Më të paguar se lojtarët

Sport March 18, 2016 - 11:28

Futbolli kosovar është vatër e vakive. Si askund tjetër në botë, këtu trajnerët paguhen më shumë se futbollistët! Rroga e një trajneri sillet rreth 500 euro, derisa ajo mesatare e lojtarëve nuk shkon më shumë se 300-350 euro. Njohësit e futbollit thonë se kjo ndodh për shkak të mungesës së profesionalizmit nëpër klube dhe mungesës së trajnerëve në treg

Në futbollin kosovar ndodhin gjëra të pazakonta. Një fenomen i rrallë që ndodh këtu ka të bëjë me rrogat. Për dallim nga vendet tjera, ku lojtarët paguhen më shumë se trajnerët, në Kosovë ndodh e kundërta. Trajnerët marrin rroga më të mëdha se pjesa dërrmuese e futbollistëve. Një rrogë mesatare e një trajneri të Superligës sillet kah 500 euro, por ka prej tyre që shkojnë deri në 1000 euro. Ndërkaq, rroga mesatare e një futbollisti në elitë është 300-350 euro, edhe pse ka prej tyre që paguhen deri në 500 euro.

Njohësit e futbollit thonë se kjo është mungesë e profesionalizmit tek klubet, të cilat nuk shkojnë në proporcion me mënyrën se si veprojnë klubet jashtë vendit.

“Tek ne ndodh ky fenomen sepse shumica e klubeve nuk janë profesionale. Ndoshta edhe në Evropë kemi ndonjë trajner më të paguar se ndonjë lojtar, por jo në klubet e mëdha siç janë Real Madrid, Barcelona etj. Paramendoni të jetë trajneri më i paguar se Ronaldo, Messi apo Ibrahimovic! Kjo do të ishte e pakuptimtë. Normal që edhe ata trajnerë duhet të paguhen, siç paguhen me shuma të mëdha, por jo më shumë se futbollistët kryesorë”, u shpreh për “Zërin” trajneri i ri, Arsim Plepolli.

 Zeka: Ka mungesë të trajnerëve

Abedin Zeka, kryetar i Trepçës ’89, insiston se në Kosovë ka mungesë të trajnerëve, prandaj ndodh që, ata të cilët i marrin në dorë klubet, kanë paga kryesisht më të mëdha se lojtarët e tyre.

“Ka edhe futbollistë që paguhen më shumë se trajnerët, por në përgjithësi trajnerët në futbollin kosovar kanë paga më të mëdha sesa lojtarët. Ndoshta është arsye e mungesës së trajnerëve, nuk ka shumë trajnerë në treg”, nënvizoi Zeka.

Sipas tij, kjo ndoshta është trashëguar nga ish-trajnerët e kohës së komunizmit. Ai shton se trajnerët në vend nuk thonë ndonjëherë, “po punoj 2-3 herë në muaj prej vullnetit, pa para”. “Trajnerët s’kanë përgjegjësi, edhe nëse e humbin titullin nuk japin përgjegjësi. E në ndërkohë ankohen se janë të pambrojtur”, përfundoi Zeka.

 Isufi: Ka balancë në këtë drejtim

Trajneri, Bekim Isufi, mendon pak më ndryshe sesa parafolësit. Ai thotë se në këtë drejtim ka një balancë dhe nuk mund të thuhet se trajnerët paguhen më shumë se lojtarët në Kosovë.

“Mendoj se kjo çështje është e balancuar. Janë 2-3 trajnerë që paguhen më shumë se futbollistët, për shkak të bagazhit, CV-së, pra të arriturave të tyre. Por, ka edhe trajnerë që pranojnë të marrin klube në dorë me një rrogë më të vogël se lojtarët, sidomos ata kryesorë. E njëjta ndodh edhe me lojtarët. Ata që janë më të mirë, paguhen më shumë. Prandaj, në përgjithësi mendoj se është një balancë”, thekson trajneri gjilanas. Përpos rrogave, trajnerët i marrin edhe paratë e kontratës, të cilat mund të shkojnë deri në 10 mijë euro. Sipas informatave, Afrim Tovërlani dhe Bylbyl Sokoli janë trajnerët më të paguar në Kosovë.

Batatina, i vetmi trajner pa rrogë

Trajneri i vetëm që nuk merr rrogë në Superligën e Kosovës është Tahir Batatina. Madje, ai është edhe financues i klubit llapjan.