Peja pret Kampionatin Ballkanik të Xhudos, garojnë dhjetë shtete të rajonit
Qyteti i Pejës do të jetë nikoqir i Kampionatit Ballkanik të Xhudos për Seniorë, U23 dhe Mixed Team 2026, i cili do të zhvillohet më 26 dhe 27 shtator në palestrën “Karagaç”.
Sipas njoftimit, për dy ditë me radhë në Pejë do të mblidhen xhudistë nga disa shtete të rajonit, në një garë që pritet të sjellë përballje të forta dhe atmosferë sportive.
Dita e parë e kampionatit, 26 shtatori, do t’u kushtohet garave individuale në kategoritë e meshkujve dhe femrave.
Te meshkujt do të garohet në kategoritë: -60 kg, -66 kg, -73 kg, -81 kg, -90 kg, -100 kg dhe +100 kg.
Ndërsa te femrat: -48 kg, -52 kg, -57 kg, -63 kg, -70 kg, -78 kg dhe +78 kg.
Luftat preliminare do të nisin në ora 10:00, ndërsa ceremonia zyrtare e hapjes është paraparë të mbahet në ora 15:30. Blloku final do të nisë në ora 16:00.
Të dielën, më 27 shtator, gara do të vazhdojë me Mixed Team, ku ekipet do të përballen në garat ekipore. Edhe këtë ditë, luftat preliminare do të nisin në ora 10:00.
Kosova, për të katërtin vit radhazi, është nikoqire e Kampionatit Ballkanik, ndërsa në garë pritet të marrin pjesë rreth dhjetë shtete të rajonit.
Në Pejë do të jenë të pranishme përfaqësueset e Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Greqisë, Moldavisë, Turqisë dhe Bullgarisë, krahas Kosovës.