Skandal në kualifikimet e Kupës së Azisë U17, futbollisti palestinez e sulmon rëndë kundërshtarin
Një skenë e rëndë ka ndodhur në ndeshjen mes Palestinës dhe Indisë, në kuadër të kualifikimeve për Kupën e Azisë U17.
Futbollisti palestinez, Mohammed Jamhour, është përjashtuar me karton të kuq direkt pas një veprimi të dhunshëm ndaj kundërshtarit.
Incidenti ndodhi në minutën e 10-të, kur Jamhour rrëzoi mbrojtësin indian Raj Singh Wahengbam dhe më pas e goditi disa herë me shqelma, madje duke e shkelur edhe në momentin kur ai ndodhej i shtrirë në fushë.
Arbitri nuk hezitoi dhe e ndëshkoi menjëherë me karton të kuq, duke e lënë Palestinën me një futbollist më pak për pjesën dërrmuese të ndeshjes.
Pas përfundimit të takimit, trajneri i Palestinës, Yousef Sharbaji, dënoi publikisht veprimin e lojtarit të tij dhe kërkoi falje ndaj përfaqësueses së Indisë. Ndeshja përfundoi me fitoren e Indisë 4-1. /Zëri