Papini e preferon Harry Kanen për Topin e Artë, kritikon Mbappen: Është bërë “unë, unë dhe vetëm unë”

Papini e preferon Harry Kanen për Topin e Artë, kritikon Mbappen: Është bërë “unë, unë dhe vetëm unë”

Sport October 13, 2026 - 11:54

Jean-Pierre Papin, fitues i Topit të Artë në vitin 1991, ka kritikuar mënyrën sesi Kylian Mbappe po e promovon kandidaturën e tij për çmimin prestigjioz individual. Ish-sulmuesi francez preferon Harry Kane, duke vlerësuar se sulmuesi i Real Madridit e ka tepruar me deklaratat e tij.

Gara për Topin e Artë të vitit 2026 vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, ndërsa ceremonia e ndarjes së çmimit është planifikuar të mbahet më 26 tetor.

Në këtë debat ka ndërhyrë edhe Jean-Pierre Papin, ish-sulmuesi i Marseille dhe Milanit, i cili nuk e ka fshehur pakënaqësinë me mënyrën sesi Mbappe ka folur për mundësinë e fitimit të këtij trofeu.

Në një prononcim për France TV, Papini e pranoi se e vlerëson shumë kapitenin e Francës, por kritikoi atë që e konsideron si fokus të tepruar të Mbappes te vetja.

“Kyliani më pëlqen shumë. Ai është një njeri i rekordeve, por në një moment u bë ‘unë, unë dhe përsëri unë’. Topin e Artë e vendosin të tjerët. Nga mënyra sesi komunikonte, dukej sikur askush tjetër nuk e meritonte këtë çmim. Për mua, kjo ishte e tepërt”, deklaroi Papini.

Papin: Ky aspekt mund të ndikojë në garë

Fituesi i Topit të Artë në vitin 1991 theksoi se përzgjedhja e fituesit nuk varet vetëm nga paraqitjet në fushë, por edhe nga disa kritere të tjera që merren parasysh gjatë votimit.

“Sot, Topi i Artë ndahet duke u bazuar në disa kritere. Në pothuajse të gjitha, Kyliani është i shkëlqyer, por në këtë aspekt jo. Dhe ky është një element që ka rëndësi”, u shpreh ai.

Papin nuk e fshehu as preferencën e tij për fituesin e këtij edicioni, duke përmendur sulmuesin anglez Harry Kane si futbollistin që, sipas tij, e meriton më shumë çmimin.

Kështu, ndërsa Mbappe synon të fitojë një nga trofetë më të rëndësishëm individualë në futboll, deklaratat e tij publike vazhdojnë të ngjallin reagime në prag të ceremonisë së 26 tetorit. /Zëri