Zhegrova mund të bëhet bashkëlojtar me Rashicën edhe në nivel klubesh
Edon Zhegrova mund të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të janarit, dhe destinacioni i tij mund të jetë Turqia, më saktësisht Besiktasi, aty ku është edhe Milot Rashica.
Kështu ka bërë me dije një raportim nga Turqia, i cili ka thënë se Zhegrova tashmë mund ta konsiderojë kalimin në Stamboll.
Një nga objektivat e Besiktasit gjatë afatit kalimtar të verës ishte edhe Edon Zhegrova.
Megjithatë, përfaqësuesi i Kosovës nuk ishte bindur nga oferta e klubit turk dhe nuk kishte pranuar të transferohej në Stamboll.
Situata tani ka ndryshuar plotësisht. Drejtuesit e Juventusit dëshirojnë ta largojnë Zhegrovën dhe janë të hapur si për oferta për transferimin e tij të përhershëm, ashtu edhe për huazim.
Ende nuk është marrë një vendim përfundimtar, por nëse Besiktas rikthehet në garë gjatë afatit kalimtar të janarit, këtë herë mund ta realizojë transferimin.
Kjo edhe për faktin se kanë ndryshuar edhe qëndrimet e palës së futbollistit.
Juventusi e transferoi Zhegrovën nga Lille në vitin 2025, duke paguar 15 milionë euro për kartonin e tij.
Megjithatë, aventura e futbollistit kosovar në Itali nuk ka shkuar aspak sipas pritshmërive.
Sezonin e kaluar, Zhegrova nuk arriti as të shënojë e as të asistojë gjatë tërë sezonit, duke e nisur vetëm një ndeshje nga fillimi.
Në sezonin aktual, edhe pse ka dy gola e dy asistime, ai ende s’ka nisur një ndeshje nga fillimi, me të gjitha kontributet e tij duke ardhur nga banka rezervë.
Edon Zhegrova dhe Milot Rashica do të luajnë së bashku këtë muaj, me Kosovën, në ndeshjet ndaj Izraelit e Irlandës, që luhen në kuadër të Ligës B të Ligës së Kombeve .