Shifrat nuk lënë vend për dyshime, Raphinha shumë më i sigurt se Yamali nga penalltia
Debati për ekzekutuesin e penalltive te Barcelona po bëhet gjithnjë e më i madh pas gabimit të Lamine Yamalit ndaj Villarrealit.
Këtë herë, statistikat e publikuara nga “Mundo Deportivo”, bazuar në të dhënat e Transfermarkt, tregojnë një dallim të dukshëm mes talentit spanjoll dhe Raphinhas.
Braziliani ka realizuar të 11 penalltitë e ekzekutuara me fanellën e Barcelonës, ndërsa në karrierën e tij me klube dhe kombëtaren e Brazilit ka shënuar 24 nga 25 tentimet. Ai nuk ka gabuar asnjërën prej 21 penalltive të fundit.
Në anën tjetër, Yamal ka realizuar shtatë nga 10 penalltitë e ekzekutuara për Barcelonën, me një saktësi prej 70 për qind.
Duke përfshirë edhe paraqitjet me kombëtaren spanjolle, ai ka shënuar tetë nga 12 penalltitë e marra përsipër.
Këto shifra e vendosin Raphinhan dukshëm përpara në garën për të qenë ekzekutuesi i parë i Barcelonës.
Tashmë mbetet të shihet nëse Hansi Flick do të ndërhyjë dhe do ta ndryshojë sistemin aktual, ku lojtarët vendosin vetë në fushë se kush e merr përgjegjësinë. /Zëri