britanikëve për të dalë nga Bashkimi Evropian.

Edhe ata i janë kthyer vetes. Kështu mund të vendosin së shpejti edhe shumë shtete të fuqishme evropiane. Popullariteti në rënie i kancelares Merkel, e cila ka udhëhequr politika për të mbrojtur të huajt, tregon se edhe gjermanët janë lodhur nga problemet që po ua sjellin të huajt.

Në Francë ka një përkrahje të madhe për partitë që promovojnë politika kundër të huajve. Fitorja e Trumpit ka hapur rrugë për një qasje tjetër që mund të ndodhë prej shteteve të mëdha në raport me pjesën tjetër të botës.

Pa dyshim se ky është një fillim i ri për botën. Pa dyshim se ky është një fillim i ri edhe për Ballkanin dhe për shqiptarët. Duke qenë më shumë praktik sesa pragmatik, Trump mund të jetë çelësi për zgjidhjen e problemeve në këtë rajon.

Megjithatë, zgjidhjet praktike nuk janë gjithmonë më të mirat.