Zërat
Jon Leka
Jon
Leka

Medaljoni i Majlindës dhe pseudoteoritë mbi kombin

Zërat gusht 09, 2016 - 12:55

Dy shtete janë: Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës. Dhe ura e gjallë dhe përbashkuese e këtyre dy vendeve është shqiptarja Majlinda Kelmendi me medaljen e artë për Republikën e Kosovës

A sa herë që Kosova do të korrë ndonjë sukses në sport, arte apo diku tjetër do të rihapet ky debat i mërzitshëm rreth flamurit dhe kombit? Si duket po. Dhe ai për çdoherë bëhet edhe më i neveritshëm. Të njëjtët akterë publikë lëshojnë tiradat e tyre të urrejtjes ndaj këtij apo atij tabori, ndaj atyre që besojnë të jenë të kombit shqiptar dhe atyre që thonë të mos kenë punë me të parin se janë të kombit kosovar.

Kush ka të drejtë? Cili nga këto dy ekipe të rrahjeve olimpike e fiton maratonën e polemikës, medieve, rrjeteve, sociale dhe gjithandej ku puqen shqiptarë, kosovarë, luginas, ulqinak, vlonjatë e nga gjithandej?

Askush. Ngase të gjitha palët bëjnë një zhurmë të kotë, të bazuar mbi pseudokoncepte e sqarime që i kanë servuar me vite vetë nxitësit permanentë të debatit; një grusht emrash publikë që nuk duan të hulumtojnë se ç’duan, çka ndiejnë shumica e tyre e çka janë qytetarët e shteteve ku zhurmojnë, por me çdo kusht, me shpatë e nervozë, shpesh si të dalë fare e etike, duke nxitur, fyer e sharë tentojnë të imponojnë «paradigmat» e tyre, të mësuara as përgjysmë, për shkak të mungesës së gjuhës apo mungesës së kapacitetit intelektual; për shkak të agjenturave ku paguhen apo vetëm se kanë humbur veten labirinteve vetëngrënëse të çorientimit identitar, nuk e dimë – vetëm mund të spekulojmë, porse çmendin sa herë që shfaqen shihet qartas!

Edhe kësaj radhe, kur shteti i Kosovës u prezantua me një ekip të veten në garat olimpike dhe atë duke fituar një medalje të artë sërish u riaktivizuan «ideologët» duke thënë se shumë keq që Majlinda Kelmendi nuk ishte duke marshuar pas flamurit kuqezi. Tjerët thanë shumë mirë se ajo përfaqëson kombin kosovar.

E pse nuk është i mundshëm versioni: Shqiptarja Majlinda Kelmendi mori medaljen e artë për shtetin e Kosovës? Ngase edhe kështu ndodhi. Pse jo me flamurin e Shqipërisë? Si pse? Ngase Kosovën nuk e çliruan aradhet e Xhafo Kapedanit të ardhura nga Shkodra e Tropoja, por disa të tjerë, që kanë kushte tjera dhe që të gjithë e dimë se si ndodhi dhe në ç’kushtesh funksionon shteti i pavarur i Kosovës.

Po këtu domosdo se dalin edhe dilema anësore: Kush ia dha Republikës së Shqipërisë tapinë e identitetit kulturor shqiptar? Kush janë ata që duan t’ia japin Kosovës një tapi të tillë apo një tjetër. Një gjë e mundshme, kur dimë se edhe «kombet» mund të imagjinohen dhe konstruktohen. Por këtë nuk e bëjnë, nuk do ta bëjnë, nuk mund ta shpifin hobifilozofë, parasociologë apo të atillë që i ka hedhur matematika a poezia dhe shpëtimin kërkojnë tek magjia, fallnxjerrja ose edhe më keq kanë bindur veten para pasqyrës se do të jenë demiurgët e kombeve të rinj, identiteteve – aksione farekoti bjerrakohësish infantilë. Kuaziteorira që mund të zënë vend kollumnave të tipit të kohës së Ali Bungut, por jo më shumë.

Shqiptarët e Ballkanit sot i kanë dy shtete. Dy flamuj. Tjerët u thanë se si duhet të sillen në kontekst me «shtetin amë» të tyre. Tjerët ua propozuan kosovarëve këto simbole. Ende as qytetarët e Shqipërisë, as ata të Kosovës, as të tjerët nuk kanë pasur as forcën e as mundësinë të vendosin rreth identitetit dhe segmenteve tjera të tyre identitetbërëse.

Një ditë edhe kjo do të vijë. Dita kur kosovarët do të duhet të vendosin se do ta mbajnë këtë shtet kështu siç është apo do t’i ngjiten ndonjë federate shqiptare apo të ngjashme. Do të vijë edhe ajo ditë kur me këtë çështje do të përballen edhe qytetarët e të ashtuquajturës «Shqipëri londineze». Paraprakisht, mirëpo ky «problem» do të duhet të kalojë nëpër diskurse, studime, politike e shkence, të cilat edhe atëherë vetëm mund të iluminojnë masat, por jo të shtrydhin ndjenjën përkatësore të tyre.

Të dy flamujt janë të bukur dhe legalë; ngase të dy përfaqësojnë qytetarët e tyre, përfaqësojnë dy shtetet shqiptare, me biografi të kundërta e të ndryshme politike, por edhe me shumë gjëra të përbashkëta në histori, traditë, kulturë... Nëse ato nesër vendosin të bëhen një shtet apo tri, bota do të detyrohet t’i respektojë ashtu, tjerat janë përçarje monotone «ideologësh» të dështuar dhe si të tillë duhet injoruar!