Veç një himn
Himni i Kosovës nuk ka arritur ende të futet në zemrat e tifozëve në Kosovë. Një pjesë e mirë e tifozerive në vend nuk e pranojnë himnin, i cili u kompozua në vitin 2008, pas shpalljet së Pavarësisë së Kosovës. Ata konsiderojnë se shqiptarët duhet ta kenë veç një himn - atë Kombëtar
Himni i Kosovës vazhdon të mbetet në hije të atij kombëtar shqiptar. Ai nuk ka arritur ende të depërtojë në zemrat e tifozëve kosovarë. Stadiumet dhe palestrat sportive ushtojnë zakonisht me intonimin e flamurit kombëtar, ndërsa ai i Kosovës, i kompozuar nga kompozitori Mendi Mengjiqi, kryesisht kontestohet, por në raste më ekstreme edhe vërshëllehet.
Njëra prej tifozerive që e kontestojnë më së shumti himnin e Kosovës janë "Plisat". Tifozët prishtinas duken të vendosur: ata e duan një shtet, me një himn e një flamur. Gjërat tjera, për ta janë imtësi dhe të pavlefshme, shkruan Zëri.
"Ne qëndrojmë konsistent në qëndrimet tona lidhur me këtë çështje. Ne nuk e kontestojmë ekzistencën e shtetit të Kosovës, mirëpo konsiderojmë se të gjithë shqiptarët duhet të jetojnë në një shtet të vetëm. Kjo është zgjidhja e vetme e pranueshme për ne, kjo është ëndrra dhe synimi i përjetshëm i shqiptarëve", thotë për "Zërin" Albert Kastrati, kryetar i "Plisave".
"Prandaj, himni dhe flamuri, si elemente simbolike të shtetit të Kosovës, bien ndesh me parimet tona. Ne konsiderojmë që flamuri kombëtar, himni ‘Rreth flamurit të përbashkuar', janë ombrella e vetme nën të cilën e ndjejnë veten të përfaqësuar të gjithë shqiptarët, pa marrë parasysh në cilët kufij administrativë jetojnë sot", vazhdoi ai. "Plisat" madje nuk e njohin as Përfaqësuesen e Kosovës, në asnjë sport, pasi e kanë bojkotuar vazhdimisht atë.
Gexha: E respektojmë himnin e Kosovës, e duam himnin kombëtar
Edhe "Kuqezinjtë e Jakovës" njihen si tifozë që janë të vendosur për himnin kombëtar shqiptar. Sipas tyre, ky është himni i krejt shqiptarëve dhe se shqiptarët e Kosovës, e as minoritetet që jetojnë në Kosovë, nuk e kanë në plan të parë himnin e Kosovës.
"Boshnjakët e kanë në plan të parë himnin dhe flamurin boshnjak, ashtu edhe serbët dhe minoritetet tjera. Gjithashtu, edhe ne e kemi himnin tonë kombëtar. Ai i identifikon krejt shqiptarët. Ne e respektojmë himnin e Kosovës, por ai është në plan të dytë për të gjitha nacionalitetet në vendin tonë", u shpreh për gazetën kryetari i tifozëve gjakovarë, Valon Gexha, i cili nënvizoi se "Kuqezinjtë" janë mbi të gjitha kundër flamurit shumetnik, pasi në njërin prej yjeve përfaqësohen edhe serbët.
Sipas tij, himni, por mbi të gjitha flamuri, nuk e ka gjatë, me bindjen se do të ndryshojnë pas 20 apo 30 vjetësh. Duhet cekur se jo të gjitha tifozeritë në Kosovë e kontestojnë apo vërshëllejnë himnin e Kosovës, duke e shprehur bindjen se dita-ditës, me ndërrimin e gjeneratave, ai do të jetë himni primar i kosovarëve, pa e lënë assesi anash himnin kombëtar shqiptar, i cili i simbolizon krejt shqiptarët, kudo që ndodhen.
Ndërkohë, "Zëri" ka provuar të flasë edhe me njeriun që e bëri himnin, Mendi Mengjiqi, i cili megjithatë nuk deshi të fliste për këtë punë, duke insistuar se nuk ia vlen të merret me këtë çështje. Sidoqoftë, edhe afro 8 vjet pas kompozimit të tij, himni i Kosovës nuk ka arritur të hyjë plotësisht në zemrat e tifozëve kosovarë. /Zëri/