Pas 11 vjetësh në gjendje të rëndë, vdes ish-boksieri portorikan Prichard Colon
Ish-boksieri portorikan Prichard Colon ka vdekur në moshën 33-vjeçare, 11 vjet pasi një dëmtim i rëndë në tru gjatë një ndeshjeje ia ndryshoi përgjithmonë jetën.
Lajmin e ka bërë të ditur babai i tij, Richard Colon, përmes rrjeteve sociale, duke falënderuar të gjithë ata që e kishin mbështetur familjen gjatë këtyre viteve.
Colon konsiderohej një nga talentet më premtuese të boksit. Para ndeshjes fatale, ai kishte një rekord prej 16 fitoresh në 16 përballje, 13 prej të cilave me nokaut.
Në vitin 2015, Coloni u përball me amerikanin Terrel Williams. Gjatë ndeshjes, portorikani u godit disa herë në pjesën e pasme të kokës, goditje të palejuara në boks. Në rundin e nëntë, ai u rrëzua në ring.
Pas përfundimit të përballjes, gjendja e Colonit u përkeqësua. Mjekët konstatuan se ai kishte pësuar një hematomë subdurale, një grumbullim gjaku në tru që shkakton presion mbi trurin.
Colon iu nënshtrua një operacioni urgjent, por më pas ra në komë, gjendje në të cilën qëndroi për 221 ditë.
Pas zgjimit nga koma, ai mbeti në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk ishte në gjendje të komunikonte normalisht. Për të komunikuar, përdorte një kompjuter.
Për 11 vjet familja e tij u kujdes për të dhe qëndroi pranë tij, deri në fund.