Real Madrid TV sulmon sërish Barcelonën: Lojtarët e saj janë bërë gjyqtarë, në El Clasico do të përballemi me 17 referë

Real Madrid TV sulmon sërish Barcelonën: Lojtarët e saj janë bërë gjyqtarë, në El Clasico do të përballemi me 17 referë

Sport October 20, 2026 - 13:14

Real Madrid TV ka vazhduar kritikat ndaj arbitrimit në Spanjë, duke e akuzuar Barcelonën se po përpiqet të ndikojë në vendimet e gjyqtarëve, pak ditë para El Clasicos të së dielës.

Në emisionin e televizionit zyrtar të klubit madrilen, këtë herë u komentua polemika në ndeshjen mes Real Betisit dhe Barcelonës, ku lojtarët katalanas, duke përfshirë Pedrin dhe Lamine Yamalin, iu drejtuan gjyqtarit Ricardo de Burgos Bengoetxea për t’i kërkuar rishikimin e një prekjeje të mundshme me dorë në aksionin para golit të Giovani Lo Celsos.

“Jemi në prag të garës më të mirë në botë, Ligës së Kampionëve. Këtu nuk ka pisllëk dhe as ndyrësi. Jam i sigurt se lojtarët e Leipzigut nuk do t’i kërkojnë gjyqtarit ta kontrollojë VAR-in, siç bënë lojtarët e Barcelonës në Sevilla”, u shpreh një nga komentuesit e RMTV-së.

“Do të përballemi me 17 gjyqtarë”

Kritikat më të ashpra erdhën kur televizioni madrilen pretendoi se futbollistët e Barcelonës po sillen si gjyqtarë në fushë.

“Tani lojtarët e Barcelonës janë gjyqtarët e rinj dhe kërkojnë VAR-in sipas dëshirës. Kur lojtarët tanë i afrohen gjyqtarit, ata largohen, ndërsa katalanasit duket se kanë imunitet”, thuhej në emision.

Më pas, RMTV iu referua drejtpërdrejt El Clasicos, që do të zhvillohet të dielën në “Spotify Camp Nou”.

“Për këtë arsye, të dielën do të përballemi me 17 gjyqtarë: ata në fushë, ata të VAR-it dhe 11 lojtarët e Barcelonës”, ishte deklarata e televizionit madrilen.

Polemikat shtohen para El Clasicos

Këto deklarata vijnë në një periudhë kur tensionet rreth arbitrimit në futbollin spanjoll janë shtuar ndjeshëm, ndërsa përballja mes Barcelonës dhe Real Madridit po afrohet.

Real Madrid TV ka qenë vazhdimisht kritik ndaj gjyqtarëve dhe institucioneve të futbollit spanjoll, ndërsa këtë herë në shënjestër ka vënë edhe sjelljen e lojtarëve të Barcelonës gjatë ndeshjeve.

El Clasico i së dielës pritet të zhvillohet në një atmosferë të tensionuar, me polemikat jashtë fushës që tashmë kanë nisur para se të luhet ndeshja. /Zëri