Barcelona rikthehet në stërvitje pas PSG-së, tani e gjithë vëmendja tek El Clasico
Barcelona është rikthyer në stërvitje të mërkurën, pas ndeshjes së vështirë ndaj Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve, duke nisur përgatitjet për përballjen e madhe ndaj Real Madridit.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flick zhvilloi një seancë rikuperimi pas humbjes 4-2 ndaj PSG-së.
Futbollistët që kishin pasur ngarkesën më të madhe fizike në ndeshjen e së martës punuan në palestër, ndërsa pjesa tjetër e ekipit u stërvit në fushat e qendrës stërvitore Ciutat Esportiva Joan Gamper.
Në seancën stërvitore morën pjesë të gjithë futbollistët e ekipit të parë që janë në dispozicion të trajnerit gjerman.
Gjithashtu, me skuadrën u bashkuan edhe dy lojtarë të Barcelonës B, Hamza Abdelkarim dhe Alex Campos, të cilët kishin udhëtuar me ekipin edhe në Paris.
Tashmë, fokusi i Barcelonës është te ndeshja e së dielës kundër Real Madridit, e cila do të zhvillohet në “Spotify Camp Nou”, në kuadër të kampionatit spanjoll.
Kjo do të jetë përballja e parë mes dy rivalëve të mëdhenj këtë sezon dhe një mundësi për skuadrën e Flickut që të reagojë pas humbjes në Paris. /Zëri